Komiteti i Helsinkit kërkon përgjegjësi institucionale për përmbytjet

Komiteti Shqiptar i Helsinkit kërkoi transparencë dhe objektivitet në vlerësimin e dëmeve dhe dëmshpërblimin e banorëve të prekur nga përmbytjet në Durrës, duke ngritur pikëpyetje mbi rolin dhe përgjegjësinë e institucioneve publike.

Pas përmbytjeve masive të 6 janarit 2026 në Durrës, që prekën qindra banesa, biznese dhe institucione publike, Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH) publikoi një deklaratë për shtyp të premten ku kërkoi përgjegjësi institucionale, transparencë dhe objektivitet në procesin e vlerësimit të dëmeve dhe dëmshpërblimit të banorëve të prekur.

“Autoritetet lokale referojnë si shkaktarin kryesor të përmbytjeve hedhjet pa kriter të mbeturinave dhe ndërhyrjet në sistemin e kanalizimeve, por për të arritur në një konkluzion objektiv nevojitet një verifikim gjithëpërfshirës edhe i rolit dhe përgjegjësive të institucioneve publike”, thuhet në deklaratën e KShH duke theksuar se shteti nuk mund t’ua atribuojë përgjegjësinë vetëm banorëve pa u vlerësuar më parë nëse autoritetet vendore kanë përmbushur detyrimet ligjore për mirëmbajtjen e infrastrukturës dhe parandalimin e përmbytjeve.

“Bashkitë kanë detyrime të qarta ligjore për mbledhjen dhe largimin e ujërave të shiut, mirëmbajtjen e kanalizimeve dhe mbrojtjen nga përmbytjet në zonat e banuara”, nënvizoi KShH, duke iu referuar përgjegjësive që ligji u ngarkon njësive të qeverisjes vendore.

Më 6 janar 2026, reshjet intensive të shiut shkaktuan përmbytje të gjera në Durrës, ku qindra shtëpi dhe biznese u mbuluan nga uji, dhjetëra familje u detyruan të shpërngulen dhe u prekën edhe institucione publike, përfshirë paraburgimin e qytetit, tregjet e rrugët. Situata u shoqërua edhe me humbjen e një jete njerëzore, ndërsa Prokuroria e Durrësit nisi hetimet për shkaqet e përmbytjeve.

Në kuadër të këtyre hetimeve përfshihet edhe funksionimi i hidrovorit të ri, për ndërtimin e të cilit janë investuar miliona lekë nga fondet e rindërtimit, çështje që ka ngritur pikëpyetje mbi efektivitetin e investimeve publike dhe mirëmbajtjen e infrastrukturës.

Në deklaratë KShH ngriti shqetësime edhe për procesin e vlerësimit të dëmeve, duke evidentuar mungesë informacioni për banorët dhe vonesa në procedura. Sipas monitorimit, disa qytetarë nuk kanë marrë kopje të procesverbaleve të dëmeve dhe nuk janë informuar qartë mbi hapat që do të ndiqen për dëmshpërblimin.

“Procesi i vlerësimit dhe dëmshpërblimit duhet të zhvillohet mbi parimet e transparencës, objektivitetit dhe brenda një afati të arsyeshëm”, theksoi deklarata, duke kujtuar se vonesat në raste të mëparshme kanë rënduar më tej kushtet sociale dhe ekonomike të familjeve të prekura.

Deklarata e KShH shtoi presionin publik për sqarimin e përgjegjësive institucionale dhe për garantimin e një procesi transparent dhe të drejtë dëmshpërblimi për banorët e prekur nga përmbytjet e 6 janarit në Durrës. 

Komiteti Shqiptar i Helsinkit është një organizatë e pavarur e shoqërisë civile që monitoron respektimin e të drejtave të njeriut dhe funksionimin e institucioneve publike në Shqipëri.