“Dita Kombëtare e Aktivizmit 2025” sjell në fokus mjedisin dhe fuqinë e qytetarëve për ndryshim
Mbi 200 organizata dhe qindra aktivistë nga e gjithë Shqipëria u bashkuan në “Ditën Kombëtare të Aktivizmit 2025”, kushtuar mjedisit dhe veprimit qytetar për zhvillim të qëndrueshëm. Me dhjetëra aktivitete, çmime dhe një panair kombëtar, kjo ditë u kthye në një thirrje të fuqishme për të mbrojtur natyrën dhe për të vepruar për të ardhmen e gjelbër.
 
            Gjatë ceremonisë Zërat e Gjelbër - Veprojmë për të Formësuar të Ardhmen Mjedisore të Shqipërisë, NAD 2025
“Dita Kombëtare e Aktivizmit 2025” u zhvillua të mërkurën në Tiranë, në edicionin e saj të tetë, duke vendosur këtë vit fokusin tek mjedisi dhe rolin e qytetarëve në mbrojtjen e tij për një Shqipëri më të gjelbër e të qëndrueshme.
“Përballë çdo problematike madhore që po shohim sot në Shqipëri, ka organizata mjedisore dhe aktivistë që po përpiqen t’u japin zgjidhje dhe të sjellin alternativa”, u shpreh në fjalën e saj Anila Bejko, Drejtore Ekzekutive e Institutit për Zhvillimin e Habitatit Co-PLAN, në nisje të këtij aktiviteti gjithëpërfshirës.
Bejko theksoi në fjalën e saj përshëndetëse se aty ku natyrës shqiptare i mungon zëri organizatat apo aktivistët po përpiqen që të krijojnë hapësira diskutimi debate veprimi dhe që janë instrumentat kyç për të çuar përpara dhe për të zgjidhur problematikat mjedisore.
“Mbi të gjitha janë instrumenta të domosdoshëm për të ndërtuar një shoqëri demokratike të shëndetshme dhe një demokraci funksionale dhe njëkohësisht për të përshpejtuar procesin e integrimit të Shqipërisë në BE”, tha ajo.
Kjo ditë që e vë theksin tek aktivizmi dhe që këtë vit kishte në fokus mjedisin bashkoi përfaqësues të institucioneve, organizatave të shoqërisë civile dhe aktivistë nga i gjithë vendi.
Në aktiviteti startues “Zërat e Gjelbër – Veprojmë për të Formësuar të Ardhmen Mjedisore të Shqipërisë”, mbajti fjalën përshëndetëse për rëndësinë e aktivizmit në funksion të mbrojtjes së mjedisit edhe Erik Illes, Kreu i Zyrës për Zhvillim dhe Bashkëpunim në Ambasadën Suedeze në Tiranë.
“Si mund të ndihmojmë që ta bëjmë këtë botë një vend më të mirë? Si mund t’i reduktojmë emetimet më shpejt? Si të krijojmë zhvillim të qëndrueshëm të gjelbër për të gjithë ne”, ishin pyetjet që ngriti ai në fjalën e tij.
“Mendoj se mund të ndodhë tani. E di që është takimi i tetë, por është takimi më i rëndësishëm, sepse jemi në një moment të rëndësishëm kur shohim kaq shumë njerëz duke ecur në mënyrë direkte nga mohimi te dëshpërimi. Të mohosh rreziqet me të cilat përballemi është dicka e rehatshme, sepse për sa kohë që je në fazën e mohimit nuk ke pse të bësh asgjë për të”, tha kreu i Zyrës për Zhvillim dhe Bashkëpunim në Ambasadën Suedeze në Tiranë.
Pjesë e aktivitetit ishte edhe Mattias Goldmann, themelues i “2030 Secretariat”, një platformë suedeze që promovon politika dhe iniciativa për zhvillim të qëndrueshëm, i cili mbajti një fjalim frymëzues mbi rolin e secilit në përballjen me ndryshimet klimatike.
Në kuadër të ceremonisë u ndanë dhe disa çmime, për të vlerësuar kontributin e atyre që po e kthejnë mbrojtjen e mjedisit në një mision të përditshëm. Çmimin për Organizatën e Gjelbër e mori organizata ‘AOS’. Çmimi për Aktivistin e Gjelbër e morën Denisa Kasa si dhe Oljam Dervishi. Çmimi për Komunitetin e Gjelbër e mori organizata ‘Natyralistët’, Çmimi për Sipërmarrjen Ekonomike të Gjelbër shkoi për organizatën ‘FLORUM’.
Në Parkun “Europa” më pas u zhvillua Panairi i Aktivizmit, ku mbi 40 organizata, iniciativa rinore dhe biznese të gjelbra prezantuan nisma konkrete për mbrojtjen e mjedisit dhe zhvillimin e qëndrueshëm. Gjatë panairit u organizuan punëtori kreative mbi riciklimin dhe ripërdorimin e materialeve, diskutime mbi gazetarinë e përgjegjshme mjedisore dhe panele mbi ruajtjen e trashëgimisë kulturore e mjedisore. Përmes lidhjeve të drejtpërdrejta me qytete të ndryshme, u sollën 20 iniciativa nga e gjithë Shqipëria, duke e kthyer hapësirën në një laborator të hapur të ideve, artit dhe angazhimit qytetar për një mjedis më të pastër dhe të qëndrueshëm.
Në vijim të aktivitetit, u zhvilluan edhe dy panele diskutimi që sollën në qendër tema kyçe për mjedisin dhe aktivizmin qytetar.
Paneli i parë, me temën “Gazetaria e Gjelbër: Si të Raportohet për Çështjet Mjedisore me Përgjegjësi”, mblodhi përfaqësues nga “OCCRNA”- Rrjeti i komunikimit për ndryshimet klimatike, “Shteg.org” platformë për edukim mjedisor, “Qendresa Qytetare”- organizatë për transparencë dhe pjesëmarrje publike, “Infinit+” nismë për inovacion të gjelbër, dhe Qendra Mediale për Çështjet e Shoqërisë (QMÇSh)- organizatë që mbështet gazetarinë sociale. Diskutimi u përqendrua te roli i mediave dhe gazetarëve në raportimin etik dhe të përgjegjshëm për çështjet mjedisore, si dhe rëndësia e informimit publik përmes historive që nxisin veprim dhe ndërgjegjësim qytetar.
Ndërsa paneli i dytë, me temën “Porta që flet: Ruaje Trashëgiminë, Mbro Mjedisin”, i organizuar nga Qendra Amfora dhe Qendra FOL, solli në vëmendje rastin e monumentit antik “Muret e Portës” në Porto-Romano dhe rëndësinë e mbrojtjes së trashëgimisë kulturore si pjesë e mbrojtjes së mjedisit.
Shqipëria po përballet me një sërë sfidash mjedisore që kanë ndikim të drejtpërdrejtë në cilësinë e jetës, biodiversitetin dhe zhvillimin e qëndrueshëm, ndaj dhe kjo ditë kujton rëndësinë që ka angazhimi qytetar dhe i komunitetit, organizatave dhe institucioneve në dhënien zgjidhje të çështjeve jetike përfshi këtu edhe ato mjedisore.
E njohur si ‘NAD’ kjo ditë vjen si pjesë e projektit GreenAL “Mbështetja e Organizatave Mjedisore të Shoqërisë Civile 2024 – 2027”, i financuar nga Agjencia Ndërkombëtare Suedeze për Bashkëpunim dhe Zhvillim (Sida) me fondet e Qeverisë Suedeze dhe zbatohet nga Co-PLAN, Instituti për Zhvillimin e Habitatit në bashkëpunim me VIS Albania dhe COSV – Cooperazione per lo Sviluppo.
Me aktivitete në disa qytete të vendit dhe një transmetim kombëtar të drejtpërdrejtë, kjo ditë u kthye në një festë bashkëpunimi, frymëzimi dhe angazhimi për ndryshim.
 
        
 
     
     
    