Diaspora si urë e dijes: Ballkani Perëndimor drejt konvergjencës evropiane përmes shkencës dhe inovacionit

Në Bruksel u zhvillua dialogu rajonal “Diaspora për Konvergjencë”, që mblodhi përfaqësues nga institucionet e BE-së, akademia dhe diaspora e Ballkanit Perëndimor. Diskutimet u fokusuan tek Shqipëria dhe roli i kërkimit, inovacionit dhe mobilitetit si ura drejt integrimit evropian – ndërsa u bë thirrje për ta kthyer diasporën nga “rrjedhja e trurit” në “qarkullim të trurit”.

Në Bruksel u zhvillua dialogu rajonal me në fokus Shqipërinë dhe i titulluar, “Diaspora për Konvergjencë: Kërkimi dhe Inovacioni i Drejtuar nga Mobiliteti për Integrimin Evropian”, një platformë që promovon bashkëpunimin rajonal dhe integrimin evropian përmes shkencës, inovacionit dhe mobilitetit.

Ngjarja synonte të nxiste bashkëpunimin mes institucioneve, diasporës dhe aktorëve kërkimorë, si ura për të përshpejtuar afrimin e Ballkanit Perëndimor me Bashkimin Evropian.

Në fjalën e saj, Blerjana Bino, drejtore Ekzekutive e Qendrës Shkencë dhe Inovacion për Zhvillim (SCiDEV), e përkufizoi kërkimin dhe inovacionin e bazuar në mobilitet si një imperativ demokratik dhe evropian.

Ajo solli në vëmendje evolucionin e SCiDEV-it, nga një rrjet studiuesish në Shqipëri në një qendër kërkimore – analitike rajonale, që operon me ndërthurjen e shkencës, demokracisë dhe integrimit evropian, duke reflektuar rolin e institutit si urë mes komunitetit kërkimor dhe politikave publike.

“Shkenca forcon demokracinë”, theksoi ajo, duke shtuar se kërkimi i bazuar në evidencë ndërton besim, fuqizon qytetarët dhe forcon llogaridhënien.

Sipas Binos mobiliteti i dijes dhe bashkëpunimi ndërkufitar duhet të shihen si mjete për përshpejtimin e konvergjencës evropiane, ku diaspora e Ballkanit Perëndimor luan një rol kyç në ndërtimin e një ekosistemi të hapur dhe bashkëpunues kërkimor.

Takimu u zhvillua në kuadër të nismës #IGNITA – një platformë e mbështetur nga Fondacionet e Shoqërisë së Hapur – Ballkani Perëndimor (OSF-WB) që promovon bashkëpunimin rajonal dhe integrimin evropian përmes shkencës, inovacionit dhe mobilitetit.

Abi Dodbiba, eksperte e jashtme e “Nismës IGNITA”, e vendosi diskutimin në kuadrin më të gjerë të politikave të zgjerimit të BE-së dhe zhvillimit të kërkimit e inovacionit në rajon.

“Mobiliteti nuk duhet parë vetëm si lëvizje njerëzish, por si qarkullim idesh, njohurish dhe përvoje institucionale – një proces që duhet të jetë pjesë themelore e politikave të konvergjencës me Bashkimin Evropian”, vuri në dukje ajo në fjalën e saj.

Duke shtuar më tej se ndonëse Ballkani Perëndimor ka shënuar përparime të dukshme në fushën e shkencës dhe inovacionit, bashkëpunimi ndërmjet institucioneve mbetet ende i fragmentuar.

Tryeza mblodhi përfaqësues nga institucionet e BE-së, mekanizmat e bashkëpunimit rajonal, akademisë, shoqërië civile, institutet kërkimore dhe diaspora e Ballkanit Perëndimor, të cilët shkëmbyen ide mbi mënyrat se si kërkimi dhe inovacioni i bazuar në mobilitet mund të shërbejnë si nxitës për afrimin e rajonit me familjen evropiane.

Diskutimi u zhvillua në një kontekst të ri angazhimi për shkencën dhe inovacionin, të reflektuar në Planin e Rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor dhe në rezultatet e Samitit të Procesit të Berlinit në Londër, që theksuan rolin e kërkimit dhe arsimit jo vetëm si motorë ekonomikë, por si shtylla të qëndrueshmërisë demokratike dhe kohezionit social.

Duke iu referuar Takimit Ministror BE – Ballkani Perëndimor për Kërkimin dhe Inovacionin dhe Samiti i Procesit të Berlinit në Londër, Blerjana Bino prezantoi gjetje kyçe nga kërkimi i nismës IGNITA, të cilat tregojnë se investimet publike në kërkim dhe zhvillim në rajon mbeten nën 1% të Produktit të Brendshëm Bruto (PBB), autonomia universitare është ende e brishtë, ndërsa mobiliteti akademik shpesh përkthehet në “rrjedhje truri”, në vend të “qarkullimit të trurit”, për shkak të mungesës së mekanizmave të qëndrueshëm për riintegrimin e studiuesve.

Ajo bëri thirrje për një kalim nga përafrimi në letër në pjesëmarrje reale, duke theksuar se “kërkimi dhe inovacioni pasqyrojnë themelet tona demokratike”.

Bino nënvizoi se SCiDEV avokon për reciprocitet me diasporën përmes bursave, programeve të mentorimit dhe projekteve të bashkëdrejtuara, të cilat synojnë të kthejnë mobilitetin në angazhim afatgjatë dhe bashkëkrijim institucional.

“Pa investime strukturore dhe lidership institucional, Ballkani Perëndimor do të mbetet i përafruar në letër, por periferik në praktikë”, përfundoi ajo.

Në fjalën e tij, Ambasador Ferit Hoxha, përfaqësues i Shqipërisë në Bashkimin Evropian, theksoi rëndësinë strategjike të momentit për vendin dhe për rajonin, teksa Shqipëria përgatitet për hapat e ardhshëm drejt integrimit evropian deri në vitin 2027.  Ai vuri në dukje se diaspora shqiptare dhe ajo e Ballkanit Perëndimor përfaqëson një aset strategjik, jo thjesht simbolik – një fuqi mendimi dhe inovacioni, e cila mund të lidhet më ngushtë me zhvillimet vendore përmes mekanizmave efektivë të bashkëpunimit dhe politikave gjithëpërfshirëse.

Ambasadori Hoxha bëri thirrje për ta kthyer “rrjedhjen e trurit” në “qarkullim truri”, duke e parë procesin e zgjerimit të BE-së si një mundësi për lidhje të reja me idetë, dijen dhe inovacionin që diaspora mund të ofrojë.

Diskutimi vijoi me theksin tek bashkëpunimi rajonal dhe roli strategjik i diasporës në forcimin e kërkimit dhe inovacionit në Ballkanin Perëndimor.

Përfaqësues nga një sërë institucionesh ndërkombëtare dhe rajonale sollën perspektiva konkrete për mënyrat se si rajoni mund të ndërtojë ura efektive midis akademisë, biznesit dhe politikëbërjes.