Arrestime pas arratisjes së Altin Ndocit nga Spitali i Durrësit

Tetë persona janë vënë në pranga në lidhje me arratisjen e 38-vjeçarit Altin Ndoci nga spitali. Mes të arrestuarve janë drejtues dhe punonjës të sistemit të burgjeve dhe të shërbimit shoqërues, të dyshuar për shpërdorim detyre.

Operacioni i kryer nga Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm në Sistemin e Burgjeve në bashkëpunim me Prokurorinë e Durrësit ka bërë të mundur arrestime në lidhje me arratisjen e Ndocit të martën nga Spitali Rajonal i Durrësit. 

Të arrestuarit janë Aulon Çuko, kryeinfermieri i burgut; Dezdemon Pazaj, zëvendësshef i Policisë së Burgut të Durrësit; Dorian Saraçi, Sali Ferollari, Preng Marvataj, Fation Baçi dhe Aranit Çela, efektivë të policisë së shoqërimit; si edhe Violeta Uka, specialiste informacioni. 

Sipas hetimeve paraprake, efektivët që shoqëronin Altin Ndocin nuk kanë zbatuar procedurat e sigurisë, duke mos i vendosur prangat gjatë transportimit drejt spitalit. Pamjet e siguruara nga media tregojnë momentin kur Ndoci zbret nga ambulanca i pashoqëruar me masa sigurie.

Ndërkohë, kryeinfermieri Aulon Çuko dyshohet se ka plotësuar dokumentacion mjekësor, ku pretendohej se i paraburgosuri vuante nga probleme me veshkat, duke justifikuar dërgimin e tij për vizitë në ambientet spitalore.

Arratisja ka ndodhur pasi Ndoci kishte marrë mjekim në repartin e Infektivit. Sipas burimeve hetimore, ai u ka kërkuar policëve të shkojë në tualet dhe në momentin që dera është hapur, i ka goditur dhe është larguar me vrap nga kati i tretë i spitalit. Jashtë ambientit spitalor e priste një automjet luksoz Audi A7.

Makina është filmuar nga kamerat e sigurisë fillimisht në zonën e Spitallës, më pas në Shënavlash dhe më tej në aksin Durrës – Tiranë, ku humbin gjurmët. Dyshimet janë se Ndoci fshihet në Tiranë. Kontrollet janë shtrirë në disa zona, përfshirë Astirin, Don Boskon, Selitën, Yzberishtin dhe rrugën e Ndroqit, por deri tani pa rezultat.

Prokuroria e Durrësit mësohet se ka regjistruar dy procedime penale: një për largimin e Altin Ndocit dhe bashkëpunëtorët e tij, dhe një tjetër për përgjegjësinë e personelit të burgut.

Autoritetet bëjnë me dije se Policia e Durrësit nuk është njoftuar zyrtarisht nga Drejtoria e Burgjeve për shoqërimin e të paraburgosurit drejt spitalit.

Altin Ndoci konsiderohet person me rrezikshmëri të lartë shoqërore. Ai dyshohet si pjesë e krahut të armatosur të një organizate kriminale dhe është arrestuar nga Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) gjashtë vite më parë në kuadër të operacionit “Plumbi i Artë”. Sipas dëshmive të bashkëpunëtorëve të drejtësisë, ai akuzohet për përfshirje në disa vrasje të rënda, përfshirë edhe masakrën e Bradasheshit. Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të arratisjes vijojnë.