Bilanci i zjarreve: Dy kisha u dëmtuan dhe një manastir u rrezikua

Dy kisha, njëra prej të cilave monument kulture u dëmtuan nga rënia e zjarreve gjatë 24 orëve të fundit në vendin tonë, ndërkohë që Manastiri i Shën Mërisë së Krimanovës u rrezikua pasi oborri i tij u përfshi nga flakët. Ministri i Ekonomisë Kulturës dhe Inovacionit bëri me dije se po mbahen nën monitorim monumentet e kulturës në zonat ku ka vatra zjarri.

Zjarri i rënë të mërkurën shkatërroi kishën e rinovuar në fshatin Lefterohor të Delvinës, duke e çuar në dy numrin e objeketve të kultit të dëmtuara nga rënia e zjarreve gjatë ditëve të fundit në vendin tonë, ndërsa në rrezik u vu edhe Manastiri i Shën Mërisë së Krimanovës, që ndodhet në fshatin Piqeras të Vlorës.

Banorët e fshati Lefterohor e gjetën veten të pafuqishëm për të shpëtuar nga djegia kishën lokale, e cila pak kohë më parë ishte rikonstruktuar, ndërsa të martën zjarri i rënë në çatinë e “Kishës së Profetit Ilia” në fshatin Lekël të Tepelenës solli dëmtimin e plotë të saj, por nuk depërtoi brenda objektit të kultit – që në këtë rast ishte edhe Monument Kulture i Kategorisë II.

Shqipëria është përfshirë gjatë kësaj jave të nxehtë gushti nga një valë e furishme zjarresh, një pjesë e të cilave ende vazhdojnë, ndërsa kanë lënë nga pas viktima, një bilanc të madh dëmesh dhe në disa raste kanë vënë në rrezik edhe trashëgiminë kulturore.

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit (MEKI), Blendi Gonxhja, me anë të një postimi në rrjetet sociale të mërkurën vonë bëri me dije se institucionet e trashëgimisë kulturore janë duke monitoruar situatën në terren dhe ofroi një bilanc të rasteve.

“Në qarkun Vlorë, i vetmi rast i prekur ka qenë Manastiri i Shën Mërisë së Krimanovës në fshatin Piqeras, ku flakët dëmtuan vetëm bimësinë në oborrin e pasëm të manastirit, pa cenuar strukturën”, u shpreh Gonxhja në postimin e tij të orëve të vona të mbrëmjes.

Duke përmendur Qarkun e Gjirokastrës, ku Kisha e Profetit Ilia, Monument Kulture i Kategorisë II, në fshatin Lekël pësoi dëmtime nga zjarri, Gonxhja tha se ka nisur puna për hartimin e projektit të restaurimit të këtij objekti kulti.

“Menjëherë pas evidentimit të nevojës për ndërhyrje, kemi nisur me hartimin e projektit”, u shpreh ai më tej.

Transparenca për situatën e zjarreve në vend dhe monumentet e kulturës duket të jetë monopolizuar nga ministri Gonxhja, pasi ministria nuk është shprehur ende zyrtarisht dhe më herët më 28 korrik Media Amfora pyeti zyrtarisht ministrinë, përmes një Kërkese për të Drejtë Informimi, por institucioni nuk u përgjigj deri në publikimin e këtij shkrimi.

Vera e këtij viti përveçse ka regjistruar temperatura mjaft të larta, ka shënuar një bilanc negativ për sa i përket vatrave të zjarrit, ku janë regjistruar 42 të tilla përgjatë muajve korrik dhe gusht. Zjarret shkaktuan një humbje jete dhe 8 të plagosur, dëme të mëdha materiale, ndërsa flakët prekën edhe objektet e trashëgimisë kulturore, ku përgjatë korrikut u dogj edhe “Kisha e Shën Athanasit” në fshatin Vergo, po në Delvinë.