Dita Ndërkombëtare e Monumenteve dhe Siteve: Muze falas, por me aktivitete të vakta
18 prilli është Dita Ndërkombëtare e Monumenteve dhe Siteve, e cila vlerësohet si një mundësi për të mbrojtur trashëgiminë kulturore. Në vendin tonë pothuajse kanë munguar aktivitetet kushtuar kësaj dite të rëndësishme, duke u mjaftuar tek vizitat falas në muze dhe parqet arkeologjike.

Parku Arkeologjik i Antigonesë. Foto: Media Amfora
Ka kaluar thuajse në heshtje Dita Ndërkombëtare e Monumenteve dhe Siteve në vendin tonë, ku nuk janë zhvilluar aktivitete të qenësishme promovuese për trashëgiminë kulturore, ashtu siç edhe realisht synon të jetë kjo ditë.
Me anë të një postimi në faqen zyrtare në “Facebok”, Drejtoria Rajonale e Trshëgimisë Kulturore (DRTK) në Berat, njoftoi mbështetjen e një aktiviteti me nxënës shkollash, e cila kishte si qëllim shpalosjen e vlerave beratase si mikëpritja, këngët, vallet, dhe punime në artin pamor.
Aktiviteti u promovua gjatë ditës së sotme, e cila ndonëse mjaft e rëndësishme për trashëgiminë kulturore në nivel global, në vendin tonë kaloi mjaft e vakët.
“Nxënësit e shkollës artistike ‘Ajet Xhindole’, udhëhequr nga mësuesja e lëndës Letërsi. M. Vehollari, në bashkëpunim me DRTK , jetëzuan brenda mjediseve te shkollës odën beratase ku u shpalos mikëpritja, këngët, vallet, dhe punime në artin pamor”, shpjegoi DRTK Berat në postimin e saj, shoqëruar me disa fotografi.
Media Amfora monitoroi gjatë ditës së sotme të gjitha faqet zyrtare të trashëgimisë kulturore në vend, përfshirë këtu Qendrën Muzeore në Durrës, DRTK: Shkodër, Vlorë, Gjirokastër, Korçë, Ministrinë e Ekonomisë Kulturës dhe Inovacionit (MEKI), Institutin e Trashëgimisë Kulturore (ITK) dhe asnjë prej këtyre institucioneve nuk publikoi aktivitete eksluzive dhe të qenësishme në kuadër të kësaj dite, deri në momentin e publikimit të këtij shkrimi.
Institucionet si Qendra Muzeore Durrës (QMD), DRTK Gjirokastër, e Shkodër, bënë me dije se për nder të kësaj dite, muzetë, parqet arkeologjike dhe sitet ishin të hapura për të pritur vizitorët falas.
Ndonëse kjo ditë është një mundësi mjaft e mirë promovuese për të tërhequr vëmendjen drejt vlerave të arkitekturës, arkeologjisë dhe historisë, si autoritetet qëndore dhe vendore të trashëgimisë kulturore, u mjaftuan vetëm me ofrimin falas të objekteve për vizitorët.
Media Amfora ka raportuar sesi projektet qeveritare dhe ato private po dëmtojnë trashëgiminë kulturore materiale, duke dëshmuar për një kujdes të ulët ndaj tyre në nivel kombëtar.
Në Ditën Ndërkombëtare të Monumenteve dhe Siteve, aktivistët nxisin të merret pjesë në një gamë të gjerë aktivitetesh fizike dhe “online”, që festojnë trashëgiminë kulturore, ndërgjegjësojnë dhe ngrejnë zërin për konservim.
Tema e zgjedhur për 18 prillin e 2025-ës ishte, “Trashëgimi rezistente ndaj fatkeqësive dhe konflikteve”.
Fillimisht kjo ditë ishte një projekt i ICOMOS-it, (Këshilli Ndërkombëtar për Monumentet dhe Vendet), një organizatë joqeveritare e cila punon për konservimin e monumenteve anembanë globit. Më vonë data 18 prill u miratua nga UNESCO.
ICOMOS në prag të 60-vjetorit të tij, fton në reflektim mbi përpjekjet e kaluara dhe objektivat e së ardhmes për mbrojtjen e trashëgimisë së kërcënuar mes sfidave globale në rritje, të fatkeqësive natyrore dhe konflikteve të armatosura.
Tema e këtij viti ngre pyetje kyçe në lidhje me mënyrat për të rritur gatishmërinë, zbutjen e rrezikut dhe reagimin ndaj emergjencave në mënyrë që të mbrojmë trashëgiminë tonë të përbashkët kulturore.