Lako: “Mozaiku me kryqin e Meandrit është shpallur monument kulture”

Prej vitesh në nëntokën e qytetit të Durrësit është zbuluar një mozaik me simbolin e Meandrit.

Mozaiku i punuar me teknikën bardhë e zi mozaiku ishte i vendosur në një banesë antike, si pjesë e dyshemesë luksoze të saj. Ndërtimi i tij i përket shekullit të I, të erës sonë.

Mozaiku ka në brendësi simbolin e Meandrit ose të diellit në lëvizje, në formën e kryqit të thyer. Mozaiku u zbulua në vitin 2005, gjatë gërmimeve për ndërtimin e një pallati, dhe pas disa viteve pallati u ndërtua. Deri përpara disa muajsh mozaiku ndodhej i konservuar (mbuluar me rërë) dhe së bashku me rrënojat e lagjes antike, gjendej poshtë disa tubave të çara, që shkarkonin ujëra të zeza.

Ajo që është kërkuar ndër vite nga arkeologët dhe qytetarët, ka ndodhur në fund të vitit 2015. Sipas drejtorit të Drejtorisë Rajonale të Kulturës në Durrës, Ledion Lako, në fund të këtij viti mozaiku dhe rrënojat antike pranë tij, janë shpallur monument kulture të kategorisë së parë.

Faqja e raportimit multimedial “sonda arkeologjike”, pjesë e “Amfora.al”, vitin e kaluar ka bërë një raportim të detajuar rreth mozaikut me kryqin e thyer të Meandrit dhe rrënojave të lagjes antike të zbuluara aty.

Ledion Lako, ka dhënë një intervistë për faqjen e raportimit multimedial të “Amfora.al”, “Sonda arkeologjike” (paraqitur me audio), duke ju përgjigjur pyetjeve;

  • Cili është historiku i zbulimit të mozaikut dhe lagjes antike?
  • Përse janë lënë në këtë gjendje këto zbulime arkeologjike?
  • Çfarë statusi kanë këto monumente?
  • Çfarë masash ka marrë Drejtoria Rajonale e Kulturës në Durrës, për bërjen e tyre të vizitueshëm?

“Mozaiku i Meandrit ose mozaiku me kryq, që ndodhet në lagjen numër 11 të qytetit të Durrësit është zbuluar rreth vitit 2005, kur në të do të ndërtohej një pallat. Dhe në ato vite Instituti i arkeologjisë në bashkëpunim me institucionet e tjera, kanë vendosur që të ndërtohej pallati, pavarësisht se aty ndodhen rrënoja, që kishin vlera të veçanta dhe ky mozaik që është nga të rradhët, që tregon mënyrën e jetesës, të ndërtimit të periudhës romake, ku vendasit aty besonin tek dielli. Ky mozaik përfaqëson besimin ndaj diellit, i cili jepte energji.

Ndër vite është lënë në harresë dhe nuk ishte shpallur as në mbrojtje paraprake, as monument kulture dhe ne jemi njohur me këtë problematikë në vitin 2014 dhe gjatë këtij viti, ku unë edhe kam marrë detyrën, ka qenë një nga prioritetet e drejtorisë, për ta kthyer në të vizitueshëm.

Masa që ne morëm ishte që fillimisht e vumë në mbrojtje paraprake dhe me bashkëpunimin që patëm më Institutin e Monumenteve të Kulturës dhe Ministrinë e Kulturës, vendosëm që ta shpallim monument kulture, dhe në fund të vitit 2015, u shpall dhe u quajt Monument Kulture i Kategorisë së Parë, mozaiku me rrënojat.

Menjëherë bëmë një preventiv fillestar, ndërhyrje për të bërë të mundur pastrimin nga ujërat e zeza, nga plehrat dhe gjithashtu rregullimit të tubacionit të kanalizimeve që janë aty, për shkak se gjatë ndërtimit ato janë bërë në mënyrë të gabuar dhe rrjedhin ujë vazhdimisht.

Kemi bërë këto ndërhyrje, kemi eliminuar ujin, mbi 1 metër e gjysmë, ndoshta edhe mbi 2 metra ujë lartësi, ku ishte një ujë i përzier me fekale, mbeturina, qese të ngjeshura ndër vite dhe janë hequr kamionçina me mbeturina.

Ishte një punë intensive për sa i përket pastrimit dhe vazhdon akoma procesi, për shkak se përveç këtyre muajve që ne kemi punuar çdo ditë për të bërë të mundur pastrimin e këtij ambjenti, banorët përreth vazhdojnë edhe hedhin plehra akoma. Kështu që ne jemi detyruar tani  dhe kemi eliminuar ujin, duke e hequr nëpërmjet autoboteve dhe pompave vertikale.

Tani jemi në fazën tjetër, në të cilën do t’i mbyllim pjesët që kanë kontakt me jashtë, do t’i mbyllim me mure ose me materiale të tjera, që do të parashikohen në projekt, në mënyrë që të mos hyjnë këto mbeturina, të cilat hidhen nga banorët e pallatit fatkeqësisht.

Gjithsesi ne i kemi marrë këto masa dhe sot është në një gjendje më të mirë dhe po eliminojmë ujin. Kanë ngelur 2-3 centimetra ujë dhe jemi afër eliminimit të plotë të tij, por duhet bërë edhe kjo ndërhyrje e fundit, në mënyrë që më pas edhe ta lyejmë dhe ta nxjerrim në dritë për ta bërë të ekspozueshëm për vizitorët dhe t’i shtohet një aset tjetër më vlera të mëdha arkeologjike qytetit të Durrësit”.

Fotografi e rrënojave antike, kur ishin të mbuluara nga ujërat e zeza

Notice: ob_end_flush(): failed to send buffer of zlib output compression (0) in /home3/nwmcvqij/public_html/wp-includes/functions.php on line 5109