Dosja 5D, Gjykata shpall fajtorë zyrtarët e Bashkisë Tiranë
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë shpalli fajtorë zyrtarët e bashkisë së kryeqytetit, por dha dënime minimale duke vendosur në shërbim prove titullaren e Klubit Sportiv Tirana, Deborah Keçi, dhe tre anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, që akuzohen se krijuan avantazhe dhe privilegje për kompaninë e njohur si 5D.

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë më 28 maj shpalli fajtor katër prej tetë zyrtarëve të Bashkisë së Tiranës që akuzohen se lehtësuan një skemë korrupsioni për të dërguar tenderat te kompania 5D, që sipas SPAK zotërohet “de facto” nga ish-drejtorët Redi Molla dhe Mariglen Qato.
Për titullaren e Klubit Sportiv Tirana, Deborah Keçi, gjykata vendosi dënimin e me një vit burg për veprën penale “shkelje të barazisë në tendera”, që në aplikim të gjykimit të shkurtuar, përfiton uljen e një të tretës së masës, duku i’u reduktua në 8 muaj heqje lirie.
Gjykata vendosi pezullimin e masës së dënimit dhe e vendosi Keçin në shërbim prove për një periudhë 16-mujore. Gjithashtu u vendos dënimi plotësues për heqjen e të drejtës për të ushtruar funksione publike për një periudhë 5-vjeçare.
Për tre të akuzuarit e tjerë, Teuta Guri,Jetion Mera dhe Renialdo Gjerazi, të cilët kanë qënë anëtarë të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, (KVO) u vendos dënimi me nga 9 muaj burg, që në aplikim të gjykimit të shkurtuar mbeti 6 muaj për secilin prej tyre.
Gjykata vendosi të pezullojë ekzekutimin e vuajtjes së dënimit edhe për tre të pandehurit e tjerë dhe caktoi që të kryejnë 60 orë punë publike. Edhe SPAK në pretencën përfundimtare të dhënë më 23 prill kërkoi të njëjtat masa dënimi dhe pezullim për të akuzuarit.
Deborah Keçi u akuzua se duke u dakordësuar me përfaqësuesin e operatorit ekonomik “V.A.S Konstruksion” sh.p.k për ta shpallur fitues të procedurës së prokurimit pa u shpallur procerurat, kur tenderi ishte në fazën e pregatitjes së dokumentacionit.
Tre të akuzuarit e tjerë Teuta Guri, Jetjon Mera dhe Rejnaldo Gjerazi, në cilësinë e anëtarëve të KVO-së, u akuzuan se nuk kanë ushtruar detyrën në përputhje me ligjin, përsa i përket vlerësimit dhe klasifikimit të ofertave, por kanë vlerësuar dhe klasifikuar në kundërshtim me rregullat e prokurimit publik operatorin ekonomik “5D Konstruksion” sh.p.k, që ka qenë i paracaktuar për t’u shpallur fitues nga e akuzuara Deborah Keçi.