Dështon tenderi për portin e ri të Durrësit, qeveria paralajmëron “skenar tjetër”  

Tenderi për ndërtimin e portit të ri tregtar të Durrësit në Porto-Romano është anuluar pasi ofertuesi i vetëm në garë u tërhoq. Projekti, me vlerë rreth 400 milionë euro, synon zhvendosjen e aktivitetit tregtar nga porti aktual i Durrësit në Porto-Romano.

Procedura e prokurimit për ndërtimin e portit të ri tregtar në Porto-Romano u mbyll pa fitues pasi ofertuesi i vetëm në garë u tërhoq për arsye ekonomike, zhvillim që u konfirmua nga ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë gjatë deklaratës pas mbledhjes së qeverisë më 11 mars.

“Kemi një tërheqje të ofertuesit të vetëm, me një arsye krejtësisht ekonomike”, deklaroi ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, gjatë një deklarate për shtyp. 

Ministri sqaroi se tërheqja e kompanisë lidhet me rritjen e kostove dhe efektet e krizave ekonomike, duke bërë që procedura e prokurimit të mbetet pa ofertues në fazën finale. Ai shtoi se qeveria do të rishikojë mënyrën e zhvillimit të projektit dhe do të ndërtojë një qasje tjetër për realizimin e portit.

“Do të ndërtohet një skenar tjetër”, tha Karakaçi, duke kujtuar edhe deklaratat e kryeministrit Edi Rama se ka aktorë që po përpiqen ta frenojnë ose ta sabotojnë projektin. 

Projekti për portin e ri tregtar në Porto-Romano është një nga investimet më të mëdha infrastrukturore të planifikuara nga qeveria në vitet e fundit. Faza e parë e tij ka një fond limit prej rreth 39.3 miliardë lekësh, ose afro 390 milionë euro.

Sipas dokumenteve të tenderit, punimet e kësaj faze pritet të zgjasin rreth 1220 ditë, ose rreth tre vite e gjysmë. Ndërtimi përfshin krijimin e kanaleve të afrimit për anijet, baseneve të portit dhe zonave të manovrimit, si dhe zgjerimin dhe rehabilitimin e strukturave mbrojtëse ujore.

Në projekt parashikohet gjithashtu krijimi i sipërfaqeve të reja tokësore për zhvillimin e terminaleve, ndërtimi i godinave administrative dhe instalimi i infrastrukturës mbështetëse si furnizimi me ujë, energjia elektrike, ndriçimi, komunikimet dhe sistemet e sigurisë.

Tenderi u hap në fund të vitit 2024 me pjesëmarrjen e operatorëve ndërkombëtarë. Gjatë procesit disa kompani të mëdha europiane u përjashtuan nga gara për arsye procedurale, duke e reduktuar konkurrencën në fazat përfundimtare.

Porti i ri në Porto-Romano parashikohet të marrë aktivitetin tregtar të portit aktual të Durrësit, ndërsa zona ku ndodhet sot porti pritet të zhvillohet për projekte të tjera ekonomike dhe turistike.

Procesi i tenderimit për këtë projekt është shoqëruar edhe me tensione politike dhe verifikime nga Prokuroria e Posaçme, e cila flitet se ka sekuestruar dokumente në Autoritetin Portual Durrës në kuadër të hetimeve mbi procedurat e prokurimit. Porti i ri në Porto-Romano vlerësohet si pjesë kyçe e planit për riorganizimin e aktivitetit portual, ndërsa qeveria ka parashikuar që financimi i projektit të vijë nga një kombinim fondesh publike dhe investimesh private.