Gjendet i pajetë punonjësi i komunales, humbi kontaktet ditën e përmbytjes
Një punonjës i komunales në Durrës u gjet i pajetë, pasi kishte humbur kontaktet me familjen një ditë më parë, gjatë përmbytjeve që përfshinë qytetin. Autoritetet dyshojnë se ai është marrë nga rrjedha e ujit dhe po hetojnë rrethanat e ngjarjes.
Zonë e përmbytur nga reshjet në Durrës mbrëmjen e 6 Janarit. Foto: Media Amfora
Punonjësi i Ndërmarrjes Komunale në Durrës, Astrit Hysenaj, u gjet i pajetë të mërkurën, pasi kishte humbur kontaktet me familjen një ditë më parë, gjatë përmbytjeve që përfshinë qytetin bregdetar.
“Pas kërkimeve të kryera nga shërbimet e Policisë dhe nga polumbarët e RENEA-s, u gjet trupi i pajetë i 54-vjeçarit në një kanal kullues, në afërsi të ish-repartit ushtarak. Paraprakisht dyshohet se shtetasi është marrë nga rrjedha e ujit”, njoftoi Policia e Shtetit për mediat.
Sipas Policisë, burri më 6 janar, ditën kur i gjithë qyteti u përfshi nga shiu, ka humbur kontaktet me familjen, pasi ishte nisur si zakonisht për në punë.
“Familjarët kanë kontaktuar përgjegjësin e Ndërmarrjes Komunale Plazh për të marrë informacion, pasi ai nuk ishte kthyer në shtëpi, ndërsa përgjegjësi i ka informuar se punonjësi ishte larguar nga puna rreth orës 10:30”, bëri me dije Policia.
Burime zyrtare nga Policia e Durrësit thanë për Amforën se viktima ishte e veshur me uniformën e punës në momentin e largimit, ndërsa hetimet vijojnë për të sqaruar rrethanat e rastit.
Ndërkohë, sipas të dhënave të bëra publike nga Bashkia Durrës, Astrit Hysenaj ishte paraqitur në punë mëngjesin e 6 janarit dhe ishte larguar nga ambientet e Ndërmarrjes Komunale Plazh në orët e paradites, përpara se familjarët të humbnin kontaktet me të. Sipas bashkisë, familjarët kanë kërkuar informacion për mungesën e tij disa orë më vonë, çka solli më pas njoftimin e Policisë së Shtetit.
Autoritetet po hetojnë rrethanat e ngjarjes, ndërsa mbetet e paqartë nëse burri humbi jetën gjatë kryerjes së detyrës, në një ditë kur Ndërmarrja Komunale ishte angazhuar në shërbim gjatë përmbytjeve që përfshinë qytetin.