Atlasi Historik Urban i Durrësit sjell një vizualizim të ri për zhvillimin e qytetit

“Atlasi Historik Urban i Qytetit të Durrësit” është publikimi më i ri që zgjeron njohjen me zhvillimin urban të Durrësit përgjatë historisë, si një risi që pasuron prezantimin e transformimit të Durrësit për lexuesit e rinj dhe vizitorët e huaj.

Një publikim në formën e një atlasi është risia më e re për studimin e historisë së qytetit të Durrësit dhe që synon t’i vij në ndihmë turistëve dhe çdo kujt që ka interes për të njohur sistemin urban në të kaluarën.

“Atlasi Historik Urban i Qytetit të Durrësit” u prezantua nga planifikuesi i territorit dhe pedagogu, Dr. Artan Kacani, mbrëmjen e së premtes, një publikim që përmban skica, shpjegime dhe informacione në gjuhën angleze, duke i shërbyer edhe vizitorëve të qytetit bregdetar.

“Synon të krijojë një gjini të re komunikimi letrar dhe audio-vizual. Po ashtu të lidhi dhe të gërshetojë kërkimin shkencor me realitetin urban dhe tua oferojë atë auditorit të gjerë kombëtar dhe ndërkombëtar”, tregoi Dr. Artan Kacani, për Median Amfora.

Prezantimi i atlasit mblodhi në sallën “Nikolin Xhoja”, të Teatrit Aleksandër Moisiu të Durrësit, të apasionuarit pas urbanistikës, historisë dhe trashëgimisë kulturore të qytetit të Durrësit, një pjesë e mirë e të cilëve mbërritën nga Tirana.

Dr. Artan Kacani gjatë prezantimit të atlasit. Foto: Media Amfora

Atlasi është vijim i librit, “Durrësi urban, para dhe pas pavarësisë kombëtare”, prezantuar në korrik të këtij viti dhe që krahason faktet historike me zhvillimin ubran të qytetit, duke interpretuar momente të ndryshme të transformimit urbanistik ndër dekada.

Antigoni Suli-Gjergji, specialiste pranë Qendrës Muzeore Durrës, planifikuesi i territorit, Elton Zorba, autori Pol Milo dhe gazetari Geri Emiri analizuan publikimin e Dr. Artan Kacanit, duke sjellë për pjesëmarrësit edhe përshtypjet pas njohjes me atlasin.


Notice: ob_end_flush(): failed to send buffer of zlib output compression (0) in /home3/nwmcvqij/public_html/wp-includes/functions.php on line 5109