Banesa e atdhetarit Mustafa Shehu në Zerqan, 2 projektet e restaurimit mbeten të pazbatuara
Banesa e atdhetarit Mustafa Shehu në Bulqizë, u shpall monument kulture në vitin 1977 dhe pas restaurimit në atë kohë, ajo ka nisur të degradohet. Megjithëse janë përgatitur 2 projekte restaurimi, asnjë prej tyre nuk është zbatuar.
Në fshatin Zerqan të Bulqizës gjendet banesa e atdhetarit Mustafa Shehu, e cila është trashëguar ndër breza dhe ka mbijetuar deri në ditët e sotme si pjesë e trashëgimisë së Shqipërisë, por që dëmtimet e shumta e kan vendosur në pikëpyetje ekzistencën e monumentit.
Monumenti i Kulturës i Kategorisë së Parë për nga sipërfaqja krahasohet me një kompleks banimi dhe është marrë në mbrojtje nga shteti që prej vitit 1977. Po në këtë kohe ajo nënshtrua një rikonstruksioni total, ndërsa më vonë ajo nuk pa më asnjë meremetim.
Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore (DRTK) Tiranë, e ka klasifikuar gjendjen e objektit si “emergjente” dhe e ka përfshirë në Projekt Buxhetin Afatmesëm për vitet 2024-2026.
“Pas Inspektimit të fundit të realizuar në fund të vitit të kaluar, kjo pasuri kulturore u klasifikua në listën e monumenteve emergjente në PBA 2024-2026”, shkruajti DRTK Tiranë në një përgjigje zyrtare për Median Amfora.
Për banesën kujdesen sot trashëgimtarët e Familjes Shehu, të cilët kanë bërë çdo përpjekje për ta mbajtur atë në këmbë. Megjithëse i shtyrë në moshë, “doktor Naimi” deri vonë vijoi të shërbente në fshatrat e Bulqizës dhe të jetonte aty, deri sa u detyrua që për arsye shëndetësore ta ndante jetesën midis vendlindjes dhe Tiranës.
“Pjesa lindore e banesës është shkatërruar. Ka hapje të një faqeje muri në një nga dhomat e saj”, tregoi Ëngjëll Shehu, një nga trashëgmitarët e familjes.
Pinjolli i familjes, Mustafa Shehu, ishte udhëheqës i Luftës së Gjoricës në vitin 1844, kundër Hajredin Pashës. Banesa ishte edhe një ndalesë për besimtarët bektashinj, në oborrin e saj ende dallon ndriçuesi brenda teqes së drejtimit Kadri, e ndërtuar në vitin 1735.
Në banesën e Familjes Shehu kanë qëndruar personalitete të kohës, ndër to edhe Abdyl Frashëri, gjatë udhëtimit për në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit.
Familja ka qenë ndër të paktat në vendin tonë, që kishte edhe një flamur të sajin, i cili gjendet sot në Muzeun Historik Kombëtar.
“Nëse nuk restaurohet brenda këtij viti banesa rrezikohet. Më vjen keq ta them, pasi këtu nuk diskutohet vetëm fakti që është banesa që ne kemi e trashëguar, por është një monument i rëndësishëm i kulturës”, tregoi Ëngjëll Shehu.
DRTK Tiranë shpjegoi se pranë arkivit teknik të Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore për këtë ndërtesë ka dy projekte restaurimi të miratuara, por nuk ka asnjë afat se kur do të vihen në zbatim.
“Projekt Restaurimi ‘Banesa e Familjes Shehu’, fshati Zerqan, Peshkopi, i hartuar nga Instituti i Monumenteve të Kulturës (IMK), në vitin 2007 (sot IKTK) dhe i miratuar nga Këshilli Kombëtar i Restaurimeve (KKR)”, shkruajti DRTK Tiranë për projektin e parë.
“Projekt Restaurimi i ‘Banesës së Shehajve’, Zerqan, hartuar nga IMK në vitin 2019 dhe miratuar nga KKR me Vendim Nr. 178, datë 28.05.2019”, shpjegoi DRTK Tiranë për projektin e dytë.
Trashëgimtarët kanë përdorur të gjitha hallkat e sistemit të kulturës në vend, që projekti i restaurimit të vihet në zbatim, por projektet nuk kanë mundur të zbatohen ende.
“Mungesa e fondeve ka bërë që asnjë nga projektet të mos zbatohet, ndërkohë që banesa ka nisur të shembet. Unë nuk e di se çfarë pret shteti”, ngriti supet Ëngjëll Shehu.
Ai tregoi se kishte aplikuar dhe në projektin e “Bonusit të Rijetësimit”, por vlera financiare që u dha sipas tij ishte e ulët dhe u tërhoq. Banesa nuk është vetëm monument, por edhe pjesë e një prej “100 fshatrave”, një program ambicioz i qeverisë shqiptare që presupozohej të zhvillonte potencialin turistik të zonave rurale.
“Aplikuam për Bounsin e Rijetësimit. U akorduan 35 milionë [3 milion e 500 mijë] lek për banesën, nuk mund të mbylleshin as nevojat më minimale, ndaj nuk e ndoqa më tej”, përfundoi trashëgimtari i familjes, Ëngjëll Shehu.