Dritë dhe shpresë për besimtarët, mbyllet pelegrinazhi i “Shna Ndout” në Laç

Përfundoi rituali fetar 13-javor në “Kishën e Shna Ndout” në Laç, ku mijëra besimtarë u lutën dhe ndezën qirinj, ndërsa peligrinazhi kulmoi me mbrëmjen e fundit të kaluar pranë kishës që i kushtohet shenjtorit “Shën Andoni”. 

Me pjesëmarrjen e mijëra pelegrinëve nga gjithë Shqipëria, por edhe të ardhur nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut u përmbyll pelegrinazhi 13-javor në Kishën e Shna Ndout në Laç. Kremtimi i të martave të shenjta  kulmoi mbrëmjen e 12 qershorit, me një natë kushtuar Zotit dhe lutjeve. 

“Ishin të shumtë besimtarët që e kaluan natën në lutje pranë ambienteve të kishës, në pritje të ditës së festës së Shna Ndout më 13 qershor”, tha Elvis Hila, gazetar në Lezhë. Sipas tij peligrinë të shumtë nga gjithë vendi ynë, por dhe më gjerë janë bërë pjesë e natës së madhe të lutjeve, pavarësisht besimit të tyre fetar.

“Të krishterë e mysliman thonë se kisha e Shna Ndout ka bërë mrekulli të shumta, ndaj dhe kanë besim dhe shprese në këtë vend të shenjtë”, tha Hila.

Për Arqipeshkvin e Arqidioqezës Metropolitane Tiranë-Durrës, Arjan Dodaj, kjo festë është një ditë e madhe për të gjithë besimtarët që kalojnë natën në Kishën e Shna Ndout.

“Në pasurohemi me materialen, por ndihejmë nevojën për të pasuruar shpirtin dhe besuar tek Zoti. Nëpërmjet këtij shenjti të madh ne marrim mirësi për veten dhe familjen dhe në këtë natë të madhe jemi më pranë tij”, tha arqipeshkvi. 

Kisha e Shna Ndout që ndodhet në lindje të Laçit në Qarkun e Lezhës, mbetet një nga vendet e shenjta më të rëndësishme të pelegrinazhit fetar në Shqipëri. Rituali i shenjtë i besimtarëve nis në mesin e muajit mars, që është e marta e parë e pelegrinazhit dhe përfundon në 13 qershor që është dhe festa e këtij shenjti. Sipas besimit katolik lutjet në këtë vend të shenjtë janë shumë të rëndësishme, ndërsa besohet dhe tek mrekullitë e Shna Ndout. 

Kisha u ndërtua për herë të parë në vitin 1557 dhe më pas  u shkatërrua në vitin 1967. Ajo është ndër objektet fetare të rindërtuara pas rënies së komunizmit për t’u kthyer menjëherë në vend pelegrinazhi.

Për garantimin e rendit dhe sigurisë gjatë peligrinazhit të këtij viti në shërbim u angazhuan forca të shumta policie, si dhe ekipet e ndihmës së shpejtë mjekësore.