Forumi publik për TID Durrës: Alarm për transparencën dhe trashëgiminë kulturore 

Forumi publik i organizuar nga Qendra Amfora solli në një tryezë ekspertë, aktivistë dhe banorë të zonës historike të Durrësit, të cilët ngritën shqetësime mbi transparencën e projektit, ndikimin urban dhe pasojat sociale për komunitetin lokal. Diskutimet u përqendruan te mungesa e konsultimeve të plota, rreziku për trashëgiminë kulturore dhe nevoja për përfshirje reale të qytetarëve në proceset vendimmarrëse.

Në Durrës, gjatë forumit publik të zhvilluar më 28 shkurt nga Qendra Amfora me pjesëmarrjen e ekspertëve të pavarur dhe komunitetin lokal, u paraqitën publikisht gjetjet dhe shqetësimet që lidhen me projektin TID Durrës, për shkak të ndikimit që ai pritet të ketë mbi zonën historike, jetën e banorëve dhe identitetin urban të qytetit.

“Dëgjesa u organizua për të krijuar një hapësirë informimi real për qytetarët dhe familjet e prekura”, tha Drejtuesi i Qendrës Amfora, Geri Emiri. Ai theksoi se përballë tensioneve mes banorëve dhe institucioneve, ishte e domosdoshme që ekspertiza e pavarur të shpjegonte efektet konkrete të projektit dhe që rekomandimet e forumit t’u adresohen autoriteteve përgjegjëse, pasi ndërhyrjet në zonën historike do të lënë një ndikim afatgjatë mbi qytetin.

Dimensioni teknik i debatit u hap nga urbanisti dhe planifikuesi Dr. Artan Kacani, i cili ngriti shqetësime mbi mënyrën si po zhvillohet planifikimi urban në territorin arkeologjik të Durrësit. Sipas tij, procesi i ndërhyrjeve po ecën pa bazën shkencore dhe institucionale që duhet të paraprijë çdo transformim urban në një zonë me ndjeshmëri historike.

Kacani theksoi se në zonën arkeologjike nuk është parashikuar fond për studime metodologjike arkeologjike, duke e konsideruar këtë një problem themelor të projektit. “Nuk mund të flasim për transformim urban kur mungon baza shkencore që duhet të paraprijë çdo ndërhyrje” u shpreh ai, duke shtuar se mungesa e arkeologëve në proceset vendimmarrëse përbën një shkelje serioze profesionale.

Kacani argumentoi se lagjja e Kalasë nuk mund të trajtohet si territor zhvillimi i lirë urban, pasi përfaqëson një vendbanim me vijimësi historike ndër shekuj. “Lagjja e Kalasë nuk është një territor bosh zhvillimi. Pikërisht vazhdimësia e saj historike është vlera reale e trashëgimisë së Durrësit”, tha Kacani.

Sipas tij, dokumentet ekzistuese të planifikimit tregojnë mospërputhje në përcaktimin e zonave strukturore të zhvillimit dhe mungesë qartësie urbanistike, duke krijuar pasiguri për qytetin dhe komunitetin. Ai theksoi se aktualisht ekzistojnë kryesisht harta ndërhyrjesh dhe prishjesh, por jo një masterplan të detajuar që të shpjegojë vizionin e zhvillimit dhe përfitimet publike.

“Një projekt i këtij dimensioni nuk mund të nisë pa një masterplan të plotë urban”, deklaroi ai, duke shtuar se planifikimi duhet të mbështetet mbi ruajtjen e vendbanimit historik brenda mureve të qytetit. “Ruajtja e vazhdimësisë urbane është kriteri kryesor për vlerësimin e trashëgimisë kulturore.”

Në përfundim të analizës së tij, Kacani paralajmëroi se transformimi i një zone arkeologjike pa studime të plota dhe pa përfshirjen e specialistëve krijon rrezik real për humbje të pakthyeshme të vlerave historike të qytetit.

Në vijim të analizës teknike, arkitekte-urbanistja Entela Koja, e zhvendosi debatin në dimensionin ligjor dhe institucional të projektit, duke argumentuar se problematika e TID Durrës nuk lidhet vetëm me ndërhyrjet fizike, por me mënyrën se si është ndërtuar i gjithë procesi i planifikimit dhe vendimmarrjes.

Koja theksoi se ndërhyrjet në një zonë me status të mbrojtur duhet të nisin nga respektimi i plotë i kuadrit ligjor që rregullon trashëgiminë kulturore, planifikimin e territorit dhe studimet mjedisore. Sipas saj, këto ligje parashikojnë konsultime publike të strukturuara, transparencë dokumentare dhe përfshirje reale të komunitetit që në fazat e para të projektit.

“Ligji për trashëgiminë kulturore e nis procesin me komunitetin dhe me objektin konkret që preket. Çdo ndërhyrje duhet të mbështetet mbi dokumentim të plotë dhe procedura të qarta konsultimi”,  u shpreh ajo, duke shtuar se sipas analizës së bërë nga ekspertët dhe banorët, këto mekanizma janë anashkaluar gjatë zhvillimit të projektit.

Koja ngriti gjithashtu shqetësime mbi mënyrën e ushtrimit të kompetencave institucionale, duke argumentuar se disa vendime për prishje dhe shpronësime janë ndërmarrë në një konfigurim institucional të paqartë. Sipas saj, planifikimi urban duhet të garantojë siguri juridike për qytetarët dhe trajtim të barabartë të pronarëve, ndërsa mungesa e transparencës krijon konflikt mes komunitetit dhe institucioneve.

Ajo solli në vëmendje edhe rastet e ndërhyrjeve në zona të banuara ku, sipas banorëve, janë planifikuar shembje banesash pa projekt të qartë urban dhe pa shpjegim të destinacionit final të hapësirave publike. “Planifikimi urban nuk është vetëm projektim hapësire, por përgjegjësi sociale ndaj komunitetit që jeton aty”, theksoi Koja.

Sipas saj, projektet e rigjenerimit urban në qytete historike duhet të balancojnë zhvillimin ekonomik me ruajtjen e identitetit urban dhe social, pasi në të kundërt rrezikohet zhvendosja e komunitetit dhe humbja e vazhdimësisë historike të lagjeve tradicionale të qytetit.

 Pjesa më e gjatë e forumit iu kushtua ndërhyrjeve të qytetarëve dhe banorëve të zonës së prekur, të cilët sollën raste konkrete që lidhen me pronën, jetesën dhe të ardhmen e komunitetit në qendrën historike të Durrësit.

Pjesëmarrësit gjatë forumit të organizuar për projektin TID Durrës. Foto: Media Amfora

Banorë të lagjes nr. 3 ngritën shqetësime për prishjen e planifikuar të banesave pa një projekt të qartë urban dhe pa transparencë mbi destinacionin përfundimtar të hapësirave që do të krijohen. Sipas tyre, ndërhyrjet po zhvillohen në mungesë informacioni të plotë për familjet e prekura dhe për mënyrën se si do të trajtohen pronat ekzistuese.

Banori Ilirjan Vrapi deklaroi se “ndërhyrjet pranë murit bizantin dhe ndërtimet e reja në zonë po vendosin në rrezik banesat historike dhe stabilitetin e komunitetit lokal”. 

Gjatë diskutimit, qytetarë të tjerë ngritën dyshime mbi procesin e konsultimeve publike të zhvilluara në vitin 2021, duke argumentuar se komuniteti nuk është përfshirë realisht në vendimmarrje, pavarësisht referimeve institucionale për konsultime të kryera.

Në ndërhyrjet e tyre, disa banorë theksuan se zhvillimi urban nuk duhet të realizohet në kurriz të komunitetit ekzistues, duke shprehur qëndrimin se nuk janë kundër zhvillimit të qytetit, por kërkojnë garanci për ruajtjen e pronës, jetesës dhe identitetit historik të lagjeve ku kanë jetuar prej brezash.

Debati mbi projektin u zgjerua më tej nga arkitektja dhe aktivistja për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore Doriana Musai, e cila e vendosi situatën e Durrësit në një kontekst më të gjerë të transformimeve urbane në Shqipëri.

Musai theksoi se konfliktet mes komunitetit dhe projekteve të mëdha urbane shpesh krijohen përmes një narrative që i paraqet banorët si pengesë për zhvillimin. “Banorët nuk janë kundër zhvillimit. Ky është një kurth narrativ që përdoret shpesh për t’i etiketuar qytetarët si bllokues të progresit”,  u shpreh ajo.

Sipas saj, mbrojtja e banesës dhe e trashëgimisë nuk është kundërshtim ndaj zhvillimit, por një e drejtë themelore qytetare. “Detyra juaj nuk është të mbroni zhvillimin, por shtëpinë tuaj. Në rastin e Durrësit, shtëpia juaj është edhe trashëgimia e qytetit”, deklaroi Musai, duke theksuar se monumentet historike nuk kanë vlerë pa memorien sociale që i rrethon.

Ajo paralajmëroi se trashëgimia kulturore rrezikon të përdoret si instrument spekulimi urban, duke sjellë shembuj nga ndërhyrje të mëparshme në Shqipëri ku projektet e zhvillimit kanë prodhuar konflikte të forta sociale. Sipas Musait, humbja e trashëgimisë nuk është vetëm humbje fizike, por ndërprerje e marrëdhënies mes brezave dhe identitetit urban të qytetit.

Nga ana e organizatave lokale, Abdulla Deliallisi, përfaqësues i Shoqatës “Durrësi Autokton”, sqaroi publikisht qëndrimin e organizatës përballë pretendimeve se ajo kishte mbështetur projektin TID Durrës, duke theksuar se kundërshtimi ndaj mënyrës së hartimit të projektit është shprehur që në fazat e para të tij.

Sipas Deliallisit shoqata ka qenë vazhdimisht në mbështetje të komunitetit dhe ka kundërshtuar jo vetëm përmbajtjen e projektit, por edhe mënyrën e ndërtimit të procesit vendimmarrës. “Kur bëhet një projekt, duhet të vish fillimisht me komunitetin, të diskutosh idetë dhe të marrësh mendimin e banorëve. Nuk mund të paraqitet një projekt i vendosur paraprakisht dhe më pas të kërkohet miratim formal”,  u shpreh ai.

Ai theksoi se Shoqata “Durrësi Autokton” nuk ka qenë asnjëherë palë mbështetëse e projektit, duke kundërshtuar publikisht pretendimet e bëra në këtë drejtim. Sipas tij, që në takimet e para me institucionet përgjegjëse organizata ka ngritur shqetësime për mungesën e transparencës dhe konsultimeve reale me komunitetin.

Deliallisi bëri me dije se më 2 tetor 2025 shoqata i është drejtuar zyrtarisht Kuvendit të Shqipërisë, Ambasadës Amerikane dhe Delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë me një kërkesë për ndërhyrje institucionale lidhur me prishjet e planifikuara në zonën e Amfiteatrit dhe Bulevardit Epidamn. Në këtë shkresë është kërkuar transparencë mbi bazën ligjore të projektit, kontroll parlamentar mbi vendimmarrjen dhe pezullim i menjëhershëm i prishjeve deri në arritjen e një zgjidhjeje të drejtë dhe të pranueshme për komunitetin.

Ai theksoi se projekti është prezantuar publikisht si rivitalizim dhe restaurim urban, ndërsa sipas organizatës ndërhyrjet e propozuara përfshijnë edhe prishje banesash, çka sipas tij bie në kundërshtim me parimet e mbrojtjes së trashëgimisë. “Amfiteatri duhet të ruhet dhe të vazhdojnë gërmimet, por jo të prishen banesat që tregojnë historinë e zhvillimit urban të qytetit”, deklaroi Deliallisi, duke shtuar se shtresëzimi historik përreth monumentit përbën një pjesë të pandashme të memories së Durrësit.

Pjesëmarrësit në forumin për projektin TID. Foto: Media Amfora

Projekti TID Durrës është një ndërhyrje urbane që synon rigjallërimin e qendrës historike dhe zonës arkeologjike të qytetit përmes restaurimit të trashëgimisë kulturore dhe zhvillimit turistik. Projekti zbatohet nga Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës dhe Bashkinë Durrës dhe parashikon ndërhyrje në zonën përreth Amfiteatrit dhe bulevardit “Epidamn”. Banorët e kundërshtojnë projektin për shkak të shqetësimeve mbi shpronësimet, prishjen e banesave historike dhe mungesën e konsultimeve reale publike.

Banorët kanë zhvilluar protesta të vazhdueshme, përfshirë tubime para Parlamentit të Shqipërisë dhe para zyrave të Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim, duke kërkuar transparencë dhe pezullim të prishjeve. Kundërshtimet u intensifikuan edhe pas vizitës së Kryeministrit Edi Rama në Durrës në 14 shkurt ku banorët reaguan publikisht duke kërkuar dialog të drejtpërdrejtë dhe rishikim të projektit. Qytetarët kanë dorëzuar ankesa institucionale, kërkesa zyrtare dhe reagime publike, duke e kthyer projektin TID Durrës në një nga debatet më të forta urbane dhe qytetare në vend.

Në përfundim të forumit, Qendra Amfora njoftoi se do të hartojë një dokument përmbledhës me konkluzionet dhe rekomandimet e dëgjesës publike, i cili do t’u përcillet institucioneve vendore dhe qendrore, si dhe Albanian-American Development Foundation (AADF), me synimin që shqetësimet e ngritura nga ekspertët dhe qytetarët të trajtohen në mënyrë transparente dhe të përgjegjshme.