Emmanuel Mounier: Personi vs. Individi
Në këtë rrugëtim të tij imagjinar, Mounier-i do të fillonte tregimin me një skenë të zakonshme: një individ që futet në një ndërtesë administrative, për të zgjidhur një çështje të thjeshtë. Aty ai shndërrohet, pa e kuptuar, nga “person” në “numër reference”. Një zyrtar i lodhur, i zhytur në protokolle, i sjell formularë, kërkon kodin, kërkon vërtetim, kërkon dëshmi. Askush nuk pyet si është, pse ka ardhur i shqetësuar, çfarë po kalon personi përballë. Riti i burokracisë zhvillohet sipas një liturgie të ftohtë që shuan çdo kujtesë njerëzore. Mounier-i do të shënonte se këtu fillon depersonalizimi i njeriut dhe marrëdhënia zëvendësohet nga funksioni.
Person që ecën në një qytet modern. Foto: Unsplash
Nëse sot Emmanuel Mounier (1905-1950) do të ecte përgjatë një qyteti modern, do të shihte fasada të larta xhami që shkëlqejnë si simbole të progresit, por pas tyre do të vërente heshtjen e një bote ku personi rrudhet, ku njeriu rri i humbur në labirintin e një mekanizmi të padukshëm që funksionon vetë, pa pyetur për zemrën që vuan ritmin e shfrenuar.
Mounier do të ndalej para çdo dere të zyrave burokratike, para çdo ekrani digjital, para çdo rruge ku nxitimi është bërë normë, dhe do të pyeste: ku është personi?
Kjo nuk është pyetje retorike. Për Mounier-in, personi ishte themeli i çdo raporti social, ekonomik dhe shpirtëror. Por në qytetin e modernitetit – këtë qytet që e kemi ndërtuar ne, me dëshirat tona, frikërat tona, ambiciet tona – personi është shndërruar ngadalë në një figurë të brishtë, të humbur mes proceseve që e tejkalojnë, e tjetërsojnë dhe e mbingarkojnë.
Në njëfarë mënyre ai ka humbur në labirintin e shoqërisë. Narracioni i tij i sotëm do të ishte një ecje përmes kësaj humbjeje, një përpjekje për të rikthyer dimensionin personal.
Në këtë rrugëtim të tij imagjinar, Mounier-i do të fillonte tregimin me një skenë të zakonshme: një individ që futet në një ndërtesë administrative, për të zgjidhur një çështje të thjeshtë. Aty ai shndërrohet, pa e kuptuar, nga “person” në “numër reference”. Një zyrtar i lodhur, i zhytur në protokolle, i sjell formularë, kërkon kodin, kërkon vërtetim, kërkon dëshmi.
Askush nuk pyet si është, pse ka ardhur i shqetësuar, çfarë po kalon personi përballë. Riti i burokracisë zhvillohet sipas një liturgie të ftohtë që ka shuar prej kohësh çdo kujtesë njerëzore. Mounier-i do të shënonte se këtu fillon depersonalizimi i njeriut: marrëdhënia zëvendësohet nga funksioni.
Moderniteti, sipas tij, nuk është problem për shkak të progresit. Problemi është kur progresi krijon sisteme që nuk i përgjigjen më personit, por e bëjnë personin t’u shërbejë atyre. Tek Mounier-i, personi nuk është qenie atomike që kërkon lirinë individuale si qëllim në vetvete; ai është qenie e mishëruar në marrëdhënie, në solidaritet, në bashkëkrijimin e botës.
Tjetri ka rëndësi themelore. Por teknologjia e sotme, që në teori mund të lehtësonte jetën, shpesh e fragmenton atë. Në rrëfimin e tij modern, njeriu qëndron i përkulur mbi ekran, duke rrëshqitur pafund nëpër imazhe, lajme, komanda, algoritme që njohin gjithçka për të – përveç asaj që e bën person.
Mounier-i do të shihte gjithë këtë me dhimbshuri. Do të thoshte se moderniteti ka prodhuar “individët”, por ka harruar “personat”. Dhe këtu është e rëndësishme të bëhet një diferencim i madh: individi nuk është i njëjtë me personin. Të parët janë monada, njësi të vogla të izoluara, të vetëmjaftueshme që nuk kanë domosdoshmërisht nevojë për Tjetrin që të zhvillohen.
Përkundrazi, Tjetri për Individin shpesh është pengesë ose, në rastin “më të mirë”, një mjet. Nga ana tjetër, Personi është një qenie që nuk mund të jetojë pa Tjetrin. Ai madje përkufizohet nga Tjetri. Personalizmi – siç nisi të quhej filozofia e tij – nuk është sentimentalizëm; është një filozofi e angazhimit dhe marrëdhënieve.
Të jesh person, për Mounier-in, do të thotë të marrësh përgjegjësi, të hysh në histori, të mos e pranosh degradimin e qenies në një funksion të thjeshtë, në një gjymtyrë të shoqërisë.
Sipas Mounier-it, moderniteti dhe zhvillimi teknologjik shfaqin një rrezik të madh: humbjen e përvojës së drejtpërdrejtë të Tjetrit. Personalizmi nuk mund të ekzistojë pa fytyrën e tjetrit, pa takimin konkret, pa dialogun. Teknologjia e heq këtë fytyrë dhe e zëvendëson me simulime.
Në rrëfimin e tij, moderniteti gjithsesi nuk është një tragjedi përfundimtare. Mounier-i nuk ishte pesimist, përkundrazi. Ai besonte se personi ka potencial të pashtershëm për ringritje.
Ai do të tregonte se përtej burokracisë, përtej teknologjisë, ekzistojnë momente që e rikthejnë personin në qendër: kur dikush dëgjon tjetrin sinqerisht; kur dikush merr përgjegjësinë për një padrejtësi; kur dikush guxon të thotë se dinjiteti njerëzor nuk është variabël statistikore, etj.
Në vizionin e tij, shpresa nuk vjen nga sistemi, ajo vjen nga personi që hyn në sistem dhe nuk lejon të gëlltitet prej tij. Personalizmi kërkon një kulturë ku teknologjia vihet në shërbim të personit, jo anasjelltas; ku organizimet shoqërore ndërtohen mbi dinjitet, jo mbi efikasitetin mekanik; ku njeriu nuk matet me funksion, por me vlerën që sjell në marrëdhënie.
Në këtë narracion, qyteti modern mbetet i njëjtë: i shpejtë, i ftohtë, i rregulluar me ligje dhe protokolle. Por nëse dikush ecën nëpër të me sy të mprehtë, mund të shohë figura të vogla që dalin jashtë ritmit, që përpiqen të mbajnë gjallë personalitetin e tyre. Tek këto figura Mounier-i do të shihte njeriun autentik dhe fillimin e një rilindjeje të personit.
Një revolucion modern. Të ngadaltë, por të vendosur. Sepse historia nuk është thjesht rrjedhë ngjarjesh kronologjike. Ajo është një betejë e përhershme dhe e përditshme për t’i rikujtuar botës se njeriu është gjithmonë më shumë sesa roli i tij në shoqëri, sesa të dhënat e tij, sesa produktiviteti i tij. Dhe ky mesazh është edhe më i mprehtë sot se kurrë më parë.