Aktivistët në mbrojtje të Vjosës nderohen me “Nobelin e Mjedisit”

Dy aktivistët shqiptar, Olsi Nika dhe Besjana Guri, të cilët për më tepër se 10 vite kanë dalë në mbrojtje të Lumit Vjosa, janë vlerësuar me çmimin “Goldman” për vitin 2025, i cili njihet si “Nobeli në fushën e mjedisit”.  

Lugina e Lumit Vjosa. Foto Media Amfora

Beteja prej një dekade e aktivistëve shqiptarë për mbrojtjen e Lumit Vjosa dhe që u fokusua kundër ndërtimit të hidrocentraleve, pasi shënoi arritjen me shpalljen “Park Kombëtar”, regjistroi një tjetër arritje ndërkombëtare, duke u vlerësuar me “Nobelin e mjedisit”.

Në këtë betejë Olsi Nika dhe Besjana Guri ja dolën që Lumi Vjosa të shpallej Park Kombëtar nga qeveria shqiptare. Për këtë arritje ata janë vlerësuar me çmimin “Goldman” për vitin 2025, i njohur gjithashtu si Nobeli i mjedisit.

Aktivisti Olsi Nika  e cilësoi si nder vlerësimin me çmimin botëror Goldman Environmental Prize

“Është një nder i madh dhe një vlerësim i jashtëzakonshëm i punës së vijueshme përgjatë këtyre 12 viteve në mbrojtje të Lumit Vjosa”, shkroi Nika në një postim në rrjetet e tij sociale. 

Çmimi Goldman për mjedisin, i njohur ndryshe si “Nobeli i gjelbër”, jepet çdo vit për aktivistë lokalë nga gjashtë kontinente, që ndërmarrin nisma të jashtëzakonshme për të ndihmuar komunitetet e tyre. Rasti i Vjosës sipas Nikës është modeli se si mbrohet natyra. 

“Parku Kombëtar i Vjosës është një model i ri, që Shqipëria i’a jep Evropës, por edhe botës, sesi duhet të mbrohet natyra dhe sidomos ekosistemet e ujërave të ëmbla, që janë kritikisht në zhdukje”, shtoi Nika.

Tashmë që Vjosa është Park Kombëtar, beteja është përmirësimi i planit të menaxhimit për këtë pasuri.

“Pas shpalljes Park Kombëtar, mendoj se objektivi i radhës është vendosja në jetë dhe përmirësimi i planit të menaxhimit të Vjosës”, tha ai.

Për aktivisten Besjana Guri ky çmim është një shtysë për të vijuar punën me Vjosën dhe aktivizmin në vendin tonë. 

“Puna ime me Vjosën nuk mbaron këtu, nuk mbaroi as dy vite më parë kur u shpall Park Kombëtar, aq më tepër pas marrjes së këtij çmimi që është një shtysë shumë e madhe për të vijuar punën me Vjosën dhe aktivizmim në Shqipëri”, u shpreh aktivistja.

“Fokusi kryesor do të jetë tek Shushica, degë kryesore e Vjosës, uji i së cilës planifikohet të devijohet”, shtoi ajo.

Çmimi Goldman për Mjedisin u krijua në vitin 1989 nga filantropët e ndjerë të San Françiskos, Richard dhe Rhoda Goldman. Fituesit e çmimit zgjidhen nga një juri ndërkombëtare nga nominimet konfidenciale të dorëzuara nga një rrjet global organizatash dhe individësh mjedisorë.

Gjatë 36 viteve, çmimi “Goldman” ka pasur një ndikim të jashtëzakonshëm në mbarë botën. Deri më sot, ai ka nderuar 233 fitues – mes tyre 106 gra – nga 98 vende të ndryshme.

Shpallja e Vjosës Park Kombëtar siguroi mbrojtjen e 270 kilometrave të lumit, i cili rrjedh i lirë përmes Shqipërisë, si edhe të degëve të tij, duke përfshirë gjithsej 400 kilometra të korridoreve të egra lumore.

“Ka qenë një vit i vështirë, si për njerëzit, ashtu edhe për planetin”, u shpreh Jennifer Goldman Wallis, nënkryetare e Fondacionit Goldman për Mjedisin, përmes deklaratës së shpërndarë për mediat.

“Ka kaq shumë gjëra që na shqetësojnë, na stresojnë, na zemërojnë dhe na ndajnë. Por për mua, këta udhëheqës dhe mësues mjedisorë dhe komuniteti global që i mbështet – janë zgjidhja”, shtoi ajo.  

Fituesit e tjerë të “Goldman Prize 2025” janë, Semia Gharbi nga Tunizia, Batmunkh Luvsandash, nga Mongolia, Carlos Mallo Molina, nga Ishujt Kanarie, Laurene Allen, nga Shtetet e Bashkuara dhe Mari Luz Canaquiri Murayari nga Peruja.