Flamur rus, naftë venezueliane: SHBA ndalon cisternën në Atlantikun e Veriut

Autoritetet amerikane kanë sekuestruar një cisternë nafte të lidhur me Venezuelën në Atlantikun e Veriut, e dyshuar për shkelje të sanksioneve ndërkombëtare. Ndërsa SHBA e cilëson operacionin si zbatim të ligjit, Moska e ka kritikuar veprimin si shkelje të së drejtës ndërkombëtare, ndërsa nga Karakasi mungon ende një reagim zyrtar.

Autoritetet amerikane kanë konfiskuar në Atlantikun e Veriut një cisternë nafte të lidhur me Venezuelën, e cila dyshohet se po transportonte naftë në shkelje të sanksioneve ndërkombëtare.

Anija ishte riemërtuar dhe lundronte nën flamur rus, ndërsa u ndalua pas një ndjekjeje që kishte zgjatur disa javë.

Sipas autoriteteve amerikane, cisterna dyshohet se ishte përdorur për të shmangur sanksionet ndaj eksportit të naftës venezuelase, përmes ndryshimit të identitetit dhe regjistrimit.

Operacioni u zhvillua në ujëra ndërkombëtare pranë Islandës dhe anija është tashmë nën kontrollin e Rojës Bregdetare të SHBA-së.

Nga Moska, konfiskimi është kritikuar dhe cilësuar si shkelje e së drejtës ndërkombëtare, ndërsa autoritetet ruse kanë kërkuar sqarime zyrtare. Deri tani nuk ka një reagim publik nga qeveria e Venezuelës.

Konfiskimi vjen në një kohë kur Shtetet e Bashkuara arrestuan, përmes një operacioni ushtarak surprizë, diktatorin e Venezuelës, Nicolas Maduro, dhe bashkëshorten e tij, Cilia Flores, për t’i përballur me drejtësinë amerikane.

E gjitha në kuadër të Doktrinës Monroe, një strategji gjeopolitike amerikane sipas së cilës SHBA dominon Hemisferën Perëndimore dhe e mban atë të sigurt nga ndikimet e huaja.