Dëmtimi i rrugës antike nga punimet e HEC-it, u fshi me një të rënë lapsi

Ekspertiza e një topografi, bazuar mbi fotografi të dhëna nga kompania koncesionare nën akuzë për dëmtimin e një segmenti kalldrëmi që sipas arkeologëve i përket një degëzimi të rrugës Egnatia, i mjaftoi Prokurorisë së Pogradecit për të pushuar hetimet, ndërkohë që institucionet e trashëgimisë kulturore bënë një sy qorr.  

 *Autor: Geri Emiri | BIRN | Tiranë

Me 14 tetor 2017, në policinë e Pogradecit u regjistruar një denoncim për dëmtimin e një degëzimi të rrugës antike që sipas arkeologëve ka lidhur krahinën e Mokrës me rrugën romake “Via Egnatia, si rrjedhojë e punimeve për ndërtimin e digës së hidrocentralit “Slabinja 2D”.

Sipas denoncimit mbi një pjesë të kësaj rruge prej kalldrëmi mijëra vjeçare, janë hedhur inerte e shkëmbinj dhe është përdorur për kalimin e automjeteve, të cilat kanë thërrmuar pjesë të saj dhe e kanë dëmtuar atë në pika të ndryshme.

Segmenti i dëmtuar i rrugës antike ishte identifikuar “si i ruajtur relativisht shumë mirë” në tetor të vitit 2017, në një studim të kompanisë të specializuar në arkeologji “K.A.E.XH” sh.p.k – të kryer për llogari të kompanisë që po ndërton hidrocentralin. Një vit më vonë, pjesë të një kalldrëmi që ngjajnë me përshkrimin e bërë prej kompanisë arkeologjike, ishin akoma të dukshme në zonën e  Mokrrës.

Megjithatë, një hetim i Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Pogradec i nisur pas referimit prej policisë së këtij qyteti për dëmtim të kësaj rruge nga kompania “Hidropoëer Elektrik” sh.p.k, arriti në përfundimin që aty nuk kishte rrugë dhe asnjë gjurmë të ‘Via Egnatia.’

“Nga këqyrja e vendit të ngjarjes dhe akti i ekspertimit nuk rezultoi gjurmë rruge “Egnatia” në vendin e ndërtimit të HEC,” shkruhet në përgjigjen zyrtare që Prokuroria e Pogradecit i solli BIRN.  Ky përfundim nga organi i akuzës u arrit mbi raportin e një eksperti topograf.

Raporti mbi me të cilin Gjykata e Rrethit Gjyqësor Pogradec pranoi pushimin kërkesën e Prokurorisë për pushimin e hetimeve, shprehet se në zonën ku punohej nuk kishte fare rrugë. Megjithatë, në dëshminë e dhënë nga punonjës të kompanisë ndërtuese në të njëjtën gjykatë, pranohet hedhja e inerteve në një rrugë dytësore.

Sipas arkeologut Neritan Ceka një ekspertizë të tillë është asgjë më shumë se “një falsifikim”.

“Nuk mund të shkojë [për të bërë ekspertizë] një person pa njohuritë e nevojshme, sepse duhet një arkeolog i licencuar që të bëjë ekspertizën,” u shpreh ai.

Institucionet e kulturës përgjegjëse për mbrojtjen e gjetjeve arkeologjike, përfshi Agjencinë e Shërbimit Arkeologjik – përgjegjëse për monitorimin e ndërtimeve që përfshijë zona me potencial arkeologjik dhe Drejtorinë Rajonale të Kulturës Korçë, i thanë BIRN se nuk ishin kontaktuar nga prokuroria.

BIRN nuk arriti të kontaktonte me drejtues të kompanisë ‘Hidropower Elektrik”, e cila ka qenë përgjegjëse për ndërtimin e digës. Disa muaj më vonë, një paketë prej 34 % të aksioneve nga kjo kompani ju shit shoqërisë Energjia Ekologjike’ – në pronësi të Kishës Ortodokse. Pjesa tjetër, prej 65.34 zotërohet nga kompania “Wondervolt 2018”

“Ne nuk do të pranojmë asnjë dëm, pasi ju e dini që është kisha, asnjë dëm tek monumentet e kulturës,” tha Hallarambe Gjoka administrator i kompanisë ‘Energjia Ekologjike.’ Gjoka megjithatë shtoi se nuk mund të fliste për ngjarjen që kishin ndodhur para se ata të bëheshin pjesë e kompanisë.

Rruga e dëmtuar

Gjurma e rrugës antike në kanionin e Llëngës. Foto nga : Geri Emiri

“Via Egnatia” u ndërtua rreth shekullit të dytë para krishtit për të lidhur Romën me Kostandinopojën dhe kalonte përmes disa degëzimeve duke nisut nga Durrësi apo Apolonia përmes territorit të Shqipërisë së sotme.

Rruga që sipas policisë dhe siç pranohet nga punonjësit e kompanisë është mbuluar me gurë e shkëmbinj, është identifikuar në disa studime përfshi vëzhgimin e fundit arkeologjik të porositur nga vetë kompania që po ndërton HEC-in, si një degëzim i rrugës ‘Egnatia.’

Në librin “Rrugë dhe ura të vjetra në Shqipëri” të botuar në vitin 1997, specialisti i monumenteve të kulturës Valter Shtylla, i referohet kalldrëmit në kanionin e Llëngës si kalldrëmi i një rruge romake, i ngjashëm me Egnatian, duke shërbyer si degëzim i saj.

“Në Grykën e Llëngës, në Mokër të Pogradecit, ruhen gjurmë kalldrëmi të njëjtë me atë të rrugës Egnatia, që lidhte zonën e Bishnicës me Korçën”, shkruhet në librin e Shtyllës.

Prania e degëzimit në këtë zonë përmendet edhe në botime më të hershme të cituara edhe në vëzhgimin sipërfaqësor të “K.A.E.XH” sh.p.k.

Arkeologu Neritan Ceka nisur nga fotografitë të bëra në vendin ku është konstatuar dëmtimi, tha se degëzimi mund të jetë më i ri se Egnatia. Ceka megjithatë e quan atë të “jashtëzakonshëm” dhe kërkon “mbrojtje të menjëhershme”. Ai shtoi se “përcaktimi i kohës kur i përket rruga mund të bëhet vetëm në se studiohet lidhja e saj me vendbanimet të cilave u shërbente”.

Kalldrëmi gjendet në  Kanionin e Llëngës, monument i mbrojtur natyre që ndodhet në malësinë e Mokrës  në Pogradec. Sipas burimeve të antikitetit kjo zonë ka qenë e banuar nga fiset ilire Enkeleasi dhe Desaretët.

Zona konsiderohet mjaft e rëndësishme për arkeologjinë shqiptare pasi gati gjysma e monumenteve të kulturës në Pogradec gjenden në këtë malësi, duke nisur që nga Varret Ilire të Selcës së Poshtme, e deri tek manastiret mesjetare, si ai i “Shën Marenës” – dy site arkeologjike jo shumë larg zonës ku ndodhi dëmtimi.

“Është një monument i jashtëzakonshëm për vendin ku gjendet dhe kombinimin me kanionin, prandaj është urgjente vënia në mbrojtje nga Instituti i Monumenteve”, tha Ceka.

Për shkak të mungesës së një ekspertize nga arkeologë, është e paqartë se çfarë është mbuluar nga shkëmbinjtë dhe cili është dëmi konkret në rrugë. Agjencia e Shërbimit Arkeologjik dhe Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare Korçë, i thanë BIRN se do të nisnin verifikimin në terren, por deri në momentin e publikimit të këtij shkrimi nuk ka ende asnjë përgjigje mbi rezultate konkrete të këtij verifikimi.

Hidrocentralet Slabinja

Hidrocentralet Slabinja u miratuan në prill 2008, pas një kontrate midis Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës dhe shoqërisë “L.N.K” sh.p.k. Koncensioni parashikonte ndërtimin e 5 hidrocentraleve të vegjël në ish-komunën Velçan, Pogradec, me afat shfrytëzimi 35 vite dhe me të drejtë shtyrje të kontratës.

HEC-i i parë, “Slabinja 1”, u vu në punë në vitin 2012, ndërsa vijon ndërtimi i të tjerëve, që emërtohen sipas radhës; “Slabinja 2E, Slabinja 2D&2D/1, Slabinja 2C dhe Slabinja 2B.

Rreth një muaj përpara denoncimit të dëmtimit, më 12 shtator 2017 midis shoqërisë ndërtuese “HidroPower Elektrik” dhe ministrisë së Energjisë dhe Industrisë, u bënë disa ndryshime në kontratën e koncensionit, ku nga 5 HEC-e u eliminua HEC-i “Slabinja 2A” dhe u rrit fuqia prodhuese e energjisë, nga 13.8 MW, në 15 MW, me një investim rreth 1 miliard lekë.

Sipas dokumenteve të siguruara nga BIRN, heqja e HEC Slabinja 2A nga projekti u bë për shkak se pellgu ujëmbledhës ishte i vogël. Më datë 25 qershor 2018, Enti Rregullator i Energjisë, ERE, nisi shqyrtimin e kërkesës së shoqërisë  “HidroPower Elektrik” për modifikimin e licencës për prodhimin e energjisë.

Në shkresën dërguar ERE ku kërkohet ndryshimi i licencës, kompania pranon “problemet arkeologjike”, duke i lidhur ato kryesisht me HEC-in “Slabinja 2A”,  i cili po ashtu do të ndërtohej pranë rrugës romake dhe urës monument kulture “Jollë – Llëngë”.

“Në disa segmente gjurma kalonte në zona natyrore dhe arkeologjike të mbrojtura …edhe pse të konstatuara me vonesë”, thuhet në letrën e kompanisë drejtuar ERE.

Hetimet “zhdukin” rrugën

Hyrja e kanionit të Llëngës, monument natyre. Foto nga: Geri Emiri

Megjithatë qëndrimet e vetë kompanisë në këtë rast dhe studimi arkeologjik sipërfaqësorë nuk duket se kanë pasur ndikimin në vendimin e Prokurorisë dhe më pas të Gjykatës së Pogradecit. Në vendimin e gjykatës dhe në përgjigjet e marra nga BIRN nuk referohet asnjë nga dokumentet që dëshmojnë praninë e rrugës antike, përfshi studimin e “K.A.E.XH” sh.p.k.

Hetimet për dëmtimin e rrugë filluan në tetor 2017, kur policia e Pogradecit mori një denoncim kundër kompanisë. Kallëzuesi thoshte se kompania “Hidropower Elektrik” sh.p.k – e cila po ndërton një seri HEC-sh në përroin e Llëngës, degë e Shkumbinit, kishte dëmtuar pjesë të rrugës antike.  Më 14 tetor policia regjistroi procedimin penal në gjendje të lirë për administratorin e kompanisë Enklev Kurti dhe referoi në prokurori kallëzimin ndaj tij për “dëmtim rruge”.

Hetimet e organit të akuzës zgjatën deri në maj 2018, kur nga prokurori Shkëlqim Kokona  iu kërkua Gjykatës së Pogradecit pushimi i tyre, pasi në vendin e ngjarjes nuk kishte rrugë dhe nuk kishte as rrugë Egnatia.

Bazuar mbi këtë kërkesë të prokurorisë gjykata mori vendim më 6 qershor 2018 për të pushuar hetimet. Sipas Prokurorisë së Pogradecit, vendimi për pushimin e hetimeve u bazua në ekspertizës e një topografi i cili shkroi se në zonë “para fillimit të punimeve nuk kemi gjurmë të ndonjë rruge (qoftë kjo dhe rruga Egnatia)”.

Topografi thotë në ekspertizë, se në konkluzionin  e tij ishte bazuar në vëzhgimet e bëra në terren, foto të marra nga kompania e kallëzuar para fillimit të punimeve dhe foto satelitore që i janë bashkëlidhur ekspertizës.

Po ashtu, në përgjigje të një kërkesë për informacion, Prokuroria e Pogradecit shtoi edhe se gjurmët e rrugës ‘Egnatia’ nuk mbërrinin deri në Pogradec, por gjendeshin “deri në Qukës” të Librazhdit. Në vendimin e arsyetuar të Gjykatës së Pogradecit nënvizohet se nuk mund të kishte vepër penale të dëmtimit të rrugës, sa kohë në zonë nuk kishte asnjë rrugë.

Ndryshe nga prokuroria, studimi i kompanisë së specializuar arkeologjike “K.A.E.XH” sh.p.k, i përpiluar në tetor 2017 – rreth kohës kur edhe është denoncuar dëmtimi, thekson se gjatë vëzhgimit në zonë u gjetën pjesë të kalldrëmit të rrugës.

“Në këtë trakt përfshihet edhe kanioni i Shkumbinit, në të cilin gjendet një kalldrëm romak me gjatësi rreth 100 metra. Ky trakt përfundon në hyrjen e kanionit, ku është ndërtuar vepra e marrjes së Hec-it Slabinja 2D [diga]”, shkruhet në raport. Në një pikë tjetër raporti thekson se kalldrëmi ishte rreth 300 metra dhe i ruajtur relativisht mirë.

Bazuar në këtë raport, Këshilli Kombëtar i Arkeologjisë më 13 dhjetor 2017, e ka urdhëruar shoqërinë që po ndërton HEC-et që; “të mos kryhet asnjë lloj punimi apo lëvizje, në zonën e shtrirjes së traktit të periudhës romake” dhe “punimet duhet të monitorohen çdo ditë nga arkeologët.”

Megjithatë, përpos urdhrit të KKA-së edhe pas raportimit nga policia për dëmtimin e kalldrëmit, kompania vijoi me hapjen e rrugës që i shërben hidrocentralit, ndërsa rruga antike vazhdoi të përdoret prej saj për kalimin e automjeteve.

Ndërhyrja e kompanisë ndërtuese në kanionin e Llëngës, i cili është Monument Natyre që prej vitit 2002, është konstatuar edhe nga Administrata e Zonave të Mbrojtura Korçë, e cila i dërgoi BIRN një procesverbal në të cilin përshkruhej puna e kompanisë.

“Me datën 07.02.2018, AdZM-ja Korçë me grup pune ka verifikuar gjendjen në vend [dhe] ka konstatuar shkelje të ligjit, për të cilin mbajti proces-verbal konstatimi për hyrje dalje të mjeteve të transportit në kanion dhe i’a kaloi për ndjekje të mëtejshme Inspektoriatit Shtetëror të Mjedisit dhe Pyjeve (ISHMP)”, tha AdZM. Administrata e Zonave të Mbrojtura shtoi se pas referimit të saj. ISHMP kishte marrë masë administrative ndaj kompanisë.

Zhvendosja e ‘kanionit’ të mbrojtur

Gjurmë e rrugës antike në kanionin e Llëngës. Foto nga : Geri Emiri

Gjatë viteve 2015-2018 AdZM Korçë ka mbajtur një sërë procesverbalesh mbi ndërhyrjen e kompanisë në kanionin e Llëngës. BIRN zbuloi që këto dokumente janë kontradiktorë me njeri-tjetrin.

Sipas shkresave që iu dërguan BIRN pas një kërkesë për të drejtë informimi, në shtator 2016 inspektorët e AdZm kishin konstatuar ndërhyrje të kompanisë në zonën e mbrojtur. Në procesverbal thuaj se brenda kanionit ishin “ndërtuar mure betoni”. Po aty shtohet se kompania kishte ndërmend ta përdorte kanionin për të kryer transport.

Megjithatë, në një dokument të dytë rezulton se AdZM nuk ishte e qartë për kufijtë e kanionit. Në 11 tetor 2017, pak ditë para se të denoncohej dëmtimi i rrugës antike, AdZM kërkonte ekspertizë për të përcaktuar kufijtë e kanionit dhe nëse ato ishin prekur nga ndërtimi.

Në dokument del se ky përcaktim kufijsh u bë bashkë me përfaqësues të kompanisë dhe më pas diga rezultoi të ishte jashtë kanionit të mbrojtur. Megjithatë AdZM pranoi se edhe pas këtij caktimi kufijsh kompania kishte shkelur brenda kanionit.

Nga shqyrtimi i dokumentacionit BIRN gjeti edhe një sërë kontradiktash të tjera. Kështu në shkresën drejtuar ERE kompania pretendon se Këshillit Kombëtar të Arkeologjisë, pasi shqyrtoi raportin e vëzhgimit sipërfaqësor në kuadër të zbatimit të projektit të HEC- eve, me vendimin nr. 239, datë 07 prill 2017, e miratoi lejen për këtë projekt.

Por BIRN gjeti se data e përmendur nga kompania si kohë e marrjes së këtij vendimi është e pasaktë. Raporti i vëzhgimit sipërfaqësor të cilit i referohet kjo shkresë rezultoi se është përpiluar vetëm në tetor 2017.

Dokumentet e siguruara nga BIRN tregojnë s Këshilli Kombëtar i Arkeologjisë, ka dhënë vendim mbi këtë projekt vetëm më datë 14 dhjetor 2017 – dy muaj pas raportimit nga policia për dëmtimin e rrugës romake. Po ashtu deri në fund të vitit 2017 KKA nuk e kishte miratuar lejen siç pretendon kompania. Ndryshe, ky institucion e ka urdhëruar kompaninë që nga punimet të mos preket rruga romake, si dhe të lidhet marrëveshje për monitorimin ditor të punimeve me arkeolog.

Ndërkohë në janar 2018 një tjetër këshilli kombëtar, ai i Restaurimeve, miratoi ndërtimin nga HEC Slabinja 2C në HEC Slabinja 2D, zonë në të cilën ndodhet sipas  studimit arkeologjik edhe segmenti i kalldrëmit të vjetër.

Këshilli i Restaurimeve po ashtu vendosi që kompania “Hidropower Elektrik” sh.p.k, “në këmbim” do të kryej restaurimin e një prej monumenteve simbol të zonës së Mokrës, “Urës së Golikut”. Po ashtu shoqëria caktohet që të kontribuojë edhe për vendosjen e sinjalistikës në monumentin e kulturës, “Shkëmbi i Qytetit – Shpella e Mokrës”.

Megjithatë në një përgjigje të marrë nga Instituti i Monumenteve – pjesë e Këshilli Kombëtar të Restaurimeve, rezulton se deri në tetor 2018, nuk ekzistonte një kontratë me kompaninë për të bërë këto restaurime.

Qëndrimet krejtësisht të ndryshme të dy këshillave kombëtar në varësi të Ministrisë së Kulturës, nuk ishin të vetmet në këtë rast.

Drejtoria Rajonale e Kulturës Korçë (DRKK), në një korrespondencë me Institutin e Monumenteve të Kulturës në 30 tetor 2017 – 16 ditë pas denoncimit të ngjarjes, pasi kryen inspektimin në terren del në përfundimin se “…ndërtimi i HEC-eve nuk dëmton asnjë monument kulture apo potencial arkeologjik”.

Vetëm një muaj më pas, më 30 nëntor 2017, DRK Korçë “zbulon” rrugën romake që në fakt përmendej në studimet e disa dekadave më parë! Ajo këtë herë informon Institutin e Monumenteve të Kulturës dhe Agjencinë e Shërbimit Arkeologjik, se “…në hapësirën e HEC-it Slabinjë 2C deri në veprën e marrjes së HEC-it Slabinja 2D [vendi i ngjarjes sipas policisë], në anën e majtë të luginës “ekziston një kalldrëm i periudhës romake, që nuk gëzon statusin monument kulture”.

Arkeologu Ceka i tha BIRN se KKA duhej të kishte inspektuar zonën që prej shfaqjes së problematikës dhe të marrte në mbrojtje kalldrëmin. Ai fajësoi ASHA-në dhe Institutin e Monumenteve se janë hije e asaj që duhej të ishin dhe se ishin kthyer në “shtratin ku fle i qetë shkatërrimi i monumenteve, pasi i ka shkatërruar monumentet”.

*SHËNIM: Ky shkrim është publikuar nga autori më datë 17 nëntor 2018 në median Reporter.al dhe po ripublikohet këtu në përputhje me “politikat e ripublikimit” të BIRN Albania.


Notice: ob_end_flush(): failed to send buffer of zlib output compression (0) in /home3/nwmcvqij/public_html/wp-includes/functions.php on line 5109