Gjykata Kushtetuese pezullon zgjedhjet, rikthen Veliajn në krye të bashkisë

Gjykata Kushtetuese ka pezulluar procesin zgjedhor në Bashkinë e Tiranës, duke rrëzuar dekretin e Presidentit Begaj dhe vendimin e qeverisë për zgjedhje të reja. Ajo vendosi se shkarkimi i Veliajt ishte në shkelje të Kushtetutës, duke e rikthyer atë në detyrë.

Foto ilustruese nga ndërtesa ku gjendet edhe Gjykata Kushtetuese. Foto: Media Amfora

Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar sot vendimin e qeverisë për shpalljen e zgjedhjeve në Bashkinë e Tiranës, duke i dhënë fund përkohësisht garës për kreun e kryeqytetit dhe duke e rikthyer Erion Veliajn në detyrë si kryetar bashkie.

Vendimi i marrë me shumicë votash, 5 “pro” me 3 prej gjyqtarëve “kundër”, shpalli të pavlefshëm dekretin e presidentit Bajram Begaj për zgjedhjet lokale në Tiranë, duke argumentuar se procedurat nuk respektuan parimet e Kushtetutës mbi mandatet dhe vijimësinë e pushtetit vendor.

Sipas gjykatës ndërhyrja e qeverisë dhe shpallja e zgjedhjeve pa një bazë të plotë ligjore do të cenonte parimin e stabilitetit institucional në nivel lokal.

Sipas gjykatës shkarkimi i Veliajt mund të bëhet vetëm në bazë të nenit 115 të Kushtetutës, që nënkupton shkelje të rënda të saj. Ajo ka vlerësuar se Këshilli Bashkiak dhe Qeveria kanë vepruar në shkelje të Kushtetutës kur e kanë shkarkuar Veliajn me argumentin se nuk u paraqit 3 muaj rresht në detyrë, duke iu referuar nenit 62, germa c të ligjit për vetëqeverisjen vendore.

Ky vendim konsiderohet si një kthesë e fortë në arenën politike, duke rikthyer në lojë Veliajn pas muajsh tensioni dhe pasigurie për fatin e tij në krye të bashkisë.  

Vendimi i gjykatës pezullon çdo proces zgjedhor të nisur dhe i hap rrugë një rishikimi të plotë të mënyrës se si shpallen zgjedhjet për njësitë vendore në raste të ngjashme. Teksa ky vlerësohet si një test për pavarësinë e institucioneve dhe si sinjal i një balancimi të ri të pushtetit ndërmjet qeverisë qendrore dhe asaj vendore.