Butrinti, forum i helenëve, romakëve, bizantinëve, venedikasve dhe osmanëve

 

FOTOREPORTAZH/

​Në jug të qytetit të Sarandës, mbi një kodër në gadishullin e Ksamilit, përkundrejt ishullit të Korfuzit, gjendet qyteti antik i Butrintit (Buthrotos), i themeluar në fillimin e shekullit të VII para erës sonë.

Mbi majën e një kodre, e cila laget nga të trija anët me ujë, fshihet kjo mrekulli që përfaqëson periudha të ndryshme të zhvillimit të shoqërisë. Në lindje dhe verilindje të kodrës, shtrihet liqeni i Butrintit, kurse nga jugu kalon kanali që lidh liqenin me detin Jon.

Parku natyror i Butrintit është i një rëndësie të madhe për konservimin global të biodiversitetit, pasi është siti i 16 specieve të rrezikuara të florës dhe i 14 specieve të rrezikuara të faunës. Sipas informacioneve të projektit EX.PO AUS (Zgjerimi i Potencialeve të Siteve të UNESCO-s në rajonin e Adriatikut), zona ligatinore është formuar nga një lagunë tektonike prej 1600 ha, e njohur si Liqeni i Butrintit, e rrethuar nga brigje të pyllëzuara, male, ujë dhe këneta të njelmëta dhe lidhet me ngushticën e Korfuzit, nga Kanali i Vivarit. Butrinti strehon 17% të specieve të Shqipërisë.

“Kapsula e kohës” me emrin ‘Butrint’, ruan sot një sërë monumentesh, që nga tempujt helenikë të shek. IV para erës sonë, e deri tek kalatë osmane të fillimit të shek. XIX. Në bazë të mitologjisë klasike, Buthrotum u ndërtua nga mërgimtarët që ikën pasi ra Troja. Me të arritur, djali i Priamit, Helenusi, sakrifikoi një dem, i cili përpëlitej i plagosur dhe ngordhi në breg. Duke e marrë këtë si një shenjë të mbarë, vendi u quajt Buthrotum që do të thotë “dem i plagosur”. Poema epike e Virgjilit, Eneida, rrëfen për Eneun që vizitoi Butrintin gjatë rrugës së tij për në Itali.
Në vitin 228 para erës sonë, Butrinti ra nën sundimin Romak. Ndërtesa të reja u ndërtuan, përfshirë edhe një akuadukt (ujësjellës), banjë romake, disa shtëpi, forumi dhe nimfeu. Në fillim të shek. VI, “Buthrotum”-i u bë peshkopatë me ndërtime të reja, përfshirë një baptister të madh (një nga ndërtesat paleokristiane më të mëdha të tipit të tij) dhe një bazilikë. Ai u drejtua nga bizantinët. Veçanërisht, venedikasit dhe osmanët luftuan për Butrintin, derisa Shqipëria shpalli pavarësinë më 1912-ën.

Butrinti numëron një sërë xhevahirësh, si:
Teatri helenistik – Është ndërtuar i mbështetur në shpatin e kodrës së Akropolit, me pamje nga Kanali i Vivarit. Shfrytëzimi i shpatit natyror ofronte një zgjidhje praktike për vendin ku uleshin, dhe ky ishte një tipar i rëndomtë i teatrove antike greke. Teatri më i hershëm duket të ketë qenë shumë i vogël. Ndenjëset ishin të organizuara sipas një hierarkie, me ulëset më të afërta me skenën, të rezervuara për njerëzit më autoritarë. Rreshti i parë i ulëseve kishte pëpara vend për t’i pushuar këmbët dhe ishte i dekoruar me këmbë të bukura të luanit, kurse pas ulëseve kishte blloqe të rrafshta. Skena e ndërtesës është rimodeluar tërësisht gjatë periudhës romake, duke e bërë atë më të thellë dhe së paku dy kate më të lartë.

Pagëzimorja – Nga shekulli V pas erës së re, krishterimi po lulëzonte në Butrint dhe qyteti kishte peshkopin e tij. Baptisteri u ndërtua në çerekun e dytë të shek. VI pas erës së re dhe mund të ketë qenë punë e artizanëve lokal. Ai është baptisteri i dytë më i madh në Perandorinë Romake. Të gjitha aspektet e arkitekturës dhe të dekorimit (si dyshemeja me mozaik) e baptisterit është simbolikë e ritit të pagëzimit, me burimin në anën e tij të largët që përfaqëson burimin e jetës së përjetshme.

Të vizitosh periudhën kur mozaikët zbulohen, është vërtetë mbreslënëse. Ngritja dhe ulja sezonale e nivelit të ujit në lagunën përreth, shkakton lagien dhe tharjen e përsëritur të dyshemeve, duke ndikuar në dëmtimin e tyre, e si pasojë shumicën e kohës dyshemetë me mozaik qëndrojnë të mbuluara.

Kalaja Venedikase – U ndërtua në shekullin XIV nga venedikasit, në majën e kodrës, në anën perëndimore të pllajës së gjerë të akropolit antik. Kalaja të ofron një pamje të qartë të ngushticës së Korfuzit dhe Kanalit të Vivarit. Ndërtesat më të hershme u pastruan për t’i lënë vendin kalasë së re, e cila nisi me një fortifikim rrethues, me kulla vrojtimi dhe me vetëm një kullë të brendshme me dy kate.

Muzeu i Butrintit, i vendosur brenda kështjellës së rikonstruktuar të kodrës së akropolit, me rrethimet moderne dhe elegante u rinovua dhe u rihap në vitin 2005, për të shfaqur historinë e pasur dhe komplekse të kësaj treve.

Qyteti antik i Butrintit u shpall për herë të parë monument kulture në vitin 1948-të; Në vitin1999-të u regjistrua në listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s; Në vitin 2003 kompleksi ligatinor, përfshirë edhe pjesën e lagunës dhe zonën bregdetare të Butrintit, Kepin e Stillos, u shpallën Zonë Ramsar dhe Park Kombëtar (Kategoria II e IUNC-it, për Kategorinë e Menaxhimit të Zonave të Mbrojtura). Në sajë të rëndësisë së tij për të ruajtur trashëgiminë kulturore dhe arkeologjike, Butrinti u bë pjesë e Listës së Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s (Organizata për Edukim, Shkencë dhe Kulturë e Kombeve të Bashkuara). Një zonë prej 2900 ha, përfshirë peizazhe me rëndësi kulturore dhe vendosjet arkeologjike, u përfshi në UNESCO.