Dinastia e Mbretit Epidamn – libri që i jep jetë legjendës së Durrësit me vargje dhe ilustrime
“Dinastia e Mbretit Epidamn” një libër që bashkon historinë, mitin dhe kujtesën përmes vargjeve dhe ilustrimeve, rikthen në jetë Durrësin e lashtë. Botuar në 5-vjetorin e ndarjes nga jeta të Moikom Zeqos, kjo vepër është një homazh poetik dhe vizual për rrënjët kulturore të qytetit dhe trashëgiminë që lidh dy breza përmes artit të fjalës dhe ilustrimit.
Kopertina e librit “Dinastia e Mbretit Epidamn”. Foto: Shtëpia botuese 'Albas'
Mes mijëra titujve të rinj që u prezantuan në Panairin Kombëtar të Librit në Tiranë, zhvilluar nga 13 deri më 17 nëntor në Pallatin e Kongreseve, tërhoqi vëmendjen edhe “Dinastia e Mbretit Epidamn” – libri i autorit Epidamn Moikom Zeqo, që fton lexuesit në një udhëtim letrar drejt Durrësit të lashtë dhe legjendave që e kanë formësuar.
“Vëllimi i parë i serisë Legjenda e Durrësit – tregime për fëmijë të rritur dhe pleq të rinj – tregon themelimin e qytetit-kala të Epidamnit, nga mbreti Epidamn, dhe qytet-portit të Dyrrakionit, nga mbreti Dyrrak (nipi i Epidamnit)”, tha për Median Amfora autori Epidamn Zeqo.
Historian i formuar që pas studimeve në fushën e historisë dhe viteve të punës në Tiranë në fusha të ndryshme, prej më shumë se një dekade jeton në SHBA, ku vijon botimet dhe kërkimet e tij mbi trashëgiminë e lashtë të Durrësit.
“I jam futur studimeve për të mësuar më shumë edhe rreth emrit tim. Kam trajtim në histori moderne dhe mësova se si të lexosh çdo burim antik apo modern, të lexosh nëpër rreshta dhe të bësh interpretime”, tregoi Epidamn Zeqo.
“Përpiqem të jem sa më i saktë me referencat. Nuk marr një autor si të vërtetë absolute, por studioj pse ai e ka thënë kështu dhe e krahasoj me të tjerë. Është një punë voluminoze kërkimi”, shtoi autori.
Vëllimi i parë i serisë “Legjenda e Durrësit”, i titulluar “Dinastia e Mbretit Epidamn”, është një botim që ndërthur kërkimin me krijimtarinë letrare, duke e bërë të kuptueshme dhe tërheqëse historinë e lashtë për breza të ndryshëm lexuesish.
Libri përshkruan themelimin e qytetit-kala të Epidamnit nga mbreti Epidamn dhe të qytetit-port të Dyrrakionit nga nipi i tij, mbreti Dyrrak – rrëfim që i përket epokës para Luftës së Trojës, midis shekujve XV dhe XIII para erës sonë.
Libri është ndërtuar me ilustrime që e bëjnë historinë të afërt dhe të kuptueshme si për të rriturit ashtu edhe për fëmijët, duke e kthyer legjendën në një përvojë të gjallë për çdo moshë.
Vëllimi është në vetvete një “triadë” letrare dhe përfshin mbi 60 ilustrime nga Enkeleida Ester Prifti, ku në çdo faqe përveçse lexuesi mëson legjendën e Durrësit, ndihen pesha e punës kërkimore dhe respekti për trashëgiminë kulturore.
Përmes vargjeve me rimë dhe ilustrimeve që përçojnë ndjesi epike e poetike, autori e rikthen historinë në gjuhën e imagjinatës. Ai i jep jetë figurave që themeluan Durrësin e lashtë, duke ndërtuar një univers që bashkon kohën, artin dhe kujtesën.
“Unë vlerësoj shumë rimën, sepse ajo mbetet në kujtesë. Ashtu siç u ngulit te fëmijët e mi, rimat e këtij libri janë mënyra më e thjeshtë për të përvetësuar njohuri që duken të ndërlikuara. Ilustrimet, nga ana tjetër, e bëjnë historinë të prekshme, të gjallë – një mënyrë për të mos harruar rrënjët tona”, rrëfeu autori.
Në këtë vepër ndodh një takim i veçantë brezash – mes kërkimit të Moikom Zeqos dhe interpretimit bashkëkohor të të birit.
Në vitin 1989, Moikom Zeqo solli për herë të parë në vargje pjesën e parë të legjendës së Apianit, atë që flet për dinastinë e mbretit Epidamn.
Pas dekadash, djali i tij Epidamn e rilexon këtë burim dhe, duke krahasuar referencat e 27 autorëve antikë, e rishkruan legjendën me zbulime të reja, pa humbur lidhjen me versionin poetik të të atit.
Kështu, libri bëhet jo vetëm një vepër historiko-letrare, por edhe një dialog mes dy kohëve – atit që e ringjalli legjendën dhe birit që i dha frymë të re.
Me këtë botim, autori jo vetëm që rikthen në jetë një pjesë të historisë së Durrësit, por edhe përmbush një amanet shpirtëror.
Libri është një urë mes brezave dhe një kujtesë se dashuria për qytetin dhe historinë mund të përcillet përmes artit e fjalës.
“Ky është një projekt pasioni që e ndiej si detyrim për 5-vjetorin e ndarjes nga jeta të babait tim, Moikom Zeqo, dhe si një homazh për qytetin tim, Durrësin”, shtoi autori.
Autori e sheh këtë libër si pjesën e parë të një cikli më të gjerë mbi historinë e Durrësit. Pas “Dinastisë së Mbretit Epidamn”, ai planifikon të sjellë vëllimin e dytë – “Legjenda e Durrësit pas Luftës së Trojës”, ku do të trajtohet periudha e hekurit dhe epoka arkaike.
“Kjo është pjesa e parë e legjendës së Durrësit. Po planifikohet pjesa e dytë, që do të flasë për periudhën pas Luftës së Trojës – për Brigët, Ilirët Taulantë, Ilirët Liburnë dhe për vazhdimësinë e qytetit në epokat e mëvonshme”, tha Epidamn.
Megjithëse libri është i shkruar në vargje dhe i pajisur me ilustrime, autori ka mbajtur strukturë të kujdesshme kërkimore, me burime dhe shënime që e bëjnë veprën të vlefshme edhe për studiuesit.
“Nëse do ta kisha bërë si libër akademik, do të ishte dy mijë faqe. Edhe pse është në rimë, ka 56 shënime dhe çdo kalim që bëj e shpjegoj në fund të librit. Studiuesit mund të kuptojnë pse i kam bërë këto kalime”, shpjegoi Zeqo.
Për autorin, “Dinastia e Mbretit Epidamn” nuk është vetëm një vepër letrare, por një projekt kulturor që do të vazhdojë me libra të tjerë – një mënyrë për të afruar të rinjtë dhe studiuesit me historinë përmes letërsisë dhe artit vizual.
“Unë dua që këto libra të jenë njëkohësisht për fëmijë dhe për të rritur. Mund të kthehen në vepra akademike, por dua t’i mbaj me ilustrime e rimë, sepse kështu historia bëhet e dashur. Durrësi ka historikun më të pasur ndër qytetet shqiptare, dhe kjo është arsyeja pse e ndiej si detyrim ta vazhdoj”, theksoi autori.
Një libër që lidh historinë me ndjenjën, duke e kthyer Durrësin e lashtë në një kujtesë të gjallë që flet për brezat që vijnë.