Ndotja në Elbasan, në pranga drejtues kompanish për shkelje të rënda mjedisore
Policia arrestoi 16 persona dhe shpalli në kërkim 8 të tjerë, të përfshirë në ndotje mjedisore në zonën e ish-Metalurgjikut. Dy kompani që përpunonin mbetje metalike janë pezulluar për shkelje të ligjit mbi menaxhimin e mbetjeve dhe ndotjen e ajrit, ujërave dhe tokës.
Ndotja nga aktivitetet industriale në ish-Metalurgjik. Foto: “Screenshot” nga video e Policisë së Elbasanit.
Pas një hetimi disa mujor të zhvilluar nga Policia e Elbasanit në bashkëpunim me Prokurorinë, është finalizuar operacioni i koduar “Metalurgjiku”, që kishte si synim goditjen e veprimtarive të paligjshme që ndotin mjedisin në zonën e ish-Metalurgjikut, në Bradashesh.
“Procedohen penalisht 2 subjekte juridike, të cilat ushtronin aktivitet të paligjshëm në përpunimin e mbetjeve dhe prodhimin e ferrokromit, duke shkaktuar ndotje të mjedisit”, tha policia në një njoftim për shtyp të dielën.
Sipas policisë, në pranga janë vënë 16 shtetas (9 prej tyre të huaj), me role drejtuese, teknike dhe punonjës, ndërsa janë shpallur në kërkim 8 aksionerë.
Elbasani prej vitesh mbetet një nga pikat më të nxehta të debatit për ndotjen mjedisore në vend. Zona e ish-Metalurgjikut, dikur qendër industriale, është kthyer në një hapësirë problematike ku aktivitetet private të përpunimit të mbetjeve vijojnë të shkaktojnë ndotje të konsiderueshme, pavarësisht kontrolleve periodike dhe premtimeve për rehabilitim.
Rasti i operacionit “Metalurgjiku” tregon se ndotja industriale në qytet nuk është thjesht çështje teknike apo menaxheriale, por pjesë e një problematike më të gjerë që lidhet me mungesën e zbatimit të ligjit dhe tolerancën ndaj shkeljeve mjedisore.
Sipas të dhënave zyrtare, mes personave të arrestuar janë drejtues, inxhinierë dhe punonjës të kompanive që vepronin në zonën e ish-Metalurgjikut, përfshirë edhe shtetas të huaj nga Korea, India dhe Nepali. Ndër të ndaluarit është edhe shefi i Sektorit të Mjedisit në Bashkinë Elbasan, i akuzuar për shpërdorim detyre dhe falsifikim dokumentesh.
Në kërkim janë shpallur gjithashtu tetë aksionerë të kompanive të hetuara, të dyshuar për ndotje të ajrit, ujërave dhe tokës, fshehje të ardhurash, punësim të paligjshëm dhe pastrim të produkteve të veprimtarisë kriminale.
Nga hetimet intensive, si dhe inspektimet e kryera në bashkëpunim me Inspektoratin Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit, ka rezultuar se dy subjekte tregtare, të cilat ushtronin aktivitet në zonën e ish-Metalurgjikut, në Bradashesh kanë shkelur legjislacionin mjedisor, duke ndotur ajrin, ujërat dhe tokën, si dhe nuk kanë respektuar rregullat për menaxhimin e integruar të mbetjeve dhe përpunimin e mbetjeve të baterive.
Për shkeljet e konstatuara në menaxhimin e mbetjeve, autoritetet vendosën masa administrative ndaj dy kompanive që vepronin në zonën e ish-Metalurgjikut.
“Gjatë inspektimeve u vendosën 3 milionë lekë për njërin subjekt dhe 10 milionë lekë për tjetrin, ndërsa aktivitetet e të dy kompanive u pezulluan deri në përmbushjen e kërkesave ligjore”, thuhet në njoftimin e Policisë së Elbasanit.
Elbasani mbetet një nga qytetet më të ndotura të vendit, ku ndërhyrjet sporadike ndaj ndotësve industrialë nuk mjaftojnë për të frenuar një problem që po gërryen jetën dhe shpresën e komunitetit.