Banorët e prekur nga TID refuzojnë kushtet pas takimit me kryeministrin Edi Rama

Çështja e projektit TID në Durrës mbetet pa zgjidhje edhe pas takimit me kryeministrin, pasi banorët kundërshtojnë kushtet e ofruara për shpronësim dhe zhvendosje. Ata kërkojnë shtyrje të afateve, pezullim të shembjeve dhe shqyrtim ligjor të çdo rasti, duke paralajmëruar përshkallëzim të reagimit.

Banorët e prekur nga projekti TID në Durrës kanë refuzuar kushtet e ofruara për shpronësim dhe zhvendosje, pas takimit të zhvilluar me kryeministrin Edi Rama në bashkinë e qytetit më 14 shkurt, duke kundërshtuar vijimin e projektit në këto rrethana.

“Projekti ka mangësi dhe shkelje procedurale. Ka prona të papërfshira në listën e shpronimeve ose pa ekspertizë të saktë. Nuk mund të pranojmë një projekt me shkelje vetëm sepse është vendosur të zbatohet”, thanë banorët në deklaratën e bërë publike të hënën.

Banorët shprehen se alternativat e ofruara nuk janë dakordësuar me ta dhe nuk garantojnë zgjidhje të drejtë për familjet e prekura.

“Propozimet e Kryeministrit nuk janë dakordësuar me ne. Çmimi referencë është një çmim dysheme. Zhvendosja, edhe nëse pranohet nga banorët, duhet të bëhet me dakordësinë e vetë tyre”, thanë ata në deklaratë.

Të shtunën, kryeministri Edi Rama zhvilloi një dëgjesë me banorët e prekur në bashkinë e Durrësit, në një takim pa praninë e mediave që zgjati më shumë se dy orë dhe u shoqërua me debate dhe tone të larta. Pas takimit, ai u shpreh se projekti do të zbatohet, ndërsa pranoi se vlera e shpronësimit e përcaktuar për banorët nuk ishte e drejtë dhe se ky ishte thelbi i diskutimeve, duke pohuar se takimi ishte konstruktiv.

Sipas deklaratës së tyre, gjatë takimit banorëve iu paraqitën disa alternativa për zgjidhjen e çështjes së shpronësimit dhe zhvendosjes.

“Alternativat që na u ofruan janë: të pranojmë një çmim shpronësimi (pak më të lartë); të zhvendosemi në zona periferike të përcaktuara prej tyre; ose të mblidhemi të gjithë në një objekt të vetëm, të zgjedhur nga Bashkia”, thanë banorët në deklaratë.

Projekti TID është një projekt urban që po zbatohet nga qeveria, Bashkia e Durrësit dhe Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim në qendrën e qytetit dhe që parashikon shpronësime dhe shembje banesash në zona të banuara. Ai kundërshtohet prej muajsh nga banorët e prekur, të cilët pretendojnë se kompensimi është i ulët dhe se procesi është shoqëruar me mungesë konsultimi dhe probleme procedurale.

Në deklaratë, banorët theksojnë gjithashtu se propozimet e bëra gjatë takimit mbeten të paformalizuara dhe nuk janë dakordësuar me ta.

“Deri tani, propozimet mbeten vetëm fjalë”, thanë banorët, duke kërkuar shtyrje të afateve ligjore të ekzekutimit të projektit, pezullim të shembjeve dhe shqyrtim ligjor të plotë të çdo rasti, një e nga një.

Sipas banorëve, datat 16 dhe 17 shkurt ishin lënë si afat për nisjen e procesit të shembjeve, gjë që i shtyu ata të zhvillonin protestë edhe para parlamentit, duke u bashkuar me banorët e Rrjollit, në Velipojë, të cilët kundërshtojnë një investim strategjik që, sipas tyre, synon t’u marrë tokat e trashëguara.

Në fund të deklaratës, banorët paralajmërojnë për përshkallëzim të reagimit nëse kërkesat e tyre nuk merren parasysh.

“Do të detyrohemi të përshkallëzojmë protestën dhe të intensifikojmë reagimin tonë publik dhe institucional. Komunikimet tona në nivel ndërkombëtar tashmë janë realizuar dhe do të vijojnë, në mbrojtje të të drejtave tona dhe të parimeve të shtetit ligjor. Ne kërkojmë vetëm ligjshmëri dhe respekt për të drejtën tonë të pronës”, përfunduan banorët deklaratën.