Gjykata Kushtetuese rrëzon Presidencën për zgjedhjet e parakohshme në Tiranë
Në seancën për shqyrtimin e zgjedhjeve të parakohshme në Tiranë, Gjykata Kushtetuese rrëzoi me 9 vota kërkesën e Presidencës për anulimin e vendimit të mëparshëm të saj, që kishte pezulluar dekretin e presidentit Bajram Begaj për shpalljen e zgjedhjeve në kryeqytet dhe çështja do të trajtohet në vijim në themel.
 
            Foto ilustruese nga ndërtesa ku gjendet edhe Gjykata Kushtetuese. Foto: Media Amfora
Në kryeqytet nuk do të ketë zgjedhje deri në momentin kur Gjykata Kushtetuese të vendosi për kushtetutshmërinë e dekretit presidencial për zgjedhje të reja, i cili do të mbetet i pezulluar deri në shqyrtimin e çështjes në themel.
Ky vendim i Gjykatës Kushtetuse i hapi rrugën kryebashkiakut Erion Veliaj që megjithëse në pritje të vlerësimit të akuzave në qelitë e paraburgimit të Durrësit, të vijojë të mbetet në detyrë derisa gjykata të shprehet përfundimisht.
Kjo është hera e parë që kryetari i pezulluar i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, është shfaqur në publik që pas arrestimit të tij më 10 shkurt të këtij viti.
“Saga Veliaj” nisi në fillim të këtij viti, kur Gjykata e Posaçme për Korrupsionin vendosi masën e arrestit ndaj kryebashkiakut nën akuzat për korrupsion pasiv dhe fshehje pasurie.
Pas arrestimit, mungesa e tij në mbledhjet e Këshillit Bashkiak solli ndërhyrjen e Këshillit të Ministrave, i cili kërkoi shkarkimin e tij. Vendimi u miratua nga Këshilli Bashkiak dhe iu përcoll për dekretim Presidentit Begaj, që dekretoi datën 9 nëntor 2025 për zhvillimin e zgjedhjeve të pjesshme vendore në Tiranë dhe në pesë bashki të tjera të vendit.
Por ky dekret u kundërshtua nga ekipi ligjor i Veliajt, me argumentin se shkarkimi i tij nuk kishte hyrë në fuqi, pasi neni 115 i Kushtetutës parashikon që një vendim i tillë pezullohet automatikisht nëse ankimohet në Gjykatën Kushtetuese.
Për pasojë, Gjykata Kushtetuese pezulloi përkohësisht dekretin presidencial, duke shtyrë zgjedhjet e planifikuara më 9 nëntor në Tiranë, ndërsa proceset në pesë bashkitë e tjera vijojnë normalisht.
Ndërkohë përballja ligjore do të vijojë me shqyrtimin në themel të kushtetutshmërisë së dekretit presidencial për shpalljen e zgjedhjeve në Tiranë.
 
        
 
     
     
    