Arkeologjia ngec mes skelave: Projekti i Muzeut të Durrësit vonon, arkeologët “në kontejnerë”
Muzeu Arkeologjik në Durrës do të jetë gati për të pritur vizitorët vetëm në vjeshtën e këtij viti, teksa kanë kaluar 2 vite nga afati i përfundimit të punimeve. Ndërsa punonjësit e Qendrës Muzeore Durrës dhe arkeologët e Institutit të Arkeologjisë vijojnë të qëndrojnë në kontejnerë.

Tabela e punimeve të Muzeut Arkeologjik Kombëtar Durrës. Foto: Media Amfora
Punimet e rikonstruksionit të Muzeut Arkeologjik Kombëtar në Durrës parashikohet të përfundojnë në fund të muajit qershor, 2 vite me vonesë nga afati i përfundimit të tyre, që ishte tetori i vitit 2023.
Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit (MEKI) bëri me dije se muzeu do të jetë gati për të pritur vizitorët në vjeshtën e vitit 2025. “Punimet ndërtimore parashikohet të përfundojnë në fund të muajit Qershor”, shpjegoi MEKI.
Më 28 shtator të vitit 2022 nisi puna për restaurimin e objektit më të rëndësishëm të ekspozimit të artefakteve arkeologjike në nivel kombëtar, pasi ndërtesa u dëmtua nga tërmeti i 26 nëntorit 2019.
Punimet e rikonstruksionit të muzeut u shtynë disa herë dhe sipas MEK-it vonesat në shkeljen e afatit të punimeve erdhën për shkak të procedurave të regjistrimit të kësaj prone.
“Vonesat në afatin e përfundimit të punimeve kanë ardhur për shkak se kjo pronë për herë të parë është regjistruar si pronë shtetërore, hap i cili ka qenë i domosdoshëm për miratimin e punimeve të zbatimit”, shpjegoi MEKI në një përgjigje zyrtare për Median Amfora.
Më herët Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH) gjeti në shkelje ish-Ministrinë e Kulturës, në një auditim të vitit 2022 sipas të cilit institucionet më të rëndësishme të trashëgimisë kulturore në vend kishin dështuar të regjistronin objektet dhe monumentet në vendin tonë.
Për realizimin e këtij rekomandimi, KLSH-ja përcaktoi dhjetorin e vitit 2022. Megjithëse një nevojë gati emergjente, ish-Ministria e Kulturës nisi hapat e para 4 muaj pas mbarimit të afatit të caktuar nga KLSH-ja, të cilin e vonoi edhe me 4 muaj të tjerë.
Rasti i Muzeut Arkeologjik të Durrësit përbën një nga treguesit sesi mos realizimi në kohë i procesit të regjistrimit solli vonesa për përfundimin e punimeve në objekt, i cili gjithashtu mbetet i paqartë për funksionalitetin e tij.
Instituti i Arkeologjisë, i fokusuar tek kërkimi shkencor dhe ekipi i arkeologëve që studion Durrësin në vijimësi me projekte për njohjen e nëntokës, ka pasur hapësira të dedikuara brenda Muzeut Arkeologjik të Durrësit, por që mbetet i paqartë pozicionimi i tyre me punimet e rikonstruksionit. Ndërsa ata vijojnë të jenë vendosur në disa kontejnerë në oborrin e muzeut, së bashku me punonjësit e Qendrës Muzeore Durrës.
Momentalisht përveç punimeve për rikonstruksionin e objektit muzeal ka përfunduar edhe ndërtimi i godinës së re për maganizimin e artefakteve dhe po punohet për detajet e fundit që lidhen me konsolidimin e strukturës dhe rrjetin e sigurisë në objekt.
“Projekti përfshin konsolidimin strukturor të ndërtesës ekzistuese, zëvendësimin e të gjitha sistemeve ekzistuese mekanike, elektrike, zjarrfikëse, trajtimet arkitekturore te interierit, linjën muzeale, modernizimin e ekspozitave, shkallët e emergjencës, ashensorin e ri, ndërtesat ndihmëse (magazina e artefakteve dhe dhomat mekanike dhe elektrike) në oborrin e pasëm të ndërtesës”, shpjegoi MEKI.
Gjatë tërmetit godina e Muzeut Arkeologjik pësoi dëmtime të cilat përfshijnë plasaritje në muret ndarëse, në nyjet e muraturës dhe në seksionet e sipërme të fasadës, si edhe zhvendosje të kolonave dhe të trarëve.
Restaurimi i Muzeut Arkeologjik po realizohet me një fond 348 milionë lekë ose rreth 3.2 milionë euro. I financuar nga Bashkimi Evropian, zhvilluesi i projektit është Zyra e Kombeve të Bashkuara për Shërbimet e Projekteve, e njohur si UNOPS, në bashkëpunim me Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit.
Muzeu Arkeologjik numëron mbi 3000 artefakte të zbuluara në Durrës, që dëshmon zhvillimin e qytetit nga antikiteti deri në mesjetë. Linja muzeale përbëhet nga një koleksion që nxjerr në pah temat kryesore të narrativës së tij dhe periudhat kryesore historike.