Harta e re e plazheve shkaktoi debate në Këshillin Bashkiak të Durrësit

Këshilli Bashkiak i Durrësit miratoi hartën e përgjithshme të plazheve për sezonin veror të këtij viti, gjatë mbledhjes së radhës që u shoqërua me diskutime të gjera dhe debate. Në rendin e ditës u trajtuan edhe çështje të tjera me rëndësi për komunitetin, si procesi i rindërtimit pas tërmetit dhe transportit publik.

Të mërkurën në Durrës u zhvillua mbledhja e radhës e Këshillit Bashkiak, ku u miratua harta e përgjithshme e plazheve për sezonin veror që sapo ka nisur. Këshilltarët debatuan rreth ndarjes se ku do të ushtrohet veprimtaria në stacionet e plazhit edhe hapësirat që do të mbeten publike në territorin që përfshin Bashkia Durrës.

Këtë vit, vendimi i qeverisë i përjashton baret dhe restorantet nga marrja e lejeve për stacion plazhi, duke favorizuar hotelet. Sipas këshilltarëve të opozitës, kjo mund të nxisë abuzimet edhe të ulë ndjeshëm të ardhurat e bashkisë.

“Pjesa tjetër kundrejt rregullores, 70 me 30 për ndarjen e sipërfaqeve, kemi një rënie të shfrytëzimit të saj nga hotelet?, pyeti këshilltari i djathtë Ardian Muka.  Sipas tij nëse ka rënie, atëherë do të ketë më pak të ardhura  në qytet.

Nënkryetari i bashkisë, Renis Mullaj, shpjegoi se ende nuk ka të dhëna përfundimtare mbi hotelet që do të ofrojnë shërbim në stacionet private të plazhit dhe theksoi se efektet ekonomike të këtyre ndryshimeve do të vlerësohen vetëm pas përfundimit të sezonit.    

Këshilltarët diskutuan rreth studimit të vizibiliteti mbi të ardhurat që në fund të vitit do ti shkojnë bashkisë nga taksa e plazheve.

Nënkryetari  Ervis Mullaj shpjegoi se bashkia nuk ka studimit të vizibilitetit, por zbaton Vendimet e Këshillit të Ministrave.

“ Nuk kemi një informacion të saktë për të ardhurat të cilat do ti shkojnë në fund të vitit bashkisë. Konkretisht nuk kemi të dhëna të sakta sepse nuk përcakton bashkia subjektet përfituese’, tha  ai.

Duke u ndalur tek hapësirat publike në plazhe këshilltari Dritan Burgija deklaroi se plazhi nuk është vetëm për turistët, por edhe për qytetarët vendas që frekuentojnë atë ditor. Këshilltari i djathtë Burgija kërkoi që zona të caktuara të përjashtohen për të ruajtur hapësirën publike.

Megjithë debatet u miratua harta e përgjithshme e plazheve me 35 vota pro, ndërsa duket se  diskutimet për transparencën dhe administrimin e brezit ranor në plazhe do të vijojnë.

 Me 27 vota pro, 9 kundër dhe 1 abstenim, këshilltarët miratuan ndryshimet në vendimet ekzistuese që prekin listat përfituese të banesave individuale nga programi i rindërtimit. 

Opozita kundërshtoi, duke kërkuar më shumë transparencë dhe akuzoi bashkinë për përjashtime të padrejta në disa raste. Këshilltari Dritan Burgija tha në fjalën e tij se ‘qytetarët po përjashtohen nga e drejta e pronës dhe procesi i rindërtimit”.

Një tjetër pikë që ngjalli reagime dhe debate  ishte subvencionimi i transportit publik. Dy operatorë të këtij shërbimi do të mbështeten me rreth 4 milion lekë nga bashkia për të mbuluar kostot dhe për të ruajtur çmimin e biletës në nivelin 40 lekë, me synim lehtësimin e barrës për qytetarët.

Këshilltari Ardi Muka ngriti dyshime serioze mbi transparencën e verifikimit të numrit të biletave të shitura dhe efektivitetin e këtij subvencioni.

Megjithatë me 26 vota pro dhe 9 kundër u miratua procedura e shpërndarjes së subvencioneve për operatorët e transportit publik qytetas.