Media Amfora në Bruksel, pjesë e programit për njohjen me institucionet evropiane

Në kuadër të një programi për njohjen me funksionimin e institucioneve të Bashkimit Evropian, në Bruksel u zhvilluan takime me profesionistë të medias. Pjesë e programit ishte edhe Geri Emiri, gazetar dhe drejtor ekzekutiv i Qendrës Amfora, i cili u takua me përfaqësues të institucioneve evropiane dhe organizatave që mbështesin median.

Në një kohë kur dezinformimi dhe mbështetja e gazetarisë së pavarur mbeten sfida të rëndësishme, profesionistë të medias nga vende të ndryshme u mblodhën në Bruksel për të diskutuar këto çështje dhe për t’u njohur nga afër me funksionimin e institucioneve evropiane.

Takimet u zhvilluan nga 19 deri më 23 tetor, në kuadër të Programit të Vizitorëve të Bashkimit Evropian (EUVP), ku mori pjesë edhe Geri Emiri, gazetar dhe drejtor ekzekutiv i Qendrës Amfora. Gjatë pesë ditëve, pjesëmarrësit diskutuan me përfaqësues të institucioneve evropiane edhe për integrimin në BE dhe mbështetjen e medias së pavarur.

Pjesa më e madhe e takimeve të Emirit u zhvilluan individualisht me përfaqësues të institucioneve të Bashkimit Evropian, duke krijuar mundësi për diskutime të drejtpërdrejta mbi çështje që lidhen me Shqipërinë dhe Ballkanin Perëndimor.

Në Parlamentin Evropian, programi përfshiu njohjen me mënyrën se si merren vendimet në Bashkimin Evropian, rolin e deputetëve dhe komunikimin e institucionit me qytetarët. Pjesëmarrësit vizituan ambientet e Parlamentit Evropian dhe u njohën me shërbimet që përdoren për informimin e publikut, përfshirë ato audiovizive.

Një pjesë e rëndësishme e vizitës iu kushtua integrimit evropian të Shqipërisë dhe Ballkanit Perëndimor. Në Komisionin Evropian, Emiri zhvilloi takime me përfaqësues të strukturave që ndjekin procesin e zgjerimit të BE-së, ku në fokus ishin zhvillimet në rajon dhe rruga e vendeve kandidate drejt anëtarësimit.

Dezinformimi dhe ndikimi i aktorëve të huaj në përhapjen e informacioneve manipuluese ishin ndër temat e takimeve me përfaqësues të Komisionit Evropian dhe Shërbimit Evropian të Veprimit të Jashtëm. Këto struktura ndjekin sfidat që lidhen me manipulimin e informacionit dhe komunikimin publik, përfshirë vendet e Ballkanit Perëndimor.

Geri Emiri, gazetar dhe drejtor ekzekutiv i Qendrës Amfora, gjatë Programit të Vizitorëve të Bashkimit Evropian (EUVP), në Bruksel. Foto: EUVP

Transparenca dhe përgjegjësia e institucioneve ndaj qytetarëve u trajtuan gjatë takimeve me Zyrën Evropiane Kundër Mashtrimit (OLAF) dhe “Ombudsmanin Evropian”. Këto institucione merren përkatësisht me hetimin e mashtrimeve që prekin interesat financiare të BE-së dhe me shqyrtimin e ankesave për keqadministrim në institucionet evropiane.

Vizita përfshiu edhe takime me organizata që mbështesin gazetarinë e pavarur dhe shoqërinë civile. Mes tyre ishte “European Endowment for Democracy” (EED), organizatë që ka mbështetur më herët veprimtarinë e Medias Amfora, si dhe “Civitates” dhe “Journalismfund Europe”. Në fokus ishin mbështetja e mediave të pavarura, mundësitë e financimit të gazetarisë dhe forcimi i organizatave të shoqërisë civile.

Gjatë programit, pjesëmarrësit ndoqën edhe një konferencë për shtyp të Komisionit Evropian, vizituan ndërtesën “Europa” të Këshillit Evropian dhe Shtëpinë e Historisë Evropiane. Vizita u përmbyll në Parlamentin Evropian me një sesion vlerësimi dhe dorëzimin e certifikatave.

Programi bashkoi profesionistë të medias nga Shqipëria, Mbretëria e Bashkuar, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kamboxhia, Bosnjë-Hercegovina dhe Mali, duke krijuar mundësi për njohjen e përvojave të ndryshme dhe zgjerimin e kontakteve profesionale.

Për Median Amfora, pjesëmarrja në program krijoi mundësi për zgjerimin e kontakteve profesionale dhe njohjen me përvojat evropiane në fushën e gazetarisë së pavarur dhe luftës kundër dezinformimit.