Fushatë shpifjesh kundër organizatave të medias dhe ekspertëve të pavarur në Shqipëri
Në Shqipëri u regjistrua një fushatë shpifjesh përmes sulmeve në dukje të koordinuara ndaj Këshillit Shqiptar të Medias (KSHM) dhe Qendrës për Shkencë dhe Inovacion për Zhvillim (SCiDEV) dhe drejtueses së saj, Blerjana Bino. Organizatat ndërkombëtare i cilësuan sulmet si minuese të lirisë së medias dhe apeluan për ndalimin e tyre.
Në Shqipëri u regjistruan një seri sulmesh në internet në dukje të koordinuara ndaj Këshillit Shqiptar të Medias (KSHM) dhe Qendrës për Shkencë dhe Inovacion për Zhvillim (SCiDEV) dhe mbi drejtuesen e saj, Blerjana Bino, të dyja këto organizata jo-qeveritare dhe të pavarura.
Sulmet për Qendrën SCiDEV dhe drejtuesen e saj erdhën si përgjigje ndaj publikimit më herët të një raporti hije mbi lirinë e medias në Shqipëri, kushtuar lirisë dhe pluralizmit të medias, për të ofruar një analizë të përditësuar të peizazhit mediatik shqiptar, duke përfshirë sfidat e mbetura dhe ato në zhvillim.
Ato erdhën përmes publikimit të artikujve në internet dhe u cilësuan si tentativa për të diskredituar gazetarinë etike, për të minuar punën e organizatave dhe studiuesve të pavarur në mbrojtjen e lirisë së medias dhe sigurisë së gazetarëve në Shqipëri.
“…janë thellësisht shqetësuese dhe përfaqësojnë një prirje më të gjerë të frikësimit dhe armiqësisë ndaj shoqërisë së pavarur civile në Shqipëri”, reagoi paraditen e 8 tetorit “Rrjeti i SafeJournalists”, në koordinim me organizatat e medias në Ballkan, Evropë dhe të tjera organizata ndërkombëtare.
“Më 6 tetor, Prapaskena.com përshkallëzoi sulmet duke synuar Blerjana Binon, një studiuese e SafeJournalists dhe drejtore ekzekutive e SCiDEV, së bashku me grupet e pavarura të mendimit SCiDEV dhe OBCT”, njoftoi “Rrjeti i SafeJournalists”, duke bërë apel që kjo fushatë të ndalojë menjëherë.
Bino njihet për kontrubutin e saj si raportuese dhe mbështetëse e lirisë së shprehjes dhe gazetarëve në Shqipëri dhe Ballkan dhe u përball me artikujt që i vendosnin etiketime jo etike dhe përdorën foton e saj si ilustrim. Raporti i titulluar “Liria e mediave në Shqipëri Raporti Hije 2024”, publikohet si çdo vit nga Qendra për Shkencë dhe Inovacion për Zhvillim dhe “Osservatorio Balkani Caucaso Transeuropa”.
Ky sulm u përqendrua gjithashtu tek Këshilli Shqiptar i Medias, i drejtuar nga Koloreto Cukali, duke përdorur gjithashtu etiketime jo etike dhe të pabazuara në fakte.
“Sulmi fillestar, i nisur nga Sot.com.al, pasoi një vendim të Bordit të Etikës të KSHM-së në lidhje me një ankesë të depozituar kundër Medias Sot”, sqaroi “Rrjeti i SafeJournalists”.
“Në atë që dukej si një veprim hakmarrës, Sot.com.al e cilësoi vendimin e KSHM-së si shkelje të lirisë së shtypit, duke e portretizuar mbikëqyrjen e Bordit si shtypëse dhe të padrejtë…Njëkohësisht, Prapaskena.com nisi sulmin e saj, pak pasi KSHM lëshoi një deklaratë publike ku kundërshtonte mbylljen e platformave online në Shqipëri”, shtoi deklarata e “Rrjeti i SafeJournalists”.
Një rrjet organizatash i kanë cilësuar këto publikime si taktika që dëmtojnë jo vetëm individët dhe organizatat e përfshira, por edhe parimet thelbësore të lirisë së shtypit, transparencës dhe llogaridhënies.
Asosacioni i Gazetarëve Shqiptarë (AGSH), u shpreh i shqetësuar për këto sulme “të paprecedenta” mediatike ndaj organizatave të medias në vend.
“Mbrojtësit e gazetarëve dhe mediave përballen vazhdimisht me sulme dhe intimidime nga një sërë aktorësh dhe është tërësisht e papranueshme që ato të përballen edhe me sulme nga vetë mediat”, vuri në pah në reagim Asosacioni i Gazetarëve Shqiptarë.
Federata Evropiane e Gazetarëve (FEG) gjithashtu dënoi nëpërmjet një reagimi rastin dhe vlerësoi punën e bërë nga Blerjana Bino në Shqipëri, për mbrojtjen e punonjësve të medias dhe denoncimet e rasteve të prekjes së të drejtave të tyre.
“Prej vitesh Bino ka dokumentuar shkeljet e lirisë së shtypit në Ballkan me objektivitet të lartë”, shkroi Ricardo Gutierrez, nga Federata Evropiane e Gazetarëve.
Këshilli Shqiptar i Medias shpërndau një deklaratë të gjerë, duke sqaruar pozicionin e tij në raport me këto pretendime dhe po ashtu Qendra për Shkencë dhe Inovacion për Zhvillim, në shpërndau në qëndrim ku paraqiste faktet e saj.
Rrjeti i Gazetarëve të Sigurt dokumentoi se në Shqipëri vetëm në vitin 2023, numërohen 24 raste të sulmeve kundër gazetarëve dhe profesionistëve të medias, 9 prej të cilave ishin sulme të drejtpërdrejta ndaj disa gazetarëve apo grupeve të profesionistëve të mediave.
Media Amfora ka raportuar më herët se si një sërë çështjesh hetimore për punonjësit e medias ishin pushuar nga gjykatat ose ishin pezulluar nga prokuroria, pa u thelluar për gjetjen e autorëve apo të porositësve.