Durrësi në kolaps parkimesh, Bashkia zero investime për 2025
Durrësi ka 7 sheshe dhe 16 segmente rrugësh të destinuara për parkim me pagesë, por qyteti mbetet çdo ditë në kaos. Në buxhetin 2025 bashkia nuk kishte asnjë projekte për të zgjidhur këtë problematikë, ndërsa qytetarët përballen me mungesë hapësirash dhe betejën e pafundme për një vend parkimi bosh.

Parkimi pranë Sheshit “Jorgji Ziu” tek Mauzoleumi i Dëshmorëve. Foto: Media Amfora
Qyteti bregdetar më i madh në vend përballet çdo ditë me kaos parkimesh: lagjet janë të mbushura me makina në të dy anët e rrugëve dhe qytetarët vështirë gjejnë një vend parkimi bosh, pavarësisht se zyrtarisht ekzistojnë 7 sheshe dhe 16 segmente rrugësh të destinuara për parkim me pagesë, ndërsa parkimi pa pagesë aplikohet vetëm për rezidentët në hapësirat mes pallateve.
“Në buxhetin e vitit 2025 nuk është parashikuar ndërtimi i parkimeve të reja”, thuhet në përgjigjen zyrtare të Bashkisë Durrës për Median Amfora.
Rrugët kryesore dhe lagjet janë të mbushura me automjete të parkuara në disa raste deri në trotuare, duke e kthyer gjetjen e një vendi parkimi në një sfidë të përditshme për çdo drejtues automjeti.
Bashkia Durrës thekson se sistemi i parkimeve është i rregulluar me vendime të Këshillit Bashkiak, ku janë përcaktuar zonat e administrimit dhe tarifat për parkim me pagesë, si në sheshe ashtu edhe në rrugët e qytetit.
“Me Vendimin e Këshillit Bashkiak Nr. 66 të 25 qershorit 2024 ‘Për përcaktimin e zonave të administrimit të parkimit dhe tarifave të shërbimit të parkimit me pagesë në rrugë dhe sheshe në territorin e Bashkisë Durrës’, dhe Vendimin e Këshillit Bashkiak Nr. 113 të datës 24 dhjetor 2024 ‘Për sistemin e taksave dhe tarifave vendore në qytetin e Durrësit për vitin 2025’, janë të miratuara sheshet e destinuara për parkim me pagesë në rrugë me tarifat respektive për vendparkime në sheshe”, shpjegoi Bashkia e Durrësit.
Megjithëse janë përcaktuar shtatë sheshe për parkim me pagesë, numri i tyre mbetet shumë i vogël krahasuar me fluksin e përditshëm të automjeteve në Durrës, ndërsa situata bëhet edhe më kaotike gjatë sezonit veror, kur shtimi i numrit të automjeteve rritet ndjeshëm.
Sipas Bashkisë së Durrësit, shtatë sheshet e përcaktuara për parkim me pagesë janë: Sheshi pranë Bar Portofino, sheshet në rrugën “Mars 91” (dy sheshe), sheshi poshtë Urës së Dajlanit, sheshi “Jorgji Ziu” tek Mauzoleumi i Dëshmorëve, sheshi në territorin e brendshëm të Pallatit të Sportit “Ramazan Njala”, sheshi pranë tregut industrial në rrugën “Hysen Myshketa” dhe sheshi Vollga pranë Autoritetit Portual Durrës.
Edhe pse janë të ashtëquajturat Zona A dhe Zona B që përfshijnë 16 rrugë të qytetit, sistemi i parkimeve në Durrës mbetet larg funksionimit.
Këshilli Bashkiak ka miratuar parkimin pa pagesë, por vetëm për rezidentët në hapësirat publike midis pallateve në të gjithë territorin administrativ të bashkisë Durrës përfshirë edhe zonën A dhe B.
Mungesa e vendeve të parkimit ka hapur rrugë abuzimeve: qytetarëve iu është dashur madje të paguajnë edhe në hapësira ku parkimi është falas. Më 29 gusht 2024, Policia e Durrësit arrestoi dy persona të cilët i’u merrnin para qytetarëve në një vendparkim publik pranë stadiumit, i cili sipas Bashkisë ishte i destinuar si hapësirë pa pagesë.
Nga vendimet e miratuara të Këshillit Bashkiak nuk rezulton të ketë asnjë hapësirë të dedikuar falas për parkim në qytet, përveçse rasteve të rezidentëve. Përjashtim bën vetëm qëndrimi deri në 5 minuta në sheshe, i cili është më shumë simbolik sesa një zgjidhje reale. Kjo do të thotë se çdo drejtues automjeti në Durrës duhet të paguajë për parkim, edhe pse hapësirat e ofruara janë të pamjaftueshme.
Megjithëse qytetarët përballen çdo ditë me parkime të paligjshme dhe hapësira publike të zëna, Bashkia shprehet se situata është nën kontroll dhe në bashkëpunim me Policinë e Shtetit ndiqen procedurat ligjore ndaj abuzuesve.
“Lidhur me çështjen e parkimeve të paligjshme Policia Bashkiake monitoron dhe kontrollon zënien e hapësirave publike, gjatë konstatimit të këtyre hapësirave nga subjekte apo individë në bashkëpunim me institucione të tjera si Policia e Shtetit kryejmë procedurat ligjore deri në ndjekje penale për subjektet apo individët”, tha Bashkia e Durrësit.
Ndryshe nga sa deklaron Bashkia Durrës për kontrollin e parkimeve të paligjshme, qytetarët përballen ende me abuzime të hapura. Siç ka konstatuar Media Amfora në terren, qytetarët ende janë konfuzë në disa vende të dedikuara për parkime. Në rrugën e Currilave, afër Muzeut Arkeologjik, drejtuesit e automjeteve u është dashur të paguajnë në një parkim që ka qenë publik.
Veç faktit që Bashkia e Durrësit ka dështuar të zgjidhë çështjen e parkimeve publike, institucionit i mungon edhe transparenca për mënyrën se si menaxhohen parkimet me pagesë. Media Amfora i kërkoi Bashkisë informacion mbi administrimin e parkimeve gjatë pesë viteve të fundit, duke përfshirë bilancet vjetore dhe të ardhurat përkatëse, por nuk mori një përgjigje.
Sipas vendimit të Këshillit Bashkiak, parkimi në sheshe është falas për 5 minutat e para, ndërsa më pas tarifa rritet sipas kohës së qëndrimit: 100 lekë deri në 2 orë, 200 lekë për 2-5 orë, 300 lekë për 5-8 orë, 400 lekë për 8-12 orë dhe maksimumi 500 lekë për një qëndrim deri në 24 orë.
Tarifat për parkimin në rrugë ndryshojnë sipas sezonit dhe zonës. Nga 1 qershori deri më 30 shtator, parkimi me pagesë zbatohet çdo ditë nga ora 08:00 deri në 20:00, ndërsa nga 1 tetori deri më 31 maj, parkimi paguhet nga ora 08:00 deri në 16:00, vetëm nga e hëna në të premte. Çmimi është 100 lekë/orë në Zonën A dhe 40 lekë/orë në Zonën B.
Këshilli Bashkiak ka miratuar që prej vitit 20224 tarifën fikse vjetore prej 10.000 lekë përsa i përketë parkimit të rezidentëve në zonën A dhe B, për të drejtën e parkimit në rrugët e destinuara për parkim publik publik me pagesë brenda njësisë së banimit ku janë rezident, vetëm për një automjet.
Për parkimin në ndërtim pranë Stacionit të Trenit, një nga zonat më problematike të qytetit, Bashkia Durrës duket se nuk ka marrë rol aktiv. Projekti nuk është hartuar apo ndjekur prej saj, por financohet dhe administrohet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, ndërsa Bashkia është vetëm përfituese e investimit.
“Parkimi tek Stacioni i Trenit nuk është projekt i hartuar nga Bashkia Durrës, Drejtoria e Projekteve dhe Infrastrukturës Publike dhe nuk ndiqet si investim nga Sektori i Ndjekjes së Investimeve Publike. Ky projekt financohet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, i cili përgjigjet edhe për mbarëvajtjen e procedurave të tjera administrative, ndërsa Bashkia në këtë rast është vetëm përfituese e investimit,” tha Bashkia e qytetit bregdetar.
Derisa Bashkia të hartojë një plan real për menaxhimin e parkimeve, qytetarët e Durrësit do të vijojnë të paguajnë çmimin e kaosit urban çdo ditë.