Festë Deti 2025, vlerësoi me titullin “Mirënjohja e qytetit” 3 figura të detarisë së Durrësit
Festa e Detit, një aktivitet simbolik i trashëgimisë detare të Durrësit zhvilloi edicionin tradicional dhe në prag të 25 Qershorit – Ditës së Marinarit, vlerësoi me tituj nderi tre figura të detarisë durrsake.

Gjatë aktivitetit të Festës së Detit 2025. Foto: Media Amfora
Festa e Detit 2025, organizuar të martën nga Shoqata “Durrësi Autokton”, solli një aktivitet të veçantë në kuadër të edicionit të saj tradicional dhe në prag të 25 Qershorit – Ditës së Marinarit.
Festa e Detit, e kthyer tashmë në një traditë në qytetin bregdetar është ditë që i kushtohet detit, kujtesës kolektive dhe identitetit historik të qytetit bregdetar, ndërsa bëri bashkë në disa aktivitete qytetarë dhe vizitorë të shumtë.
U nderuan tre figura të shquara të detarisë durrsake, kapiten Hamdi Domi, kapiten Halim Milaqi, dhe Dashamir Janina. Për ta u akordua nga shoqata “Durrësi Autokton” çmimi “Mirënjohja e Qytetit të Durrësit” me motivacionin për “kontributin e tyre në profesionin e detarit dhe gjurmët që kanë lënë me historinë e shkruar të flotës detare shqiptare” .
Në një atmosferë festive u paraqitën për jetën dhe kontributin e figurave të detarisë u shfaqën dokumentarë të shkurtër të realizuat nga Astrit Tahiri
Mbrëmja festive nisi më herët sipas traditës me lundrimin në bregdet. Qytetarë dhe turistë u bënë pjesë e një lundrimi përgjatë bregdetit të Durrësit, me rimorkiatorin “Epidamn” e mundësuar nga Bujar Hoti.
Gjatë udhëtimit, pjesëmarrësit shijuan muzikë në bord dhe u njohën më nga afër me historinë dhe bukuritë natyrore të gjirit të Durrësit, ku ky lundrim solli promovimin e turizmit lokal.
Pas lundrimit, aktivitetet vijuan me një ceremoni festive ku u interpretuan këngë dhe valle tradicionale nga këngëtarët Dhimitër Stefa, Luljeta Strefi, Violeta Beshiri dhe grupi i baletit të studios së Arian Plakut.