Besimtarët ortodoksë dhe katolikë kremtojnë bashkë Pashkën e Madhe
20 prilli këtë vit bashkoi në festën e Pashkës së Madhe besimtarët ortodoksë dhe katolikë në vendin tonë. Ritet fetare të kësaj feste janë zhvilluar gjatë gjithë javës në kishat e vendit, ndërsa është përkujtuar e Premtja e zezë me ceremoni të veçanta, për të arritur në momentin e shumëpritur, Ringjalljen e Krishtit mesnatën e së shtunës.

Urimi për besimtarët e krishterë në Durrës. Foto: Media Amfora
Këtë vit besimtarët ortodoksë dhe ata katolikë e festuan Pashën e Madhe në të njëjtën datë, duke shënuar një moment të veçantë për traditën e përkujtimit të ringjalljes së Krishtit, që për shkak të përdorimit të kalendarëve të ndryshëm festohet gjithmonë në data të ndryshme për të dyja grupet e besimtarëve.
Pashkët konsiderohen si festa më e rëndësishme në kalendarin e krishterë, simbol i fitores mbi vdekjen, rilindjes dhe shpresës. Megjithatë jo gjithmonë festohet në të njëjtën datë nga të gjithë të krishterët sepse ata përdorin kalendarë të ndryshëm, të cilët dallojnë nga Kisha Katolike tek ajo Ortodokse.
Katolikët ndjekin kalendarin Gregorian, të vendosur në vitin 1582 nga Papa Gregori XIII për të korrigjuar pasaktësitë e kalendarit Julian. Kisha Ortodokse vijon të përdorë kalendarin Julian, i cili është 13 ditë prapa atij Gregorian.
Një tjetër ngjarje me rëndësi sidomos për besimtarët ortodoksë ishte udhëheqja e Meshës së Pashkës nga Kryepeshkopi i ri i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, Fortlumturia e Tij, Joani. Në fjalën e tij Kryepeshkopi Joani përcolli mesazhe shpirtërore dhe përkujtoi paraardhësin e tij, Kryepeshkopin Anastas.
Ky vit ishte unik edhe sepse besimtarët shqiptarë të besimit islam dhe atij të krishterë, brenda 3 javësh kremtuan fundin e Muajit të Shenjtë të Ramazanit, Fitër Bajramin dhe Pashkën katolike dhe ortodokse. Kjo ndodh rrallë dhe kremtimi i pashkës në të njëtjën ditë haset vetëm disa herë përgjatë dekadave, për shkak të dallimeve në kalendarët liturgjikë që përdorin kishat.
Gjatë gjithë kësaj jave që sapo u mbyll, në të gjitha kishat ortodokse dhe katolike të vendit janë kryer ritet fetare të kremtimit Pashkës. Gjithçka ka nisur të hënën, me ritet e asaj që njihet si dita e Liturgjisë Hyjnore e Dhuratave të Parashenjtëruara, për të vijuar të martën me Liturgjinë e Paravolia e 10 Virgjëreshave.
E mërkura ka qenë dita e njohur si, Rituali Lyerja e Këmbëve të Krishtit, për të vijuar një ditë më pas me të enjten e madhe, ku çdo besimtar kristian ngjyros me të kuqe vezët kushtuar familjes.
E premtja këtë vit bashkoi besimtarët ortodoksë dhe katolikë, të cilët përkujtuan të Premten e Zezë, ku në ceremoni të veçanta u kryen ritet e Proçesionit të Epitafit dhe Udhën e Kryqit. Besimtarët kudo nëpër Shqipëri përkujtuan të Premten e Madhe përmes një rituali që kujton Krishtin në kryq dhe vuajtjet e tij.
Në ritin katolik u krye Udha e Kryqit për të përjetuar momentet e fundit të Krishtit, ndërsa në ritin ortodoks u zhvillua procesioni i Epitafit, që përfaqëson varrimin simbolik të birit të Zotit.
Por, pavarsisht dy besimeve, për krishtërimin e Premtja e Zezë është një nga ditët më të shenjta dhe më të trishta të vitit. Në të gjithë vendin, besimtarët u bashkuan më pas në lutje dhe reflektim mesnatën e së shtunës në të gjitha kishat e vendit, ku u prit Ringjallja e Krishtit.
Me urimin “Krishti u ngjall, vërtetë u ngjall!”, besimtarët kanë uruar njeri-tjetrin për festën e Pashkës, duke u bashkuar në krishtërim, ortodoksë dhe katolikë.