Dezinformimi në mediat shqiptare: Propaganda anti-Ukrainë
Deklaratat e kryeministrit hungarez Viktor Orban për Ukrainën u përhapën në mediat shqiptare pa kontekst dhe verifikim burimesh. Ekspertët theksojnë se bëhet fjalë për një qëndrim të izoluar politik, i amplifikuar nga rrjete mediatike me prirje dezinformuese. Narrativa synon të nxisë frikë dhe të dobësojë besimin publik ndaj BE-së dhe NATO-s.
Protestë për luftën e Rusisë në Ukrainë. Burimi: Pexels
Kohët e fundit, disa media shqiptare kanë qarkulluar deklarata të kryeministrit hungarez, Viktor Orban, se anëtarësimi i Ukrainës në Bashkimin Evropian (BE) dhe NATO mund të shkaktojë një luftë në Evropë.
Lajmi u përhap gjerësisht në portalet online shqiptare, pa verifikim burimesh apo konteksti, ndërsa narrativa qarkulloi fillimisht në median shtetërore hungareze dhe platformat pro-ruse, përpara se të riciklohej edhe në Shqipëri.
Pretendimi
“Anëtarësimi i Ukrainës në BE dhe NATO do të sillte luftë në Europë.”
Çfarë u publikua
Në fund të janarit 2026, disa portale shqiptare rikthyen narrativën e një lufte të mundshme në Evropë, duke i dhënë hapësirë një deklarate të kryeministrit hungarez Viktor Orban, në radion shtetërore hungareze “Kossuth”. Në artikuj citohej Orban: “Anëtarësimi i Ukrainës do të ishte një rrugë drejt luftës dhe shkatërrimit të tregut evropian.”
Lajmi u përhap më pas në mënyrë masive në mediat online, si deklaratë, por pa kontekst shpjegues mbi pozicionin zyrtar të BE-së apo NATO-s.
Deklarata të ngjashme të Orban mbi rrezikun e luftës nga anëtarësimi i Ukrainës kanë qarkulluar edhe më herët nga media në Shqipëri, sa herë ka zhvillime, vendimmarrje apo evente që kanë vëmendje të shtuar të publikut.
Verifikimi i burimit
Një kërkim online tregon se kjo narrativë është pasqyruar kryesisht nga media shtetërore hungareze dhe platforma pro-ruse, ndërsa mediat kryesore ndërkombëtare nuk i kanë dhënë vëmendje.
Çfarë thonë ekspertët
Gazetarja dhe ekspertja e verifikimit të fakteve, Viola Keta, thekson se deklarata të tilla, me formulime të forta dhe ultimative, përhapen përmes rrjeteve me interes destabilizues. Sipas saj, deklarata e Orban ndërthur disa elementë të ndjeshëm në debatet globale.
“Deklarata e Viktor Orban përfshin disa elementë që edhe sot janë në qendër të diskutimeve dhe vendimmarrjeve në nivel botëror. Ukraina, një vend në luftë, BE dhe NATO që përfaqësojnë entitete shumë të rëndësishme për qeverisjen, ruajtjen dhe mbarëvajtjen e unionit, dhe nga ana tjetër rreziku i luftës”, argumenton ajo.
Keta thekson se Shqipëria, si vend kandidat për BE dhe me nivel të lartë besimi publik ndaj unionit, mbetet gjithsesi terren i ndjeshëm ndaj këtyre narrativave.
“Fakti që Shqipëria është vend që ka hapur negociatat për anëtarësim ne Bashkimin Evropian, që besimi i qytetarëve në Shqipëri te ky union është më i lartë se tek vetë qeveria shqiptare, si dhe fakti që ideja e përhapjes së luftës ndikon drejtpërdrejt në interesin e qytetarëve, e bën Shqipërinë një tokë fertile për përhapjen dhe ndikimin nga këto lloj lajmesh”, thekson Keta.
Nga ana tjetër, drejtuesi ekzekutiv i Lëvizjes Evropiane në Shqipëri, Gledis Gjipali, argumenton se qëndrimi i Orban është i izoluar dhe nuk cënon unitetin e BE-së. “Është një qëndrim në kundërshtim me pozicionin e BE-së, e disa herë ka bllokuar iniciativat evropiane ku kërkohet një vendim me unanimitet.
Kryesisht është një qëndrim i izoluar nga vendet e tjera, pavarësisht se në disa raste ka pasur mbështetje nga disa vende të tjera, kryesisht në kundërshtim të sanksioneve që prekin interesat e drejtpërdrejta të tyre”, thekson Gjipali.
Sipas tij, kundërshtimet ndaj anëtarësimit të Ukrainës lidhen më shumë me interesa ekonomike dhe politike.
“Rasti i Ukrainës është një rast i veçantë, pasi disa vende evropiane kanë interesa ekonomike e tregtare me Rusinë të cilat janë prekur nga lufta. Kundërshtimi në këtë rast shihet më shumë në dritën e interesave ekonomike të momentit sesa një kundërshtim në parim i procesit të zgjerimit”, argumenton Gjipali.
Sipas ekspertit, shpesh këto narrativa theksohen në fushatat elektorale që janë ngushtësisht të lidhura me politikën e brendshme të ditës.
“Forcimi i krahëve ekstremë të politikës në vitet e fundit e ka sjellë më shpesh në debatin publik këtë retorikë”, nënvizon eksperti.
Konteksti
Gledis Gjipali, drejtues ekzekutiv i Lëvizjes Europiane në Shqipëri, nënvizon se kjo narrativë niset nga premisat aktuale, që e sheh Ukrainën si një vend në luftë e që rrjedhimisht nuk mund të anëtarësohet përpara një marrëveshjeje të qëndrueshme paqeje.
Sipas nje raporti të BIRN, përmbajtje të tilla përdoren për të krijuar frikë dhe për të dobësuar besimin e qytetarëve tek institucionet evropiane.
“Pretendimet e pabazuara përhapen nga Rusia, e cila, deri tani, nuk ka treguar vullnet për arritjen e paqes si dhe nga aktorë evropianë që mbështesin politikën e Rusisë”, thekson studimi i BIRN.
Më tej, raporti nënvizon: “Anëtarësimi i një vendi si Ukraina në BE sjell përfitime ekonomike për të dyja palët. Ukraina do të përfitojë nga investimet, ndihma dhe tregtia e lirë që ofron BE-ja, ndërsa BE-ja do të përfitojë nga pasuria e burimeve dhe tregu i ri i konsumatorëve. Anëtarësimi i Ukrainës mund të rrisë stabilitetin në rajon, ndërkohë që BE-ja ka mekanizma për të mbështetur vendet që janë në zhvillim, duke siguruar që çdo krizë të mund të menaxhohet pa rrezikuar qëndrueshmërinë e unionit”.
Pretendimi se anëtarësimi i Ukrainës në BE dhe NATO “do të shkaktonte luftë në Evropë” është i pabazuar në fakte dhe lidhet me një narrativë më të hershme dezinformuese që synon të nxisë panik dhe përçarje në opinionin publik, si dhe ulje të besueshmërisë tek NATO dhe BE.