Fotografia abstrakte prezantohet në Durrës nëpërmjet artit të Fabrizio Loiacono
Fotografi italian Fabrizio Loiacono hapi në Durrës ekspozitën e tij të parë në Shqipëri, titulluar ‘Glance off it, Rrëshqitje, me 16 fotografi abstrakte. Ekspozita do të qëndrojë e hapur nga 5 deri më 28 shtator.

Gjatë ceremonisë së hapjes së ekspozitës. Foto: Media Amfora
Mbrëmjen e së premtes, Hamami mesjetar i Durrësit u mbush me artdashës, drejtues institucionesh të artit dhe kulturës, fotografë dhe miq të Fabrizio Loiaconos, të cilët morën pjesë në hapjen e ekspozitës së tij fotografike.
“Që në moshën 18-vjeçare Fabrizio Loiacono krijoi dhomën e errët për zhvillimin e fotografive bardhë e zi, duke iu përkushtuar artit të imazhit që në adoleshencë”, u shpreh Gëzim Kabashi, gazetar nga Durrësi në fjalën e tij për autorin gjatë përurimit të ekspozitës.
Në dy dekadat e fundit, Loiacono ka hapur dhjetëra ekspozita personale në Itali dhe jashtë saj, duke u vlerësuar me çmime prestigjioze kombëtare e ndërkombëtare, mes tyre ‘Gulielmo Marconi’, ‘Mjeshtrat e Pekinit’, çmimin e parë ndërkombëtar ‘Arti në Palermo’, si dhe vlerësime në Koleksionin ‘Sgarbi’, Bienalen e Flanders në Bruzhe dhe në Spoleto me çmimin ‘Vittorio Sgarbi”.
I apasionuar fort pas imazhit ai fillon veprimtarinë e reportazheve jashtë vendit në vitin 2008, duke eksploruar fshatrat e thellë të Afrikës, në Amerikën e jugut, ose ato indiane, me qëllim dokumentimin e jetës, kulturës, traditës dhe riteve të popujve indigjenë, ndërkohë boton librin me titullin “Etiopia, peshtafi i Afrikës”.
“Fabrizio Loiacono kërkon personalisht “gjurmët urbane”, në kontekstin urban të Romës, qytetin ku ka lindur. Ai qëmton aspekte më pak të njohura dhe shpesh autentike të peisazhit, apo qoshe dhe perspektiva me vështrim inovativ”, tha Kabashi gjatë moderimit të aktivitetit.
Një fill krijues e veçon autorin, për dokumentimin e cfilitjes së grave në tokat e Afrikës, në Amerikën e Jugut dhe në Azi, apo brenda tregjeve në pazare ato bëjnë punët e tyre të vështira.
Loiacono u njoh kështu me kulturën lokale, duke hyrë në një kaleidiskop ngjyrash, aromash dhe tingujsh që riprodhojnë shpirtin e një populli. Kështu lindi prej tij projekti “Arti i Kuzhinës” me trashëgiminë e recetave gastronomike, që nga kohët e Romës antike. Ky studim u pasua si ekspozitë fotografike personale në hapësirën muzeale më të madhe Macro në qendër të Romës.
Fabrizio Loiacono ka përfunduar një tjetër eksperiment artistik, duke eksploruar dhe dëshmuar raportin që lidh popujt indigjenë me “Nënën Natyrë” që e ka titulluar “Ekuilibri harmonik”.
Një tjetër projekt me emrin “Buzëqeshja e të pafajshmëve” ka qenë një kërkim me dashje mjaft sociale dhe me një objektiv të rafinuar me fokus fytyrat e qeshura të njerëzve pa banesa apo të lypësve.
Por, duket se autori nuk ndalet. Për herë të parë në Shqipëri ai zgjedh Durrësin për ti prezantuar publikut ekspozitën “Glance off it”.
“Duke ndjekur instiktin dhe frymëzimin, i dhashë jetë një kërkimi personal që synon të tejkalojë kufijtë e imazhit fotografik të kuptuar si dëshmi, apo si regjistrim optik të realitetit të dukshëm, për të mbërritur te krijimi artistik, që është rezultat i përplasjes dhe takimit mes ndjeshmërisë sime dhe objektivitetit material të subjektit”, u shpreh autori në hapje të aktivitetit.

Portretet e autorit kanë subjekte të ndryshme, nga lëkura e një gjarpëri te veçantitë arkitektonike, nga hijet e projektuara te aspektet e natyrës, nga më të panjohurat e deri te më të rrallat.
“Gjeta imazhe, të cilat kur punoheshin me aplikimet e teknikave të post-produksionit si efekte speciale, filtra, solarizime, etj, mund të konsiderohen si eksperimente abstrakte, të cilat çlirojnë fuqinë ekspresive që ishin mbyllur më parë në ëndrrat e mija”, theksoi më tej autori.
Më pas pjesëmarrësit ndoqën nga afër ekspozitën me 16 fotografi abstrakte, ku ndërthuren mes tyre format, ngjyrat, fantazia edhe efektet speciale. Ata shijuan artin që bazohet në eksperimentimin, novatorizmin dhe krijimin që artisti e shprehë nëpërmjet stilit të tij të veçantë.

Fotografia Abstrakte mund të konsiderohet si pjesë e një sektori të artit të gjerë dhe tërheqës, që u mundëson artistëve të kalojnë përtej një riprodhimi të thjeshtë të realitetit të dukshëm, duke i inkurajuar ata të eksperimentojnë lirshëm me krijimin dhe të shprehin vizionet e tyre të brendshme.
Fotografia Abstrakte lindi në shekullin e XX duke kërkuar potencialin e imazhit pa i vënë “fre’ tekave të fotografit në kufijtë e realitetit fizik. Kjo gjini fotografike synon ekzaltimin e kompozimit, ngjyrave, formave dhe kontrasteve, pa u kufizuar në detajet specifike të subjektit.
Së fundi, manipulimi i imazhit realizohet përmes teknikave të post produksionit, me synim alternimin e aspektit origjinal të fotografisë së realizuar, e cila përdoret me synimin e krijimit të efekteve vizive origjinale dhe të paimagjinueshme. Një aspekt magjepsës i Fotografisë Abstrakte vlen në faktin që i njejti imazh mund të lexohet dhe interpretohet në mënyra të ndryshme, nga persona të ndryshëm.
Disa nga emrat e fotografëve të mëdhenj, të cilët kanë kontribuar për të hapur shtigje të reja të fotografisë eksperimentale janë Aaron Siskind, Paul Strand, Alfred Stieglitz, Jessica Eaton, Eileen Quinlan, Gotfried Jager.