Kërkimet arkeologjike, në kërkim të fondeve

KOMENT/

Territori i Shqipërisë është shquar që herët për pasurinë e tij arkeologjike, që pasqyron periudha të hershme të qytetërimeve që ngriheshin dikur mbi të.

Nga Veriu në Jug, nuk mungojnë gjetjet apo informacionet për zona të pasura me objekte arkeologjike.

Ekspeditat arkeologjike, që e kalojnë në sitë atë që gjendet në terren, janë mënyra e mbledhjes dhe dokumentimit të asaj që gjendet nëntokë.

“Në Shqipëri ka pasuri arkeologjike, por nuk ka lekë”, do të ishte shprehja që i shkon përshtat “Rilindjes” që e ka lënë në harresë kulturën dhe kërkimin shkencor.

Instituti i Arkeologjisë, në varësi të ministrisë së Arsimit dhe Agjencia e Shërbimit Arkeologjik, në varësi të ministrisë së Kulturës, janë dy prej instituteve që duket se kanë peshën më të madhe në kryerjen e ekspeditave dhe kërkimit shkencor në fushën e arkeologjisë.

Sezoni veror është i përshtatshëm për ndërmarrjen e ekspeditave dhe përveç pushimeve të administratës, nuk duket se dikush po lëviz për zbulimin e objekteve dhe siteve të reja arkeologjike.

Përpara disa muajsh në qytetin e Durrësit u kryen gërmime në kuadër të një projekti për krijimin e një harte arkeologjike GIS (Sistem Informativ Gjeografik), mbi monumentet e zbuluara dhe mbulura në Durrës, ku arekologë shqiptarë dhe francezë zbuluan shtresa të reja të qytetit antik, nën ndërtimet romake.

Këto gërmime u kryen mbi bazën e atyre që janë zbuluar ose janë dokumentuar se ekzistojnë nga arkeologu Vangjel Toçi, përpara viteve’ 90.

Projekti ishte një bashkëpunim midis Institutit të Arkeologjisë , Universitetit “Lion 2”, në Francë, ku ishin palë edhe Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare Durrës, si dhe Bashkia Durrës. Financimi i projektit u bë nga Ministria e Punëve të Jashtme Franceze.

Nga ky rast duket se institucionet shqiptare nuk kanë mungesë vullneti për tu përfshirë në gërmime dhe ekspedita arkeologjike, por problem mbetet financimi.

“Zëri i dietave në buxhet për arkeologjinë ka vite që është hequr”, deklaroi në një intervistë kohë më parë drejtuesi i Institutit të Arkeologjisë, Prof. Dr. Luan Përzhita.

Të gjendur përballë këtyre vështirësive të punës në terren, arkeologët kanë mungesë laboratoresh dhe ambientesh për studimin, konservimin dhe inventarizimin e objekteve arkeologjike që zbulohen.

Përveç mungesës së nxitjes për punën shkencore, duket se ka një përqendrim të gërmimeve arkeologjike vetëm në disa pika të territorit të vendit.

Durrësi, Apolonia, Saranda, Vlora dhe pak qytete i nënshtrohen ekspeditave arkeologjike, duke lënë në harresë territore të tjera të vendit, ku ka raportime për prani të objekteve arkeologjike, siç është për shembull rrethi i Dibrës.

Mungesa e ekspeditave dhe restaurimit të objekteve ekzistuese ka çuar në degradimin e një pjese të tyre, ku jo të pakta kanë qenë rastet e vjedhjes së tyre.

Peshkatarët në qytetin e Durrësit, Vlorës dhe jo vetëm, janë në dijeni të disa pikave ku nuk peshkojnë sepse ka anije të vjetra, që ende nuk i janë nënshtruar njohjes nga arkeologët, por vetëm nga disa njerëz që e kanë pasion zhytjen.

Mungesa e fondeve sjell dhe marrjen në punë të punëtorëve të pakualifikuar, që mund t’i dëmtojnë objektet e zbuluara nga pakujdesia.

“Tek termat poshtë Pallatit të Kulturës kemi zbuluar faza të ndryshme kronologjike dhe përdorimi para ndërtimit të termave, duke shkuar deri në shekullin III para Krishtit, ku është zbuluar një dysheme, parket, dhe që tregon se ka qenë lagje e banuar me banesa private. Pjesë të një rruge të panjohur, mbi të cilën është ndërtuar më pas në periudhën romake.

Tek muri i kalasë vazhdojmë të kërkojmë thellësinë tërësore të themelit të murit dhe të përpiqemi të bëjmë datimin.

Tek lulishtja e Mauzoleumit të Dëshmorëve kemi rënë në strukturat e  një terme të periudhës romake” (foto më lart), tha në një intervistë për “Amfora.al” pak muaj më parë, arkeologu, Dr. as. Eduard Shehi, që drejtonte gërmimet në kuadër të projektit në bashkëpunim me Universitetin “Lion 2”, në Francë, që shërben si një shembull i rezultateve si rrjedhojë e financimit.


Notice: ob_end_flush(): failed to send buffer of zlib output compression (0) in /home3/nwmcvqij/public_html/wp-includes/functions.php on line 5109