Bllokohen emigrantë, rasti ngre pikëpyetje për kalimet e paligjshme 

Një 27-vjeçar u arrestua në veri duke transportuar 6 migrantë kundrejt 650 eurove për person për kalim të paligjshëm të kufirit.Rasti vjen mes një pranie gjithnjë e më të dukshme të migrantëve në qytetet shqiptare, duke ngritur pikëpyetje për kalimet e paligjshme.

Një 27-vjeçar u arrestua në Koplik më 27 mars, pasi u kap në flagrancë duke transportuar me automjet 6 migrantë nga vendet e treta, kundrejt pagesës prej 650 euro për person, me qëllim kalimin e paligjshëm të kufirit drejt Malit të Zi. 

“Vihet në pranga shtetasi me  inicialet A. S., që ndihmonte emigrantë nga vendet e treta, kundrejt pagesës, për të kaluar kufijtë në mënyrë të paligjshme”, tha Policia e Shtetit në komunikatën për shtyp të premten. 

Sipas policisë, i riu dyshohet se ishte pjesë e një aktiviteti të organizuar për transportimin e migrantëve përgjatë territorit shqiptar.

“27-vjeçari u kap në flagrancë, në Koplik, duke transportuar me automjet, 6 emigrantë të cilët synonin të kalonin kufirin me Malin e Zi”, shkroi komunikata. 

Sipas policisë, ndaj 6 migrantëve nga Pakistani, Bangladeshi dhe Afganistani, mes tyre edhe një 16-vjeçar, nisi procedimi penal për hyrje të paligjshme në territorin shqiptar, ndërsa ata synonin të vijonin lëvizjen drejt Malit të Zi.

Rasti hedh dritë mbi mënyrën se si funksionojnë këto lëvizje, ku individë të ndryshëm përfshihen në transportimin e migrantëve kundrejt pagesës, duke e kthyer këtë në një aktivitet të përsëritur në zona të caktuara të vendit.

Sipas policisë, 6 migrantët  u kapën në Koplik, teksa kishin paguar nga 650 euro secili për t’u transportuar drejt kufirit me Malin e Zi. 

Në të njëjtën kohë, prania e migrantëve në qytete të ndryshme të Shqipërisë është bërë gjithnjë e më e dukshme, duke ngritur pikëpyetje mbi shkallën e këtij fenomeni, rrugët që ndiqen dhe kapacitetet për ta menaxhuar atë.

Ndërsa autoritetet vijojnë operacionet dhe hetimet, mbetet e paqartë sa i përhapur është ky aktivitet dhe në çfarë mase Shqipëria po konsolidohet si një pikë tranziti në rrugët migratore drejt vendeve të Bashkimit Europian.