Arkeologu dhe historiani Halil Myrto përkujtohet në 90 vjetorin e lindjes 

Në përvjetorin e 90-të të lindjes së studiuesit, historianit dhe arkeologut të talentuar, Halil Myrto, u zhvillua një mbrëmje përkujtimore në qytetin e Durrësit. Për këtë ngjarje u prezantua libri me punën e tij shkencore, titulluar, “Kërkime Arkeologjike dhe historike, një përmbledhje artikujsh shkencorë”.

Aktiviteti i organizuar tek Torra Veneciane. Foto: Media Amfora

Studiuesi, historiani dhe arkeologu me një kontribut të çmuar për trashëgiminë e Durrësit, Halil Myrto, u kujtua përmes një ceremonie në Torrën Veneciane në qytetin bregdetar, në 90 vjetorin e lindjes.

Qendra Muzeore Durrës zhvilloi aktivitetin përkujtimor dhe shkencor kushtuar Prof. Halil Myrtos – studiuesit, historianit dhe arkeologut me një kontribut të çmuar për trashëgiminë tonë arkeologjike. 

Afrim Hoti, një mik dhe koleg i Myrtos, rrëfeu se ai është nga kontributorët më të rëndësishëm të qytetit të Durrësit për studimet e tij në fushën e arkeologjisë, historisë, por edhe si intelektual i spkatur. 

“Ne sot promovojmë një nga librat e tij, ai ka disa libra të botuar, një përmbledhje të kërkimeve dhe studimeve arkeologjike të kryera rreth 30 vite më parë. Nuk është libri i fundit sepse ka akoma shkrime dhe botime të panjohura, të pa përmbledhura”, tha Hoti. 

Aktiviteti i organizuar tek Torra Veneciane. Foto: Media Amfora
Aktiviteti i organizuar tek Torra Veneciane. Foto: Media Amfora

Sipas tij Mytro përkujtohet edhe për aktivitetin e tij shumë të vyer në Itali, veçanërisht në Universitetin e Leçes, të Kozencës, Salentos dhe universitete të tjera italiane. 

Në mjediset e Torrës Veneciane këtë të premte u bënë bashkë gjatë këtij aktiviteti emra të artit dhe kulturës, arkeologjisë, miqtë dhe kolegët e Halil Myrtos. 

Takimi solli një prezantim të punës kërkimore e shkencore të tij, si edhe dëshmi nga jeta dhe kontributi i tij shoqëror, të sjella nga profesionistë, studiues, intelektualë, miq e familjarë.

“Ai ka 25 vite që ka ndërruar jetë dhe kjo heshtja e gjatë ne na shtyu që të organizojmë një promovim të shkrimeve të tij, që ishin shumë pak të njohura për lexuesin dhe publikun e qytetit të Durrësit”, u shpreh ai. 

Gjatë kësaj mbrëmje u promua një botim me kërkime arkeologjike dhe historike në formën e një përmbledhjeje artikujsh shkencorë, si një nderim për kontributin e vyer të Halil Myrtos në fushën e arkeologjisë shqiptare, titulluar, “Kërkime Arkeologjike dhe historike, një përmbledhje artikujsh shkencorë”.