Durrësi paralizohet nga përmbytjet, qyteti në alarm
Reshjet intensive të shiut kanë përmbytur rrugët dhe qindra banesa, ndërsa shkollat janë mbyllur dhe trafiku është devijuar në disa akse. Për shkak të situatës, anulohet edhe rituali i hedhjes së kryqit.
Lagje e përmbytur në Durrës. Foto: Media Amfora
Të martën në Durrës, reshjet intensive të shiut kanë përmbytur të gjitha rrugët qindra banesa e biznese, kanë mbyllur shkollat dhe devijuar trafikun, ndërsa lumenjtë mbeten nën vëzhgim për rrezik.
“Si pasojë e reshjeve të dendura, janë krijuar vështirësi serioze në qarkullim në disa zona të ndjeshme”, bëri me dije Institucioni i Prefektit të Qarkut në njoftim për shtyp gjatë paradites.
Lagjet më të prekura përfshijnë Ish-Kënetën, Spitallën dhe Nishtullën, ku niveli i ujit brenda banesave mësohet se ka arritur disa centimetra.
Në këto lagjje raportohet për banesa dhe biznese të përmbytura, ndërsa rrugët e tyre janë të papërshkueshme.

Si pasojë e rreshjeve intensive të nisura gjatë natës i gjithë sistemi i ujrave të larta në qytet është bllokuar, çka ka bërë që situata të jetë kaotike në të gjitha lagjet, rrugët dhe sheshet.
Mësimi është pezulluar në pjesën më të madhe shkollave të Durrësit për shkak të situatës kritike, duke u zhvilluar vetëm në katër shkolla: “Shaqe Mazreku” në qytet, “Njazi Mastori” në Sukth, “Rexhep Mezini” në Ishëm dhe “Pren Simoni” në Draç. Ndërsa shtë pezulluar në të gjitha shkollat dhe çerdhet e qytetit.
Probleme janë shkakatuar dhe në trafikun rrugor veçanërisht në orët e para të mëngjesit, ku u bllokuar autostrata Tiranë-Durrës.
“Trafiku po monitorohet dhe devijohet nga automjetet që vijnë nga jugu drejt Tiranës kalojnë përmes Rrugës së Plepave deri në Ndroq dhe më pas “Rrogozhinë – Elbasan – Tiranë”, ndërsa për drejtimin Durrës automjetet përdorin rrugën e Universitetit drejt Spitallës dhe më pas “Tiranë – Elbasan – Rrogozhinë”, njoftoi Policia e Shtetit.
Bashkia e Durrësit bëri me dije se disa ura janë në rrezik.
“Disa ura dhe akse rrugore, si në Rrashbull dhe Manzë, rrezikojnë shembjen”, tha Bashkia në një njoftim për shtyp.
Reshjet intensive të shiut kanë përmbytur rrugët dhe banesat në lagjet 12, 13, 14, 17 dhe 18 të Durrësit, duke bërë të pamundur lëvizjen e qytetarëve dhe pezullauar totalishtë aktivitetet.
Situata është problematike edhe në Rrashbull dhe Manzë, ku ura e fshatit Borç rrezikon shembjen.

Si pasojë e përmbytjes së disa banesave janë bërë evakiume nga ana e bashkisë.
“Deri më tani janë evakuuar 10 familje me nga 3 – 4 anëtarë secila, të cilat janë sistemuar pranë Kovalishencës”, tha Bashkia e Durrësit.
Për shkak të përmbytjeve dhe situatës së krijuar nga reshjet, ceremonia tradicionale e hedhjes së kryqit për 6 janarin në port nuk u zhvillua, ceremonitë fetare u mbajtën vetëm në Kishën Ordokose ‘Shën Pavli’ dhe ‘Shën Asti’.
Kjo është përmbytja më e madhe që ka përfshirë Durrësin, një qytet që shpesh përballet me probleme nga reshjet e dendura dhe rrjeti i pamjaftueshëm i kanalizimeve dhe mospastrimi i tyre në kohë.