Greta Thunberg në Tiranë: Protestë kundër urisë në Gaza dhe heshtjes globale
Aktivistja e njohur Greta Thunberg vizitoi Tiranën të mërkurën për të marrë pjesë në një protestë kundër krizës humanitare në Rripin e Gazës. Nga Sheshi “Skënderbej” ajo denoncoi politikat izraelite si shkaktare të urisë ekstreme dhe bllokadës së ndihmave humanitare në Gaza, duke i quajtur këto veprime si pjesë të një gjenocidi të heshtur.

Aktivistja Greta Thunberg gjatë protestës në Tiranë. Foto: Cra.al
Pasditen e së mërkurës në Sheshin “Skënderbej” në Tiranë aktivistë të të drejtave të njeriut organizuan një protestë për të denoncuar krizën humanitare në Rripin e Gazës, ku mori pjesë dhe aktivistja e njohur Greta Thunberg.
“Gaza ka hyrë në fazën e pestë të kequshqyerjes që është e pakthyeshme, ndërkohë që mijëra kamionë me ndihma presin që të hyjnë dhe kjo është pasojë direkte e heshtjes së botës që lejoi Izraelin të kryejë këtë akt gjenocidi”, tha aktivistja Greta Thunberg në fjalën e saj gjatë protestës.
Pjesëmarrësit kërkuan ndërhyrje të menjëhershme ndërkombëtare për të ndaluar urinë dhe për shpëtuar jetën e palestinezëve. Ata mbanin pankarta në duar, në të cilat shkruhej, “Stop luftimeve në Gaza”, “Hapje të korridoreve humanitare për ndihmat urgjente”. Nën moton “Ndaloni urinë, lejoni ushqimin dhe jetën”, aktivistët qëndruan të bashkuar duke protestuar për gati një orë.
Aktivistja Thunberg bëri përgjegjëse politikat e Izraelit për situatën e krijuar në Gaza, duke deklaruar se ka shkatërruar gjithçka aty, deri tek furrat e bukës.
“Kjo është në vazhdim të politikave të paligjshme të Izraelit, që ka shkatërruar furrat e bukës për të vazhduar fushatën e urisë në Gaza”, tha aktivistja.
Ajo kujtoi në fjalën e saj se bota po përballet me katastrofa natyrore dhe gjenocide, ndërsa pyeti se nëse vrasja e njerëzve në Gaza nuk ështe e mjaftueshme për tu ngritur në protesta, atëherë çfarë duhej të ishte tjetër.
“Ne po jetojmë në një kohë që karakterizohet nga gjenocidi, katastrofat natyrore. Gjenocidi në Gaza, krimet humanitare në botë dhe eskalimi i ngrohjes globale kanë të njëjtin shkak. Nëse vrasja e miliona njerëzve në Gaza nuk është e mjaftueshme për t’ju ngritur nga divani, çfarë do të jetë tjetër?!”, pyeti ajo nga qendra e kryeqytetit shqiptar.
Greta Thunberg është e njohur për angazhimin e saj global në çështjet e ndryshimeve klimatike, por vitet e fundit ka zgjeruar veprimtarinë e saj edhe në fushën e të drejtave të njeriut dhe solidaritetit me viktimat e konflikteve të armatosura.
Mbi 100 organizata humanitare dhe të të drejtave të njeriut në të gjithë botën u bënë thirrje qeverive të ndërmarrin veprime urgjente për të ndalur përhapjen e urisë në Gazë. Ato kërkuan armëpushim të menjëhershëm dhe të përhershëm, si edhe heqjen e të gjitha pengesave për shpërndarjen e ndihmave humanitare.
Në deklaratën e nënshkruar nga 111 organizata, përfshirë “Mercy Corps”, “Këshillin Norvegjez për Refugjatët “dhe “Refugees International”, paralajmërohet se uria në Gazë po përhapet me shpejtësi të madhe, ndërkohë që ndihmat jetike, si ushqimi, uji dhe barnat qëndrojnë të pashpërndara pranë kufirit, pasi organizatave humanitare u ndalohet të veprojnë.