Art pa investime, Galeria “Nikolet Vasia” prej vitesh pa fond të ri veprash
Galeria e Arteve Pamore “Nikolet Vasia” në Durrës prej pesë vitesh nuk është pasuruar me asnjë vepër të re nga fondet publike. Gjatë periudhës 2020–2025 galeria ka shpenzuar mbi 22 milionë lekë për paga dhe rreth 3.7 milionë lekë për sigurime shoqërore, ndërsa 2.1 milionë lekë të akorduara nga Bashkia janë përdorur për korniza, restaurime e mirëmbajtje.

Galeria "Nikolet Vasia" në Durrës. Foto: Media Amfora
Në një qytet ku institucionet e kulturës mbajnë gjallë kujtesën dhe identitetin e komunitetit, Galeria e Arteve Pamore “Nikolet Vasia” si një nga shtyllat kryesore të jetës kulturore e artistike në Durrës, prej pesë vitesh nuk është pasuruar me asnjë vepër të re arti pamor.
“Nga viti 2020 e në vazhdim nuk është blerë asnjë vepër arti”, shkroi institucioni i bashkisë së qytetit, që ka nën administrim galerinë e arteve, në një përgjigje zyrtare për Median Amfora.
Galeria e Arteve Pamore, një nga institucionet më të rëndësishme të kulturës në qytetin me vlera të mëdha si Durrësi, mban emrin e piktorit të njohur durrsak Nikolet Vasia dhe prej dekadash ruan fondin e artit pamor, duke shërbyer si hapësirë ekspozimi për gjenerata artistësh shqiptarë, por prej vitesh pa mundur të pasurohet më tej.
Institucioni ka një numër të konsiderueshëm veprash arti të trashëguara ndër vite kryesisht piktura edhe skulptura.
“Numri total i veprave te artit në galeri është 879 piktura dhe 180 skulptura”, shkroi institucioni.
Historia e pasurimit të fondit të galerisë tregon se dhuratat e artistëve kanë qenë burimi i vetëm i shtimit të veprave, jo investimet publike. Një shembull i tillë është viti 2010, kur pas organizimit të një kolonie krijuese me piktorët pjesëmarrës, galeria u pasurua me 12 vepra të reja. Mes tyre ishin punime nga emra si Lumturi Blloshmi me veprën “Peshkimi”, Nineta Verbica me veprën “Perëndimi”, Adriana Puleshi me veprën “Durrësi” apo Qemal Vrioni me veprën “Kalaja e Durrësit”.
Ky fond u pasurua edhe me punimet e tjera të autorëve si Alketa Tragaj me “Muri Bizantin”, Valbona Kapllani me “Torra Veneciane”, Zamfira Heta me “Porta e Durrësit”, Arben Kristani me “Vjeshtë në Dajt”, Fatmir Vasjari me “Shishe, mollë”, Jetulla Haliti me “Ngrohja globale” dhe Bajram Sallaku me një vepër pa titull.
Në pesë vitet e fundit, për institucionin e galerisë janë shpenzuar mbi 22 milionë lekë për paga dhe rreth 3.7 milionë lekë për sigurime shoqërore, ndërkohë që asnjë fond nuk është vendosur në dispozicion për blerjen e qoftë një vepre të vetme.
E pamundur të pasurohet përmes fondeve publike, galeria duket se ka zgjedhur një rrugë alternative, një rregullore të re që i kërkon artistëve të lënë një vepër nga ekspozita e tyre nëse nuk përballojnë pagesën e sallës.
“Në vitin 2025, artisti që nuk e përballon dot pagesën e marrjes në përdorim të sallës së galerisë, në fund të ekspozitës dhuron një punim nga ekspozita i cili përzgjidhet nga komisioni”, shkruhet në përgjigjen zyrtare të institucionit.
Në kuadër të kësaj rregulloreje, gjatë këtij viti në fondin e galerisë janë shtuar dy vepra: “Pranverë” e artistit Fatmir Vasjarit dhe “Kostandini dhe Doruntina” e artistit Agim Kumbulla.
Bashkia ka investuar për galerinë e arteve në vetëm tre vite dhe ato fonde janë përdorur vetëm për shërbime mirëmbajtjeje, ku në vitin 2022 u shpenzuan 700 mijë lekë për korniza, në 2024 rreth 1.02 milion lekë për restaurim skulpturash dhe në 2025 vetëm 420 mijë lekë për mirëmbajtje pikturash.
E vendosur në zemër të Durrësit, galeria gëzon një pozicion ideal, por në thelb përbëhet vetëm nga një hapësirë e gjatë, e ngjashme me një korridor shumë larg dimensioneve dhe funksionalitetit që ofrojnë galeritë e qyteteve bregdetare të ngjashme, si Dubrovniku apo Spliti.
Edhe pse u rikonstruktua në vitin 2024 me një investim prej 10 milionë lekësh nga Bashkia Durrës, galeria mbeti e pandryshuar në thelb, me të njëjtën pamje dhe të njëjtin kufizim hapësinor të një holli të gjatë, që tashmë ka nevoja për tu pasuruar me fonde të reja veprash.
Sipas kalendarit zyrtar të ekspozitave, që Qendra Kulturore “Aleksandër Moisiu” vuri në dispozicion për Median Amfora, gjatë vitit 2020 në galeri u zhvilluan 16 ekspozita, ndërsa në vitin 2021 ky numër u rrit në 78. Këto shifra tregojnë për një interes të shtuar të artistëve për të ekspozuar në këtë galeri, e cila përballet me vështirësi të mëdha për t’u pasuruar me vepra të reja të artistëve shqiptar edhe të huaj.
Në një qytet me histori 3000 vjeçare, fakti që Galeria e Arteve Pamore mbetet pa fond të ri prej vitesh dhe pa dimensionin e një institucioni dinjitoz, flet më shumë se çdo statistikë për boshllëkun kulturor që ka Durrësi me bibliotekat, kinematë si elementët më të rëndësishëm artistikë e kulturorë të një qyteti.