Evakuim banorësh në Sukth dhe Katund të Ri, PD i drejtohet SPAK
Përmbytjet në Durrës kanë detyruar autoritetet të urdhërojnë evakuimin e banorëve në zonat e Sukthit dhe Katundit të Ri, për shkak të rrezikut. Paralelisht, Partia Demokratike ka depozituar një kallëzim në SPAK, duke akuzuar qeverinë dhe pushtetin vendor për keqmenaxhim të situatës.
Lagjje e Durrësit e përmbytur mbrëmjen e 6 Janarit. Foto: Media Amfora
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile urdhëroi të enjten evakuimin e menjëhershëm të banorëve në njësitë administrative Sukth dhe Katund i Ri, në bashkinë e Durrësit, pas përmbytjeve të ditëve të fundit që kanë krijuar rrezik për jetën dhe shëndetin e qytetarëve.
“Si pasojë e situatës së krijuar nga përmbytjet dhe rrezikut të menjëhershëm për jetën dhe shëndetin e qytetarëve, do të kryhet evakuimi i menjëhershëm i banorëve të njësive administrative Sukth dhe Katund i Ri, në bashkinë e Durrësit”, njoftoi Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile, në një njoftim për mediat.
Autoritetet sqarojnë se procesi i evakuimit do të realizohet në bashkëpunim me strukturat vendore të emergjencave, ndërsa prioritet do t’u jepet kategorive më të rrezikuara dhe familjeve në zona të izoluara.
“Prioritet në procesin e evakuimit kanë fëmijët, të moshuarit, personat me aftësi të kufizuara dhe familjet në zona të izoluara, ndërsa transporti do të sigurohet nga mjetet e bashkisë, Shërbimi i Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi dhe Forcat e Armatosura”, bëri me dije njoftimi.
Përmbytjet e datës 6 janar kanë shkaktuar probleme të shumta në territorin e bashkisë së Durrësit, duke prekur disa zona urbane dhe rurale. Situata paraqitet veçanërisht problematike në Sukth dhe Katund të Ri, ku rritja e nivelit të ujërave ka shtuar rrezikun e daljes së lumit Erzen nga shtrati, duke kërcënuar banesa dhe toka bujqësore.
Situata në bashkinë e Durrësit vijon të mbetet problematike, ku qindra banesa kanë ende prezencë uji, ndërsa dëmet dhe pasojat e përmbytjeve janë të dukshme në rrugë, lagje dhe biznese. Në këtë kontekst, Partia Demokratike ka reaguar ndaj përmbytjeve, duke depozituar një kallëzim në SPAK kundër qeverisë dhe pushtetit vendor.
Në kallëzimin e depozituar në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), Partia Demokratike u përfaqësua nga anëtarja e Këshillit Kombëtar, Ilirjana Kuçana, e cila deklaroi se përmbytjet në Durrës dhe zonat përreth nuk janë pasojë e faktorëve natyrorë, por e keqmenaxhimit institucional.
“Përmbytjet që kanë prekur mijëra banorë në Durrës dhe zonat përreth nuk janë çështje e Zotit, por pasojë e drejtpërdrejtë e keqqeverisjes,” u shpreh Kuçana para mediave, duke kërkuar hetim dhe përgjegjësi nga institucionet përgjegjëse.
Në deklaratën e saj, Kuçana theksoi se situata në terren paraqitet e rënduar, duke përmendur dëme të mëdha ekonomike dhe pasojat psikologjike për familjet e prekura, si dhe i bëri thirrje SPAK-ut që ta trajtojë kallëzimin me seriozitet.
“Kjo nuk është një fatkeqësi natyrore, por pasojë e drejtpërdrejtë e keqmenaxhimit dhe mungesës së përgjegjësisë institucionale”, deklaroi Ilirjana Kuçana para mediave përpara SPAK.
Autoritetet nuk kanë reaguar ende lidhur me kallëzimin e depozituar në SPAK, ndërsa situata në zonat e prekura vijon të mbetet problematike.