Arratisja e Altin Ndocit, rasti i përgjegjësive institucionale

Autoritetet kanë nisur verifikimin e përgjegjësive institucionale pas arratisjes së Altin Ndocit nga Spitali Rajonal i Durrësit. Hetimet po fokusohen te shkeljet e protokolleve të sigurisë gjatë shoqërimit të tij dhe roli i strukturave përgjegjëse.

Policia e Durrësit njoftoi të premten se ka ekzekutuar masa sigurie ndaj ish-drejtuesve dhe stafit të burgut, në kuadër të hetimeve për arratisjen e Altin Ndocit nga Spitali Rajonal, për shkak të dyshimeve për shpërdorim detyre dhe shkelje të protokolleve të shoqërimit. 

“Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, në bashkëpunim me Seksionin për Mbështetjen Operacionale në Drejtorinë Vendore të Policisë, bënë të mundur lokalizimin dhe kapjen e shtetasit Indrit Çërloj, 48 vjeç, banues në Durrës, ish-drejtor e Institucioni i Ekzekutimit të Vendimeve Penale”, njoftoi policia në një njoftim për shtyp. 

 Sipas policisë, veprimet hetimore po vijojnë për të përcaktuar përgjegjësitë individuale dhe institucionale në lidhje me mënyrën e shoqërimit të të dënuarit drejt spitalit, si dhe rolin e personelit shëndetësor gjatë këtij procesi.

“Gjithashtu, me të njëjtin vendim, kjo gjykatë ka caktuar masën e sigurisë ‘Arrest në shtëpi’ për Ylfete Sema, 66 vjeçe, doktoreshë në IEVP Durrës, për veprën penale ‘Shpërdorimi i detyrës’”,  thuhej në njoftimin e policisë.

 Hetimet janë shtrirë mbi të gjithë zinxhirin e shoqërimit të të dënuarit, nga vendimi për dërgimin e tij në spital deri te masat e sigurisë të zbatuara gjatë transportit dhe qëndrimit në ambientet spitalore. Pamjet e kamerave të sigurisë, të publikuara në media, kanë nxitur dyshime për shkelje të protokolleve, duke treguar se Altin Ndoci ka qenë pa masa sigurie në momentin e largimit.

Ndërkohë, policia ka intensifikuar kontrollet për lokalizimin e të arratisurit, ndërsa autoritetet bëjnë me dije se verifikimet do të vijojnë edhe për persona të tjerë të përfshirë në këtë rast, në varësi të gjetjeve të hetimit.

 Altin Ndoci u arratis mesditën e 13 janarit nga Spitali Rajonal i Durrësit, ku ndodhej nën shoqërim policor, ndërsa ishte dërguar për trajtim mjekësor dhe po përballej me akuza për vrasje dhe pjesëmarrje në organizatë kriminale. 

Hetimet paraprake kanë ngritur dyshime se arratisja është favorizuar nga mangësi në masat e sigurisë, duke i krijuar Ndocit mundësi të lehtë për t’u larguar.