Administrimi shtetëror i TV Ora, gazetarët denoncojnë paligjshmëritë

Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë denoncoi për shkelje të Kodit të Punës dhe mospagesa të kontributeve shëndetësore dhe shoqërore përgjatë tre viteve të fundit administrimin shtetëror të TV Ora, dikur në pronësi të familjes Ndroqi.

Televizionet në një aktivitet në Sheshin Skënderbej. Foto: Media Amfora

Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara, që menaxhon prej vitit 2020 televizioni “Ora” pronësi e familjes së Ylli Ndroqit nuk ka derdhur kontributet shëndetësore dhe shoqërore të punonjësve për një periudhë tre vjeçare ndonëse janë paguar për punën.

Gazetarët dhe pjesa tjetër e stafit e televizionit kanë zbuluar kohët e fundit se kontributet e tyre për një periudhë tre vjeçare nuk ishin paguar, ndonëse kanë rezultuar të deklaruar në sistemin tatimor. 

Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH) pasi u informua nga gazetarët denoncoi të premten rastin duke e konsideruar si paligjshmërinë gjatë administrimit shtetëror të kompanisë.

Sipas AGSH, nga dokumentacionet dhe dëshmitë e punonjësve të larguar nga puna rezulton se “pushimi i tyre nga puna është kryer në shkelje të hapur të Kodit të Punës dhe pa ndjekur procedurat ligjore për pushim kolektiv”.

“Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara AAPSK nuk ka derdhur kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për periudhën 2022–2025”, thuhet në deklaratë.

Sipas AGSH në këtë rast administratorët në përfaqësim të shtetit shqiptar kanë dështuar të përmbushin detyrimin dhe garantuar funksionimin ligjor të tij.

“Administratorët në përfaqësim të shtetit shqiptar kanë dështuar të përmbushin detyrimin për të garantuar funksionimin ligjor, etik dhe transparent të një pasurie të sekuestruar dhe të menaxhuar në emër të publikut”, tha AGSH

AGSH  thekson se mediat, pavarësisht statusit juridik apo pronësisë, janë pjesë e interesit publik dhe të drejtat e gazetarëve dhe punonjësve të medias janë të pandashme nga standardet themelore të të drejtave të njeriut dhe lirisë së shprehjes.

Gazetarët e pushuar nga puna pretendojnë se veprimet dhe mosveprimet institucionale përbëjnë jo vetëm shkelje të legjislacionit të punës, por edhe një sinjal alarmi për abuzimin me pasuritë e sekuestruara në emër të shtetit dhe përdorimin e tyre në mënyrë arbitrare ndaj qytetarëve.

Asociacioni i Gazetarëve kërkon nga institucionet publike që të nisin një hetim administrativ për shkeljet e raportuara, audit të plotë të pagesave dhe kontributeve të prapambetura në emër të punonjësve dhe garantimin e përfshirjes ligjore të punonjësve si kreditorë të privilegjuar në çdo procedurë falimentimi në zhvillim.

Nga ana e AAPSK nuk është mbajtur një qëndrim publik rreth pretendimeve të gazetarëve rreth kësaj çështje.  

Televizoni Ora një kanal televizin informative 24 orësh në vend, ishte në pronësi të Ylli Ndroqit deri në vitin 2020.  Me vendim të Prokurorisë së Posaçme, SPAK, u vendos sekuestrimi mbi të dhe pasuri të tjera të Ndroqit, pasi dyshohet se biznesi i tij i ka rrënjët në përfshirjen e trafikut të drogës.