Gjykata urdhëron kthimin e pajisjeve të gazetarëve të “Focus Media Group”
Gjykata e Tiranës vendosi se ndërhyrja e shoqërisë shtetërore “KAYO” dhe Policisë së Shtetit në ambientet e “Focus Media Group” ishte joproporcionale dhe urdhëroi kthimin brenda 24 orëve të pajisjeve dhe dokumenteve të gazetarëve. Vendimi theksoi rëndësinë e mospengimit të punës së medias për shkak të mosmarrëveshjeve pronësore.

Gjykata e Tiranës u shpreh të martën në lidhje me ndërhyrjet e kryera nga shoqëria “KAYO” sh.a. dhe Policia e Shtetit në rrjetin mediatik “Focus Media Group”, duke i vlerësuar si joproporcionale dhe urdhëroi marrjen e masave të menjëhershme për kthimin e sendeve të gazetarëve dhe pajisjeve të punës.
“Zyra e Përmbarimit Shtetëror është e detyruar që brenda 24 orësh nga marrja e vendimit të marrë masat që të kryejë identifikimin dhe inventarizimin e sendeve personale të gazetarëve të Shoqërisë “Fokus Media News” dhe t’i lejojë ata brenda këtij afati të marrin në dorëzim sendet, dokumentacionin, akte dhe dokumente elektronike që ndodhen në kompjuterët e punës apo në ambientet e punës”, u shpreh gjykata në vendimin e dhënë pasditen e 12 gushtit.
Vendimi u mor nga gjyqtarja Alma Kodraliu, pas një kërkese për sigurim padie nga kompanitë “Focus Media News” dhe “Panorama Group”, të cilat kërkuan pezullimin e efekteve të ndërhyrjes së kryer nga shoqëria shtetërore “KAYO” sh.a. dhe Policia e Shtetit.
Gjykata gjithashtu i dha të drejtë kompanive mediatike që të tërheqin të gjitha sendet dhe paisjet e bllokuara nga shoqëria “KAYO”.
“Zyra e Përmbarimit Shtetëror është e detyruar që brenda 48 orësh të kryejë identifikimin dhe inventarizimin e sendeve të luajtshme dhe paisjeve të kërkuesit Shoqërisë ‘Fokus Media News’ dhe sipas rastit t’i vendosë në ruajtje apo të lejojë kërkuesit t’i tërheqin”, u shpreh gjykata.
Më tej gjykata nuk i ka marrë parasysh pretendimet e palëve për kontratat e qirasë, duke i konsideruar ato çështje që duhet të shqyrtohen në Gjykatën Administrative. Ndonëse nuk ka i gjykuar kërkesat e tjera të padisë në vendimin e gjykatës është vlerësuar rëndësia e ndarjes së interesit privat të shoqërive mediatike nga cenimi i gazetarëve dhe kufizimi i punës së tyre për shkak të mosmarrëveshjeve që këto shoqëri kanë me shtetin.
“Në këtë drejtim, gjykata e konsideron ndërhyrjen dhe kufizimin e gazetarëve dhe të drejtave të tyre jo në proporcion me gjendjen që pas solli këtë kufizim dhe nevojën për të ndërhyrë,” shkruhej në vendim.
Ndërtesat e “Focus Media News” dhe “Panorama Group” – që përfshijnë mediat Balkanweb, Televizionin News 24, Televizionin dhe Gazetën Panorama, Panorama Sport, Gazetën Shqiptare dhe Radion RASH”, u bllokuan mëngjesin e 9 gushtit nga policia, ndërsa u ndërpreu furnizimin me energji elektrike dhe u ndalua hyrja e gazetarëve, e cila solli edhe ndërprerjen transmetimit të Televizionit News 24, në orën 07:36.
Ndërsa të hënën kamionë të ushtrisë u filmuan duke ngarkuar mobilje dhe pajisje nga ambientet e redaksisë, përfshirë edhe kompjuterat e gazetarëve. Ndërhyrja është dënuar nga organizatat shqiptare dhe ndërkombëtare të lirisë së medias, të cilat kërkojnë shpjegime nga qeveria dhe heqjen e bllokadës ndaj mediave dhe gazetarëve.
Nga ana e saj kompania shtetërore e ngritur për prodhim armatimesh, “KAYO”, sipas shpjegimeve të dhëna para gjykatës, ka pohuar se pajisjet e marra nga godina e përdorur nga “Focus Media Neës” i kishte transferuar në Rezervat e Shtetit dhe se “ato mund të tërhiqeshin në çdo moment nga pronari i tyre”.
Me vendimin e dhënë nga Gjykata e Tiranës, Zyra e Përmbarimit Shtetëror brenda 24 orëve do të marri masa për identifikimin dhe inventarizimin e sendeve personale të gazetarëve dhe kthimin e tyre, ndërsa çështja e kontratave mes kompanisë mediatike dhe shoqërisë “KAYO” duket se do të adresohet në Gjykatën Administrative.