Ekspozita “Verë”, Shpresa Milaqi emocionon publikun me tablotë plot dritë e ngjyra
Piktorja Shpresa Milaqi-Bajko çeli në Galerinë “Nikolet Vasia” në Durrës ekspozitën e saj të 12-të personale titulluar “Verë”, me 99 tablo plot dritë e ngjyra, ku spikasin peizazhet e qytetit dhe energjia e stinës së verës.

Ekspozita e Shpresa Milaqi-Bajko. Foto: Media Amfora
Galeria e Artit Pamor “Nikolet Vasia” në Durrës u mbush me ngjyra dhe jetë më 28 gusht, kur piktorja Shpresa Milaqi-Bajko çeli ekspozitën e saj të 12-të personale, të titulluar “Verë”, ku u prezantuan 99 tablo në teknikat vaj, grafikë dhe akuarel.
“Kjo ishte ekspozita ime e 12-të personale, por nga emocionet dukej sikur ishte e para,” u shpreh piktorja Shpresa Milaqi-Bajko për Median Amfora.
Artdashës të pikturës, drejtues institucionesh të artit dhe kulturës në qytet, miq e familjarë të piktores u bashkuan në ceremoninë zyrtare të hapjes së ekspozitës. Interesi i treguar nga pjesëmarrësit në natën e parë të hapjes e mbushi me emocione artisten, e cila u surprizua kur publiku vijoi të qëndronte për orë të tëra duke shijuar artin e saj, edhe pas ceremonisë zyrtare.
“Çudia këtë herë ishte që galeria mbeti plot, nga pak para orës 19:00 deri rreth 22:30. Përveç kësaj, mora pafund vlerësime dhe opinione pozitive, gjë që më mbushi zemrën e shpirtin plot, sepse janë frut i punës sime”, u shpreh piktorja.
Me 68 punime në vaj dhe 30 në grafikë e akuarel, ekspozita po tërheq çdo ditë e më tepër vëmendjen e publikut dhe do të qëndrojë e hapur deri në mesin e muajit shtator. Ndër vizitorët që hasen këto ditë në galeri janë jo vetëm të apasionuarit pas artit dhe ngjyrave, por edhe turistë që ndodhen në qytet gjatë kësaj periudhe. Kjo e ka mbushur artisten ditë pas dite me emocione pozitive, të cilat po e përgatisin për krijimtari të re në vijim.
“Gjithë ankthi përpara hapjes së ekspozitës shndërrohet në emocione që shtohen çdo ditë, por të ngarkohen më shumë për punë me rezultate përherë e më të mira”, shtoi ajo.
Ekspozita ‘Verë’, me një mori pikturash plot ngjyra, reflekton qetësi shpirtërore dhe përcjell ngrohtësi e emocione që të zhysin për disa çaste në një realitet të pastër, ku mbizotërojnë qetësia, harmonia dhe heshtja e brendshme.

Mes veprave gjen dhe shijon gërshetimin e mjeshtërisë së peizazhit, delikatesën e natyrës së qetë dhe emocionet e kompozimit, të ndërthurura në funksion të ndjesive që sjell një stinë magjike si vera, muza e artistes në këtë ekspozitë. Kur flitet për frymëzimin e piktores, deti mbetet pika e parë, të cilën ajo e përcjell edhe përmes individualitetit të saj.
“Frymëzimi për mua është dhe mbetet deti, por edhe gjithçka që lidhet me të, sepse e prek dhe e përcjell sipas mënyrës dhe individualitetit tim”, tha piktorja.
Duke shijuar emocionet e një viti krijues, artistja po përgatitet për ekspozitën e përbashkët të përvitshme, ndërsa ‘Verë’ mbetet e hapur për publikun deri më 17 shtator si një ndjesi artistike në galeri.