Ekskavatorët e ‘Velierës’ shkatërrojnë muret e konakut të Princ Vidit

Rifillimi i punimeve për ndërtimin e projekti ‘Veliera’ në Durrës u krye pa monitorim arkeologjik, duke sjellë shkatërrimin e pjesshëm të ndërtesës së periudhës osmane, që u përdor një shekull më parë si konak për Princ Vidin.

Autor: Geri Emiri | BIRN | Durrës

Mjetet e rënda u rishfaqën gjatë fundjavës dhe gërmimet e ekskavatorit kthyen në një pirg gurësh, një pjesë të mureve të bastionit fortifikues të shek. XVII dhe ngrehinës së periudhës osmane, që u ripërdor më shumë se një shekull më parë si konaku i Princ Vidit – i cili për 6 muaj në vitin 1914 u ngrit në fron si mbret i shqiptarëve.

Thyerja e mureve të bastionit nxori në dritë objekte të reja arkeologjike, si kapitele, një bazament altari dhe objekte monumentale prej mermeri, një pjesë e të cilave datojnë sipas arkeologëve që në periudhën romake.

Rifillimi i punimeve për të ashtuquajturin projekti ‘Veliera’ – një mamuth betoni në hyrje të qytetit bregdetar, i shtrirë mbi një zonë arkeologjike të kategorisë “A” me shtresëzime që shkojnë deri në antikitetin e vonë, erdhi pas një vendimi të Gjykatës Administrative të Apelit.

Sipas ligjit për Trashëgiminë Kulturore dhe rregullores së administrimit të zonës arkeologjike A dhe B, punimet që kryhen në qytetin e Durrësit duhen monitoruar nga arkeologët – nëpërmjet një marrëveshje trepalëshe që lidhet midis investitorit, kompanisë zbatuese të punimeve dhe Këshillit Kombëtar të Arkeologjisë.

Megjithatë, të dhënat e siguruara nga BIRN tregojnë se pas rifillimit të punimeve me bekimin e gjykatës, një marrëveshje e tillë nuk ekziston. Ndërkohë, Drejtoria Kulturës Kombëtare Durrës vetëm të hënën ka nxjerrë një urdhër për mbikëqyrjen e punës së kompanisë kontraktore “Everest’ Sh.a.

“Ditën e djeshme kemi nxjerrë një urdhër për monitorimin e punimeve që po kryhen. Megjithatë edhe në ditët e kaluara, punimet janë monitoruar nga arkeologët,” tha për BIRN Alban Ramohitaj, drejtor i Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare Durrës.

Lidhur me shembjen e një pjese të mureve, Ramohitaj u shpreh se këto janë “detaje teknike” dhe nuk mund t’i konstatojë, duke lënë të kuptohet se nuk do të nisë verifikim për konstatimin e dëmtimeve, sipas detyrimeve ligjore të DRKK-së.

Një zëdhënës i bashkisë Durrës i tha BIRN se punimet që po kryhen këto ditë janë në zbatim të projektit të ndryshuar të ‘Velierës’, i cili i ruan zbulimet arkeologjike dhe se ato vijnë pas vendimit të Gjykatës Administrative të Apelit, e cila nga ana e saj nuk specifikon asgjë për mënyrën se si do të veprohet me gjetjet arkeologjike.

Ndërkohë, administratori i kompanisë ‘Everest’, Sokol Çupi i tha BIRN nëpërmjet telefonit se kompania nuk kishte marrëveshje me autoritetet për monitorim arkeologjik të punimeve, ndërkohë që pranoi se një pjesë e mureve ishin dëmtuar.

“Ajo pjesa që është prishur, është e detyrueshme për shkak të konstruksionit,” tha Çupi. “Nuk bëhet ndërtimi pa atë ndërhyrje,” shtoi ai.

Beteja ligjore

Punimet e reja për “Velierën” në Durrës shkatërruan një pjesë të “Bastionit Otoman”. Foto:Geri Emiri/BIRN

Projekti ‘Veliera’ është një investim i bashkisë së Durrësit, i mbështetur nga qeveria shqiptare, për të ndërtuar një shesh të ri përballë kullës veneciane dhe hyrjes së portit të Durrësit, me sipërfaqe 12 mijë metra katrorë dhe një kosto prej më shumë se 4 milionë euro.

E projektuar nga arkitekti italian Marco Casamonti, projekti përfshin ndërtimin e një mbikalimi këmbësorësh prej betoni që lidh sheshin përpara hyrjes së portit me rrugën ‘Tregtare’.  Sheshi i përftuar nga mbikalimi prej 12 mijë metrash katrorë do të mbulohet nga një tendë e madhe guri me sipërfaqe 60 me 40 metra, e mbështetur mbi katër pika dhe sipërfaqe 2 mijë metra katrorë.

Gërmimet për zbatimin e projektit nxorrën në dritë objekte arkeologjike që datojnë që nga periudha qytetare ilire dhe gjurmët e një bastioni osman, ku më vonë u ngrit konaku i Princ Vidit. Dy muaj pas nisjes së projektit në fillim të vitit 2017, Bashkia e Durrësit nënshkroi një kontratë për monitorimin e punimeve nga Instituti i Arkeologjisë dhe Agjencinë e Shërbimit Arkeologjik, ndërkohë që shumica e punimeve nëntokësore kishin përfunduar.

Zbulimet arkeologjike nga gërmimet e projektit ‘Veliera’ ngritën dilema mbi të ardhmen e mbikalimit prej betoni – me bashkinë që nga njëra anë kërkonte vazhdimin e ndërtimin duke e modifikuar projektin dhe shoqërinë civile, e cila protestonte për braktisjen e ndërtimeve dhe ruajtjen në tërësi të rrënojave arkeologjike të zbuluara.

Ky debat ishte në mënyrë të veçantë i ndjeshëm për qytetin e Durrësit, trashëgimia arkeologjike e të cilit është dëmtuar rëndë nga ndërtimet pa kriter dhe në kundërshtim të ligjit gjatë dy dekadave të fundit. Pasi nuk u gjet një gjuhë e përbashkët, konflikti midis shoqërisë civile dhe bashkisë u transferua në gjykatë.

Në shkurt 2018, Gjykata Administrative Durrës vendosi ndalimin e punimeve në zonën arkeologjike “A”, duke i shpallur rrënojat brenda këtij territori si të ‘pacënueshme”. Gjykata rrëzoi  nga ana tjetër padinë e shoqërisë civile për bllokim tërësor të projektit, me argumentin se paditësi “nuk u mbështet në një koncept të qartë rreth asaj se çfarë përbën projekt”. Gjykata shpalli moskompetencë për disa pika të padisë, përfshirë akuzat për “falsifikim dokumentesh” dhe moszbatim të vendimit të gjykatës.

Ky vendim nuk kënaqi asnjë nga palët. Bashkia e Durrësit pretendonte se tashmë i kishte marrë masat për të ruajtur objektet arkeologjike përmes një projekti të ndryshuar. Ajo njoftoi se do ta apelonte vendimin e Gjykatës Administrative Durrës.  Apelim vendimi bëri edhe Menvgroup – organizata e shoqërisë civile që bëri padinë, duke pretenduar se pezullimi i punimeve në zonën “A” ishte i pamjaftueshëm.

Një vit më vonë më 23 shkurt, Gjykata Administrative e Apelit vendosi në dhomë këshillimi t’i hapë rrugën përfundimit të projektit “Veliera”, duke pushuar gjykimin e çështjes dhe duke prishur vendimin e Gjykatës Administrative Durrës.

Dispozitivi i vendimit të Apelit lë të kuptohet se ndryshe nga gjykata e Shkallës së Parë, ajo ka lejuar edhe ndërtimin në zonën arkeologjike “A”, gjë që u kontestua fort prej aktivistëve të shoqërisë civile.

Zbulimet e reja

Kornizë altari varri me mbishkrime romake zbuluar gjatë prishjes së “Bastionit Otoman” për ndërtimin e “Velierës” Durrës. Foto: Geri Emiri/BIRN

Pas vendimit të Gjykatës Administrative të Apelit, mjetet e rënda dhe punëtorët e kompanisë ‘Everest’ u rikthyen gjatë fundjavës në kantierin e lënë përgjysmë pranë portit të Durrësit për të rifilluar punimet.

Këto punime rifilluan pa një marrëveshje për monitorimin e punimeve nga arkeologët midis bashkisë Durrës, kompanisë ‘Everest’ dhe Këshillit Kombëtar të Arkeologjisë.

Sipas arkeologut Fatos Tartari, monitorimi arkeologjik i punimeve që po kryhen si pjesë së ndërtimit të projektit ‘Veliera’ është shumë i rëndësishëm.

“Dikur pa monitorimin e arkeologëve nuk bëhej asnjë gërmim në Durrës, ndërsa sot specialistët as nuk pyeten dhe as nuk i merret mendimi fare,” tha ai.

Në raportin e hartuar nga Instituti i Arkeologjisë dhe DRKK Durrës, në lidhje me zbulimet e evidentuara gjatë gërmimeve të projektit shkruhet se në këtë zonë ruhen gjurmë të fortifikimeve të periudhave të ndryshme kohore, të përbëra nga disa struktura, si: bastioni juglindor, torra veneciane, si dhe të tjera pjesë të fortifikimeve.

Punimet me mjete të rënda të kompanisë zbatuese gjatë fundjavës, kanë nxjerrë në dritë disa objekte të reja arkeologjike, të panjohura më parë në raportet e hartuara për projektin ‘Veliera.’

Nga konsultimi që BIRN bëri me arkeologë në Durrës, rezulton se nga vëzhgimi paraprak bëhet fjalë për një kapitel dhe një kornizë altari, që mund të ketë qenë pjesë e një varri, ku janë përdorur edhe dimensione floreale. Mbishkrimet romake nisin me formulën DMS (Dis Manibus Sacrum), që është përdorur deri në shek. III të Erës Sonë.

Sipas shpjegimit të specialistëve, kjo tregon ripërdorimin e objekteve të marra nga pjesë të ndryshme të qytetit, që i takojnë shekujve të ndryshëm dhe janë përdorur për ndërtimin e mureve të bastionit.

Projekti i ri i ‘Velierës’

Pjesë altari varri me mbishkrime romake zbuluar gjatë prishjes së “Bastionit Otoman” për ndërtimin e “Velierës” Durrës. Foto:Geri Emiri/BIRN

Pas zbulimeve arkeologjike të evidentuara gjatë gërmimeve për ndërtimin e projektit ‘Veliera”, bashkia Durrës paraqiti në institucionet e kulturës një projekt të ndryshuar, si kusht për vijimin e punimeve.

Projekti i ndryshuar parashikon ndërtimin mbi zbulimet arkeologjike, duke krijuar disa dritare prej xhami për të vëzhguar rrënojat e fortifikimeve dhe një hyrje të posaçme vetëm për specialistët e monumenteve.

Miratimi i këtij projekti ka kaluar në sitën e Këshillit Kombëtar të Arkeologjisë dhe Këshillin Kombëtar të Restaurimeve, por megjithatë ai nuk parashikon ruajtjen e të gjithë fortifikimeve të zbuluara.

“Sipas projektit të ndryshuar duket se do të ruhet vetëm frëngjia nga ana lindore dhe ajo jo e plotë, duke dhënë efektin e kundërt, uljen e interesit për monumentin e përgjysmuar. Kështu publiku humbet kontaktin me monumentin dhe mundësinë e njohjes nga afër me vlerat e tij,” shpjegoi për BIRN një arkitekt durrsak, i cili kërkoi të mos identifikohet me emër.

“Zbulimet arkeologjike mund të ruheshin ndryshe, duke e lënë të dukshme të gjithë strukturën arkeologjike dhe kthinat mund të ishin kthyer në një hapësirë multifunksionale,” shtoi ai.

Projekti i ri i ‘Velierës’ hedh poshtë edhe disa prej rekomandimeve që Instituti i Arkeologjisë dhe DRKK Durrës kishin paraqitur më herët në raportin e përgatitur mbi gërmimet e bëra, për ruajtjen dhe ekspozimin e strukturave të zbuluara në sheshin e ri. Arkeologët në raport gjithashtu kanë sugjeruar edhe shpalljen monument kulture të këtyre zbulimeve arkeologjike.

*SHËNIM: Ky shkrim është publikuar nga autori më datë 12 mars 2019 në median Reporter.al dhe po ripublikohet këtu në përputhje me “politikat e ripublikimit” të BIRN Albania.


Notice: ob_end_flush(): failed to send buffer of zlib output compression (0) in /home3/nwmcvqij/public_html/wp-includes/functions.php on line 5109