Azia në fokusin e Massimo Saretta, ekspozohet në Durrës
Një seri fotografish nga shtatë vende të Azisë prezantohen në Durrës përmes objektivit të fotografit italian Massimo Saretta. Ekspozita sjell 84 imazhe të realizuara përgjatë më shumë se dy dekadave, duke ndërtuar një rrëfim vizual mbi kulturat, besimet dhe jetën e përditshme në kontinentin aziatik.
Pamje e përgjithshme e ekspozitës në galeri. Foto: Media Amfora
Ekspozita fotografike e titulluar “Imazhe nga Azia” (“Images From Asia”) e autorit italian Massimo Saretta është hapur në Galerinë e Arteve Pamore “Nikolet Vasia” në Durrës në fund të janarit, duke paraqitur një përzgjedhje fotografish të realizuara gjatë një projekti më shumë se njëzetvjeçar në disa vende të kontinentit aziatik.
“Janë pamje që paraqesin anë të ndryshme antropologjike, kulturore, fetare të 7 vendeve aziatike dhe është një punë që e bëj në zonat jo turistike dhe larg guidave të operatorëve, pikërisht për të prezantuar shpirtin e vendit, shpirtin e popujve”, u shpreh autori Massimo Saretta për mediat në hapjen e ngjarjes kulturore.
Fotografitë e përfshira në ekspozitë ndërtojnë një rrëfim të qetë dhe vëzhgues, ku përditshmëria, ritet dhe hapësirat njerëzore shfaqen pa dramatizim, si fragmente të një realiteti që ruan ritmin dhe identitetin e vet.
“Durrësi është si një portë hyrëse, por komerciale, porta drejt lindjes për shumë vite. Mu dha mundësia që të shfaqem në këtë qytet që është i mrekullueshëm. Nuk e njihja më parë Shqipërinë, njoha një vend të mrekullueshëm, me njerëz fantastik, ndaj jam i lumtur që gjendem këtu për të prezantuar këtë projekt”, u shpreh autori.

Ekspozita përmbledh fotografi të realizuara në shtatë vende të Azisë, të cilat shtrihen në hapësirën e galerisë si fragmente të jetës së përditshme, portrete, peizazhe dhe skena rituale. Nga tregjet plot ngjyra te hapësirat e shenjta dhe rrugët e qeta të qyteteve të largëta, imazhet krijojnë një panoramë të shumëfishtë të realiteteve aziatike.
Seria fotografike është rezultat i një pune më shumë se njëzetvjeçare, ku vëzhgimi i qetë dhe afërsia me njerëzit bëhen thelbi i rrëfimit vizual. Përmes këtyre imazheve, ekspozita sjell një dialog të heshtur mes kulturave, duke afruar përditshmërinë e vendeve të largëta me syrin e vizitorit në Durrës.
Kuratori i ekspozitës e cilësoi projektin si një rrëfim shumëplanësh, ku fotografia shndërrohet në një udhëtim artistik, antropologjik dhe social përmes kulturave të ndryshme të Azisë.
“Ekspozita është tepër e rëndësishme, e një fotografi tepër të rëndësishëm në nivel ndërkombëtar, sikundër është Massimo Saretta, i cili vjen për herë të parë në këtë galeri, por edhe në Shqipëri. Ai sjell një botë të largët siç është Azia, të përzier ndërmjet disa vendeve të largëta dhe kulturave të ndryshme mes tyre, nga Japonia, Kina, Laosi, Kamboxhia, Tajlanda, dhe është një udhëtim sa artistik dhe konceptual, antropologjik, kulturor, social dhe politik, i një pune kërkimore prej 20 vitesh të përvojës së tij në Azi”, u shpreh Ph.D. Oltsen Gripshi në hapje të ekspozitës.

Në shënimet kritike, Gastone Scarabello u ndal te qasja e qetë dhe jo polemizuese e fotografive, duke theksuar mënyrën e kujdesshme të realizimit dhe prezantimit të tyre.
“Nëse e vini re nuk ka asnjë tentativë për polemikë. Ka varfëri, skamje, por gjithçka është në vendin e vet. Në të njëjtën kohë kemi qenë të kujdesshëm edhe për zgjedhjen e materialeve, veçanërisht në stampimin e librit, të fotove të ekspozuara”, u shpreh Prof. Gastone Scarabello.
Ekspozita fton vizitorët në një përballje të qetë me imazhe, hapësira dhe rituale të përditshmërisë aziatike, të kapura larg itinerareve turistike dhe rrëfyera përmes një vështrimi të duruar fotografik. Ajo do të qëndrojë e hapur për publikun në Galerinë e Arteve Pamore “Nikolet Vasia” në Durrës deri më 28 shkurt.