Biblioteka e Durrësit, më shumë fonde për qira objekti sesa për libra
Biblioteka Publike e Durrësit vijon të funksionojë në dy mjedise të ndara, ndërsa bashkia e qytetit paguan më shumë për qira objekti sesa për pasurimin me libra, ndërkohë që ndërtesa qëndrore ka nevojë për ndërhyrje urgjente.

Biblioteka Publike në Durrës. Foto: Media Amfora
Biblioteka Publike e Durrësit, e hapur më 10 shtator 1945 si një institucion i rëndësishëm i dijes dhe kulturës, ndodhet në rrugën ‘Karl Topia’, pranë sheshit ‘Liria’ në qytetin bgredetar. Sot ajo mbetet një pikë reference për lexuesit, por funksionon në hapësira të ndara, ndërkohë që pjesa më e madhe e fondeve publike shpenzohen për qira objekti dhe jo për pasurimin e fondit me libra të rinj.
“Institucioni ushtron veprimtarinë në dy mjedise fizikisht të ndara nga njëra-tjetra. Në godinën qëndrore kemi sektorin e huazimit të Librit dhe Periodikut në gjuhën shqipe, Sektorin e Albanologjisë dhe Muzikologjisë dhe atë të Pasurim-Klasifikimit dhe katalogimit të librit. Mjedisi i dytë ku depozitohet dhe huazohet pasuria e bibliotekës, është një kat i Mauzoleumit të Dëshmorëve, në këtë mjedis ushtron veprimtarinë e saj Biblioteka Britanike dhe Biblioteka e Fëmijëve”, shpjegoi më herët Mirela Ylli, drejtoresha e institucionit, për Median Amfora.
Ndërtesa qëndrore e bibliotekës me rreth 300 mijë tituj librash dhe periodikësh, prej vitesh i është kthyer ish-pronarëve dhe bashkia nuk ka bërë realitet premtimin për ndërtimin e një objekti të denjë për këtë institucion të rëndësishëm për kulturën në qytet.
Nga të dhënat financiare të bëra publike nga vetë institucioni, rezulton se në pesë vitet e fundit (2021–2025), janë shpenzuar 22.3 milionë lekë (rreth 222 mijë euro) për qira dhe mirëmbajtje, ndërsa për pasurimin me libra janë vënë në dispozicion vetëm 5.8 milionë lekë (rreth 53 mijë euro).
Ndërtesa kryesore që ndodhet shumë pranë qendrës së qytetit dukshëm ka ngelur në harresë të plotë. Ajo ka nevojë urgjente për ndëryrje në mjediset e brendshme dhe të jashtme, ndërsa në pesë vitet e fundit nuk janë blerë më shumë se rreth 5000 tituj të rinj librash.
“Fondi për pasurim që bashkia i vë në dispozicion bibliotekës bëhet në bazë të kërkesave që paraqet vetë institucioni. Janë blerë 1241 tituj të rinj dhe janë siguruar 5082 burime informacioni në pesë vitet e fundit”, shpjegoi më herët drejtuesja Ylli.
Ndërtimi i një ndërtese të rë për bibliotekën e qytetit, ku të jenë të përfshirë të gjithë sektorët ka qenë premtimi i të gjithë kryetarëve të bashkisë të Durrësit ndër vite, por që nuk është bërë ende realitet.
Më 7 qershor 2022 kryetarja e sapo zgjedhur e bashkisë, Emiriana Sako nënshkroi me Qendrën për Zhvillimin e Shoqërisë Civile Durrës një kontratë sociale, që kishte si qëllim zotimin për prioritet kryesore në krye të institucionit nga Sako. Në kontratën sociale, ndërtimi i një godine të re për bibliotekën u rendit ndër tre prioritetet kryesore. Por tre vite më pas, ky zotim duket ende larg edhe pse amortizimi i ndërtesës qëndrore e kanë bërë këtë projekt një domosdoshmëri për qytetin.