Beteja për Zemrën Blu të Evropës: Komunitetet nuk pranojnë t’i dorëzojnë lumenjtë

Hidrocentralet e vegjël vijojnë të përhapen në lumenjtë e Shqipërisë dhe Ballkanit Perëndimor, duke nxitur konflikte shumëvjeçare mes kompanive dhe komuniteteve lokale. Në Shqipëri dhe Bosnjë-Hercegovinë, projektet hidroenergjetike vazhdojnë të avancojnë përmes procedurave administrative, pavarësisht kundërshtimeve të banorëve dhe vendimeve gjyqësore që kanë anuluar leje dhe akte të caktuara.

“Mirë, mirë, e morëm vesh, po vijmë”, e mbyll shkurt bisedën Rexhep Kuleni, pasi iu përgjigj telefonatës urgjente që ndërpreu edhe intervistën.

“Kanë ardhur ata përfaqësuesit e Domës, për provokim sigurisht. Hajde të mbledhim njerëzit dhe të shkojmë të mbrojmë ujërat tona”, iu drejtua bashkëfshatarëve që i ishin përgjigjur interesit tonë për një intervistë.

“Po, po, hajdeni të shkojmë direkt”, dëgjohen gati në kor banorët e fshatit Kurdari.

Pas kësaj përplasen me shpejtësi të gjitha dyert e makinave të parkuara pranë nesh, të tjerë afrohen rastësisht me motora dhe i vihen pas automjeteve me shpejtësi sapo dëgjojnë se punëtorët e kompanisë ndërtues të hidrocentralit janë afruar në zonë.

Me të mbërritur në hyrje të fshatit, ngjashëm si një trupë e stërvitur teatrale, ata përmbajnë emocionet dhe presin zhvillimin e skenarit të dramës që tashmë e luajnë prej vitesh. Edhe këtë herë kamionçina me punëtorët e kompanisë del duarbosh nga fshati.

Kurdaria është “zemra e bujqësisë” në rajonin e Matit dhe furnizon disa qytete dhe fshatra të tjerë me produkte bujqësore. Gjithçka mundësohet përmes “Përroit të Lusës”, i cili rrjedh në 18 kilometra nga zona e Liqeneve të Balgjajt, për tu derdhur drejt Lumit Mat.

Përroi i Lusës në fshatin Kurdari gjatë verës thuajse thahet, ndërsa prurjet e pakta të ujit nuk mjaftojnë as për vaditjen e tokave bujqësore të komunitetit lokal. Foto: Media Amfora
Përroi i Lusës në fshatin Kurdari gjatë verës thuajse thahet, ndërsa prurjet e pakta të ujit nuk mjaftojnë as për vaditjen e tokave bujqësore të komunitetit lokal. Foto: Media Amfora

Pas disa betejave të fituara ndër vite kundër prekjes së këtij përroi nga kompani të ndryshme, që prej 2020-ës banorët po kundërshtojnë ndërtimin e një tjetër hidrocentrali, të quajtur “Doma”.

“Ne jemi të betuar që nuk do të lejojmë të ndërtohen HEC-e brenda Kurdarisë sepse uji është jeta. Edhe fëmijët e kopshtit e të shkollës na shohin, janë të stresuar sepse mendojnë edhe ata për të ardhmen se pa ujë nuk jetohet”, rrëfeu i prerë Rexhep Kuleni, banor i Kurdarisë.

Rexhep Kuleni, një nga figurat kryesore të organizimit dhe qëndresës së banorëve të Kurdarisë në Mat, kundër ndërtimit të hidrocentraleve, duke folur për Median Amfora
Rexhep Kuleni, një nga figurat kryesore të organizimit dhe qëndresës së banorëve të Kurdarisë në Mat, kundër ndërtimit të hidrocentraleve, duke folur për Median Amfora

Historia e këtij fshati të Matit është fotokopja e një konflikti që prej vitesh përsëritet në shumë komunitete lokale të Shqipërisë dhe më gjerë në Ballkan, ku ndërtimi i hidrocentraleve të vegjël ka përplasur interesat e investitorëve me banorët që varen nga burimet ujore.

Në Shqipëri, Partia Socialiste pas ardhjes në pushtet në vitin 2013, premtoi një rishikim të gjerë të kontratave koncesionare dhe transparencë mbi ligjshmërinë e tyre, por prej 13 vitesh tashmë “larg syrit të publikut” projektet për shfrytëzimin hidroenergjetik të lumenjve vijojnë të avancojnë po njësoj si dekada më parë.

Amfora, një media e pavarur shqiptare me fokus tek gazetaria investigative dhe komunitetet lokale, përpunoi të dhënat që Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore (AKBN) i vuri në dispozicion, ku rezultojnë 270 regjistrime administrative të kontratave dhe projekteve hidroenergjetike, prej të cilave 165 (61.1%) klasifikohen në fazën e prodhimit, 31 (11.5%) në ndërtim dhe për 74 (27.4%) nuk kanë nisur ende punimet.

Pas hidrocentraleve që banorët kundërshtojnë nëpër fshatra dhe dyerve të gjykatave ku përfundojnë këto përplasje, fshihet një hartë shumë më e gjerë e shfrytëzimit hidroenergjetik të lumenjve shqiptarë. Të dhënat e përpunuara nga Media Amfora, bazuar në regjistrin e Agjencisë së Menaxhimit të Burimeve Ujore (AMBU), tregojnë se Dibra kryeson me 81 grupime paraprake projektesh hidroenergjetike, e ndjekur nga Elbasani me 80, Kukësi me 58 dhe Shkodra me 56.

Fenomeni ka infektuar prej vitesh rajonin e Ballkanit Perëndimor, ku, sipas raportit shkencor “Gjendja e Lumenjve të Ballkanit 2025”, të përgatitur për organizatat “Riverwatch” dhe “EuroNatur”, Ballkani humbi rreth 2450 kilometra segmente lumore pothuajse natyrore ndërmjet viteve 2012 dhe 2025. Ndërsa pjesa e klasifikuar si pothuajse natyrore ra nga 30% në 23%, ndërsa zhvillimi hidroenergjetik identifikohet si një ndër faktorët kryesorë të degradimit të tyre.

Për të dokumentuar sfidat e komuniteteve lokale përballë projekteve hidroenergjetike edhe jashtë Shqipërisë, Media Amfora e shtriu investigimin e saj në Bosnjë-Hercegovinë, në rastin e Lumit Pliva, ku banorët kundërshtojnë prej vitesh ndërtimin e hidrocentralit “Jovići”. Ai përfaqëson një projekt me kapacitet vetëm 0.6 megavatë, për të cilin gjykatat kanë anuluar 3 leje mjedisore, por që ende nuk është braktisur përfundimisht.

“Asnjë çmim i energjisë elektrike që do të prodhohej në hidrocentralin e planifikuar nuk mund të kompensojë atë që do të shkatërrohej në Plivë si mjedis natyror”, shpjegoi hidrologu Muriz Spahić.

Fantazmat e Maleve të Ballkanit

Në Shqipëri, rreth 15 kilometra larg Kurdarisë, në fshatin Guri i Bardhë, që ngrihet si kurorë mbi luginën e lumit Mat, një tjetër projekt hidroenergjetik shfaqet dhe zhduket kohë pas kohe, duke rikthyer makthin e marrjes së ujit te banorët.

Hidrocentralet “Guri i Bardhë 1 dhe 2”, të shoqërisë “Gealb Energy”, mbështeten në një kontratë koncesionare të nënshkruar në vitin 2017. Banorët arritën që në mars të vitit 2021 përmes një peticioni kundër HEC-it, projekti të merrte deklaratë mjedisore negative – pasi kompania nuk arriti të përmbushte kërkesën e përsëritur të Agjencisë Kombëtare të Mjedisit (AKM) për ribërjen e dëgjesës publike.

Gati pesë vite pasi u zhduk, kompania u rishfaq më 16 korrik 2026 me një aplikim të ri dhe AKM-ja kërkoi sipas ligjit konsultim me pjesëmarrje të gjerë të banorëve të çdo fshati të prekur.

“U shkëputën nja 3-4 vite dhe tani kanë hapur përsëri dëgjesa me datë 29 shtator dhe prapë e kanë bërë fshehurazi në shtëpinë e një fshatari në fund të fshatit”, shpjegoi për Amforën Lavdrim Xira, nga fshati Guri i Bardhë.

“Ne e morëm vesh pas 1 jave dhe këta me sa kuptohet duan të dërgojnë përsëri kërkesë për të marrë lejen e mjedisit sepse aty është qëllimi i tyre”, shpjegoi ai mbi lëvizjet e fundit të kompanisë.

Gjurma fillestare e projektit të HEC-it “Guri i Bardhë 1” hynte brenda Zonës së Mbrojtur “Mali me Gropa-Bizë-Martanesh” dhe rishikimi i saj tashmë ishte vendosur jashtë saj. Megjithatë, në vlerësimin e Agjencisë Rajonale të Mjedisit Dibër, që Amfora lexoi, evidentohej afërsia e dy veprave të marrjes së ujit me kufirin e Zonës së Mbrojtur.

“Përmendim këtu humbjen e sipërfaqeve pyjore dhe të shërbimeve të ekosistemit pyjor, fragmentimin e habitateve, shqetësimin e faunës, ndryshimin e rrjedhës natyrore të ujit, e të tjera”, evidentonin autoritetet mjedisore për ndikimet e mundshme të projektit.

Për banorët e zonës, ky projekt endet prej gati 10 vitesh në fshat dhe rikthimi i tij organizon jo vetëm ata që jetojnë aty, por edhe emigrantët. Lavdrim Xira tregon se teksa po tenton të ftojë nga viti në vit turistë nga Evropa që ta njohin Gurin e Bardhë, planet e energjisë mund ta hedhin poshtë ëndrrën turistike.

“Ky fshati është një ndër 100 fshatrat turistik dhe ka premisa ngaqë është shumë afër kryeqytetit dhe janë 2-3 HEC-e për t’u bërë edhe i bien që të bëhen në luginën mes për mes të gjithë fshatit, i bie që të bëhet një masakrim total”, shpjegoi Xira.

Hidrocentralet kanë transformuar peizazhin natyror pranë fshatrave Guri i Bardhë dhe Plani i Bardhë, në Bashkinë Klos, duke ndryshuar rrjedhën e ujërave dhe pamjen e luginës. Foto: Media Amfora
Hidrocentralet kanë transformuar peizazhin natyror pranë fshatrave Guri i Bardhë dhe Plani i Bardhë, në Bashkinë Klos, duke ndryshuar rrjedhën e ujërave dhe pamjen e luginës. Foto: Media Amfora

Amfora gjeti në një auditim të Kontrollit të Lartë të Shtetit disa parregullsi në procedurat që çuan në miratimin mjedisor të projektit në shkurt të vitit 2022. Sipas raportit, megjithëse Bashkia Klos kishte përcjellë më herët mendim negativ, së bashku me peticionin e banorëve, në shtator 2021 në sistemin elektronik u regjistrua një “aprovim automatik në heshtje”.

Për inxhinierin e mjedisit dhe drejtorin ekzekutiv të shoqatës “Ekspertët e Rinj Mjedisorë” në Bulqizë, Danjel Bica, edhe mënyra se si vlerësohen ndikimet e projekteve hidroenergjetike ka vend për interpretim nga ana teknike.

“Vlerësimet e ndikimit në mjedis që përgatiten i nxjerrin HEC-et pa ndikim në mjedis. Kjo është kontradiktore sepse të bësh një ndërhyrje në mjedis, të hapësh një kanal, të presësh pyjet, të hedhësh beton dhe të thuash që nuk ka ndikim në mjedis, kjo që në nisje është gabim”, theksoi Bica.

Megjithëse projekti dështoi 2 herë në institucionet e mjedisit që të merrte dritën jeshile, ai po tenton të përparojë sërish këtë vjeshtë – përballë banorëve që i janë rreshtuar kundër për të katërtën herë.

Aktivistja mjedisore Besjana Guri, duke folur për përhapjen e hidrocentraleve të vegjël në Shqipëri dhe Ballkan, si edhe ndikimin e tyre në lumenjtë dhe komunitetet lokale. Foto: Media Amfora
Aktivistja mjedisore Besjana Guri, duke folur për përhapjen e hidrocentraleve të vegjël në Shqipëri dhe Ballkan, si edhe ndikimin e tyre në lumenjtë dhe komunitetet lokale. Foto: Media Amfora

“Komunitetet nga njëra anë janë në terr informativ, të papyetur dhe të padëgjuar. Nga ana tjetër, kompanitë zhvillimore kanë të gjithë aksesin e mundshëm, informacionin dhe patjetër që mund të marrin të gjitha lejet duke anashkaluar komunitetin, ose të paktën duke bërë sikur kanë konsultuar komunitetin”, shpjegoi aktivistja mjedisore Besjana Guri, e cila e cilësoi përhapjen e hidrocentraleve të vegjël në Ballkan si një “epidemi” që prek lumenj dhe përrenj në të gjithë rajonin.

Në Plivë 3 leje mjedisore anulohen, por projekti mbetet

Një histori e ngjashme po zhvillohet edhe në Lumin Pliva, në Bosnjë-Hercegovinë, ku hidrocentrali “Jovići” mbetet një projekt që me fantazmën e tij kërcënon prej 20 vitesh banorët e fshatit Pljeva.

Slobodanka dhe Slobodan Vasić, sipërmarrës në sektorin e gastronomisë dhe banorë të fshatit Pljeva, në komunën e Šipovos, Bosnjë-Hercegovinë. Foto: Dejan Rakita
Slobodanka dhe Slobodan Vasić, sipërmarrës në sektorin e gastronomisë dhe banorë të fshatit Pljeva, në komunën e Šipovos, Bosnjë-Hercegovinë. Foto: Dejan Rakita

Koncesioni u nënshkrua në shkurt 2006, me një afat fillestar prej vetëm 21 muajsh për realizimin e investimit, por hidrocentrali nuk u ndërtua, ndërsa kontrata iu transferua një tjetër kompanie në vitin 2016.

Në dhjetor 2023, autoritetet e Republikës Srpska ndryshuan kufirin e propozuar të një zone të ardhshme të mbrojtur, duke lënë jashtë vendndodhjen e hidrocentralit dhe ndryshe nga Guri i Bardhë, ku u ndryshua gjurma e projektit, në Plivë u ndryshua kufiri i planifikuar për mbrojtjen e lumit.

Përplasja me institucionet vijoi edhe në gjykata, ku gjatë vitit 2025, Ministria përgjegjëse për mjedisin në Republikën Srpska lëshoi 3 leje mjedisore për “Jovići”-n, por të tria u anuluan nga Gjykata e Qarkut në Banja Luka. Më e fundit ishte në qershor 2026, por megjithatë koncesioni nuk u ndërpre dhe ndërsa autoritetet presin përfundimin e procedurave gjyqësore, banorët kërkojnë mbrojtjen e lumit.

Për hidrologun Muriz Spahić, themelues i Shoqatës së Gjeografëve të Bosnjë-Hercegovinës dhe ish-dekan i Fakultetit të Shkencave në Sarajevë, ndërhyrjet në lumin Pliva kërcënojnë një trashëgimi natyrore të pazëvendësueshme. 

“Të gjitha ndërhyrjet njerëzore, të planifikuara ose që po zhvillohen në lumin Pliva, po cenojnë një mjedis natyror të pazëvendësueshëm. Ato po shkatërrojnë përgjithmonë atë që natyrës iu deshën më shumë se dy milionë vjet për ta krijuar”, paralajmëroi ai.

Ndërsa shkencëtari boshnjak Dalibor Ballian, profesor në Fakultetin e Pylltarisë në Universitetin e Sarajevës dhe anëtar korrespondent i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Bosnjë-Hercegovinës, e vendosi theksin te rëndësia e burimeve ujore për brezat e ardhshëm. 

“Pyetja është nëse për ne është më e rëndësishme të kemi ujë të pijshëm apo disa kilovatë nga një hidrocentral”, u shpreh Ballian. Duke iu referuar pastërtisë së burimeve të Plivës, ai paralajmëroi: “Le të mos e shkatërrojmë. Do të na duhet në të ardhmen, për veten tonë, fëmijët dhe nipërit tanë”.

Hidrocentrali i vogël “Glavica” në lumin Pliva, Bashkia Šipovo, Bosnjë-Hercegovinë. Foto: Dejan Rakita
Hidrocentrali i vogël “Glavica” në lumin Pliva, Bashkia Šipovo, Bosnjë-Hercegovinë. Foto: Dejan Rakita

Referuar raportit shkencor “Gjendja e Lumenjve të Ballkanit 2025” edhe Shqipëria ngjashëm si Bosnjë-Hercegovina, ka regjistruar përkeqësimin më të madh të gjendjes së lumenjve në rajon. Pjesa e segmenteve lumore të klasifikuara si pothuajse natyrore ra nga 68% në vitin 2012 në 40% në vitin 2025, një tkurrje prej 28 pikësh përqindjeje.

Vetëm ndërmjet viteve 2018 dhe 2025, gjatësia e këtyre segmenteve u zvogëlua nga 3812 kilometra në 2668. Studiuesit identifikojnë ndërtimin e hidrocentraleve dhe ndërhyrjet në rrjedhën e lumenjve ndër faktorët kryesorë të degradimit, krahas shfrytëzimit të sedimenteve dhe ndërtimeve të tjera infrastrukturore.

“Uji është shfrytëzuar në shumë raste pa kriter, duke lënë edhe familjet ose fermerët pa mundësi të furnizohen apo të zhvillojnë aktivitetin e tyre bujqësor”, vlerësoi eksperti i ekonomisë Klodian Muço, duke iu referuar politikave dhe rasteve të dhënies së koncesioneve hidroenergjetike në Shqipëri dhe kontekstit ballkanik.

Sipas tij, hidrocentralet kanë kontribuar në prodhimin e energjisë, por përfitimi duhet peshuar kundrejt mbështetjes financiare, shfrytëzimit të burimeve ujore dhe kostove afatgjata.

“Ndryshimet klimatike e bëjnë gjithnjë e më të pasigurt prodhimin, pasi kapaciteti i instaluar i një hidrocentrali nuk garanton të njëjtën sasi energjie gjatë gjithë vitit”, konstatoi Muço.

Për inxhinierin e mjedisit, Danjel Bica, ndikimi në ekonominë lokale të ndërtimit të këtyre hidrocentraleve është i papërfillshëm.

“Pas ndërtimit të HEC-it, dy-tre persona mund të punësohen. Nuk është se duhen këto HEC-e për shkak se sjellin të ardhura për komunitetet lokale”, shpjegoi Bica.

Në raportin e vitit 2025, Komisioni Evropian konstatoi mungesë progresi në kapitullin 27 për mjedisin dhe ndryshimet klimatike. Brukseli kërkoi zbatimin e plotë të legjislacionit për vlerësimin e ndikimit në mjedis, respektimin e detyrimeve për mbrojtjen e ujërave dhe sigurimin e pjesëmarrjes së publikut në vendimmarrje.

Teksa përqendrimi i hidrocentraleve të vegjël në Shqipëri bëhet edhe më i dukshëm kur ndiqet rrjedha e lumenjve. Nga 440 grupime të identifikuara, 150 i përkasin basenit Drin-Bunë, 99 Shkumbinit dhe 98 Matit. Këto tri basene përmbledhin gati 79% të regjistrimeve të konsoliduara, duke treguar se interesi për shfrytëzimin hidroenergjetik është përqendruar në disa prej rrjeteve kryesore ujore të vendit

Në Kurdari, banorët “braktisin arat” për të mbrojtur ujin

Në Kurdari të Matit, debati për strategjitë energjetike përkthehet në një shqetësim shumë më të drejtpërdrejtë: Nëse uji do të mjaftojë për tokat dhe bagëtitë. Lefter Sula, një prej banorëve që kundërshton ndërtimin e hidrocentralit “Doma”, tregon se përballja e vazhdueshme me kompaninë i largon fermerët nga aktivitetet e përditshme bujqësore.

“Unë kam ndenjur 30 e ca vite në emigrim, por kam zgjedhur fshatin dhe jam kthyer”, rrëfeu ai, ndërsa përshkruan jetesën e familjes midis bujqësisë dhe blegtorisë. “Mua më duhet të lë punët e mia për të dalë që të kërkoj të drejtën për ujin”, shtoi Sula, për të cilin konflikti ka sjellë jo vetëm pasiguri për të ardhmen, por edhe humbje të kohës së punës.

Sot buzë të rrugës së Kurdarisë, një ekskavator që dikur kishte hyrë në Përroin e Lusës për ndërtimin e hidrocentralit “Doma”, ka mbetur si kujtim i një prej përplasjeve më të forta mes banorëve dhe kompanisë që kërkon të shfrytëzojë ujërat e zonës. Dy ekskavatorë u ndaluan me forcë nga banorët dhe u nxorën nga vendi i punimeve nën presionin e tyre, duke i shoqëruar drejt rrugës së fshatit.

Një ekskavator i kompanisë që planifikon të ndërtojë hidrocentralin “Doma” në fshatin Kurdari të Matit u zhvendos me forcë nga banorët vendas, nga përroi drejt rrugës kryesore, në shenjë proteste kundër projektit. Foto: Media Amfora
Një ekskavator i kompanisë që planifikon të ndërtojë hidrocentralin “Doma” në fshatin Kurdari të Matit u zhvendos me forcë nga banorët vendas, nga përroi drejt rrugës kryesore, në shenjë proteste kundër projektit. Foto: Media Amfora

“Këtu ne do të ulemi, do të shtrihemi. Kaloni nga trupat tanë dhe hajdeni ndërtoni”, rrëfeu Milazim Hystuna, kryetari i fshatit Kurdari, duke përshkruar përballjen me kompaninë. Ai tregoi se banorët i kërkuan drejtuesit të ekskavatorit ta nxirrte mjetin nga zona e punimeve. 

“Ne nuk e kemi dëmtuar mjetin, se nuk ka faj mjeti, as nuk kemi bërë dhunë fizike me njerëzit”, shpjegoi Hystuna.

Më 6 mars 2026, banorët u mobilizuan sërish që në orët e para të mëngjesit, pasi konstatuan një makineri duke punuar pranë përroit. Ishte një tjetër përballje në një konflikt që prej muajsh i kishte detyruar banorët të organizonin grupe vëzhgimi, të linin punët në ara dhe të mblidheshin sa herë që merrnin njoftim për praninë e kompanisë.

“Sa ta dëgjojnë se erdhi firma, banorët vijnë, mblidhen vetë, njoftojnë njëri-tjetrin”, shpjegoi Hystuna. Ai tregoi se banorët kanë kaluar muaj të tërë në gjendje gatishmërie, duke monitoruar lëvizjet pranë përroit me telefonata dhe njoftime mes tyre.

Banorët e Kurdarisë mobilizohen sa herë që përfaqësuesit e kompanisë ndërtuese të hidrocentralit “Doma” shfaqen në zonë, ndërsa monitorojnë vazhdimisht territorin pranë përroit të Lusës për të evidentuar punime të mundshme. Foto: Media Amfora
Banorët e Kurdarisë mobilizohen sa herë që përfaqësuesit e kompanisë ndërtuese të hidrocentralit “Doma” shfaqen në zonë, ndërsa monitorojnë vazhdimisht territorin pranë përroit të Lusës për të evidentuar punime të mundshme. Foto: Media Amfora

Me kalimin e kohës, banorët i zgjeruan kundërshtimet ndaj disa projekteve që synonin shfrytëzimin e përroit të Lusës. Përveç “Domës”, në këtë zonë janë propozuar edhe hidrocentralet “Lusa 1” dhe “Lusa 2”, të një kompania tjetër. 

Pas kundërshtimeve të vazhdueshme, më 19 gusht 2025, komuniteti organizoi atë që e quajti “Kuvendi i Burrave”, një mbledhje ku morën pjesë edhe gra, të rinj dhe emigrantë të kthyer në vendlindje. Përmes këtij organizimi, ata synuan të miratonin një memorandum kundër hidrocentraleve dhe ta përdornin atë në betejën gjyqësore, së bashku me peticionin që sipas tyre mblodhi 705 firma.

“Jemi mbledhur për të drejtat tona. Ne jemi mbledhur aty, i gjithë fshati. Ajo ka qenë dëgjesë sepse dëgjesë quhet kur është i gjithë fshati aty”, shpjegoi Hystuna, i cili kundërshton mënyrën se si janë zhvilluar konsultimet për projektet hidroenergjetike.

Në harkun e gati një viti, banorët e Kurdarisë zhvilluan të paktën 7 mobilizime dhe protesta publike kundër ndërtimit të hidrocentralit “Doma”. Ato u shtrinë nga Përroi i Lusës deri përpara Bashkisë Klos, Gjykatës Administrative në Tiranë dhe Kuvendit të Shqipërisë, ndërsa përballjet e vazhdueshme me përfaqësuesit e kompanisë u shoqëruan edhe me ndërhyrje të policisë.

Më 4 korrik 2025, një konflikt mes banorëve dhe personave të lidhur me kompaninë ndërtuese përfundoi në përplasje fizike. Një ditë më vonë, Drejtoria Vendore e Policisë Dibër njoftoi referimin e materialeve në Prokurori dhe nisjen e procedimit penal ndaj 4 banorëve, të dyshuar për “Plagosje të lehtë me dashje”, “Vetëgjyqësi” dhe “Shkatërrim të pronës”. Sipas policisë, ata dyshoheshin se kishin dëmtuar një automjet të kompanisë dhe kishin goditur një 39-vjeçar të përfshirë në investim. Banorët, nga ana tjetër, pretenduan se ishin provokuar dhe se drejtuesi i ekskavatorit kishte tentuar t’i godiste me makinerinë e punës.

Teksa një studim i vitit 2017, i realizuar nga organizatat EcoAlbania, Milieukontakt Shqipëri dhe Lex Ferenda, identifikoi 18 konflikte të lidhura me hidrocentralet gjatë periudhës 2012-2016, në të cilat 34 persona ishin arrestuar ose shoqëruar nga policia, përfshirë gjashtë gra dhe një të mitur. Studimi dokumentoi gjithashtu një viktimë nga një konflikt për ndërtimin e një HEC-i, një të plagosur dhe një tentativë vrasjeje.

Për Halim Kadiun, banor i Kurdarisë, përplasjet kanë sjellë jo vetëm shpenzime financiare dhe procese gjyqësore, por edhe frikën e përshkallëzimit të konfliktit mes njerëzve.

“Pse të futemi në hasmëri? Nga ana financiare na dëmtuan, tani do na dëmtojnë nga ana njerëzore”, u shpreh ai, duke kërkuar që institucionet të ndërhyjnë për të shmangur përshkallëzimin e konfliktit deri në vetëgjyqësi.

Në Kurdari, uji ka një vlerë që shkon përtej përdorimit të përditshëm. Përroi i Lusës, që zbret nga zona e Liqeneve të Balgjajt, shërben për furnizimin e rezervuarit të vaditjes dhe të tokave bujqësore të disa fshatrave. Sipas Milazim Hystunën, kryetari i fshatit Kurdari, rezervuari ka një kapacitet prej rreth 500 mijë metrash kub, ndërsa për t’u mbushur i duhen tre deri në katër muaj.

Rezervuari i Kurdarisë furnizohet nga përroi i Lusës dhe gjatë muajve të verës shërben si burim i rëndësishëm uji për vaditjen e tokave bujqësore dhe shuarjen e etjes së bagëtive të banorëve të zonës. Foto: Media Amfora
Rezervuari i Kurdarisë furnizohet nga përroi i Lusës dhe gjatë muajve të verës shërben si burim i rëndësishëm uji për vaditjen e tokave bujqësore dhe shuarjen e etjes së bagëtive të banorëve të zonës. Foto: Media Amfora

Njësia Administrative Suç, pjesë e Bashkisë Klos, përbëhet nga pesë fshatra: Kurdari, Skënderaj, Kurqelaj, Suç dhe Kujtim. Teksa sipas Censit të Popullsisë dhe Banesave të vitit 2023, kjo njësi numëron zyrtarisht 1770 banorë.

Dokumentet e siguruara nga Media Amfora tregojnë se projekti i hidrocentralit “Doma” ka vijuar të përparojë në rrugën administrative, pavarësisht kundërshtimit të gjatë të komunitetit. Kontrata për ndërtimin e hidrocentralit, me kapacitet të instaluar 1.695 megavatë, daton më 27 dhjetor 2018. Projekti u pajis me vendim për vlerësimin paraprak të ndikimit në mjedis më 7 shtator 2023 dhe me leje për përdorimin e burimit ujor më 26 dhjetor të po atij viti, me vlefshmëri deri më 26 dhjetor 2028. Ndërsa leja e ndërtimit rezulton e datës 23 janar 2025.

Zhvilluesja e projektit është shoqëria “Global Interprise Group”, e themeluar në janar 2008 dhe e administruar nga Ashim Doma. Sipas të dhënave të regjistrit tregtar, kapitali i saj ndahet ndërmjet Shefki Domës me 34%, Ashim Domës me 33% dhe Besmir Domës me 33%. Kompania ka ushtruar veprimtari në disa sektorë, përfshirë tregtinë, mineralet dhe ndërtimin, ndërsa më 15 maj 2017 në objektin e saj të veprimtarisë u shtua ndërtimi dhe shfrytëzimi i hidrocentralit “Doma”. Ashim Doma rezulton gjithashtu administrator dhe zotërues i plotë i kapitalit të shoqërisë “Doma Group”, të themeluar në vitin 2017. Kjo kompani është e lidhur me një tjetër projekt hidroenergjetik në rajonin e Matit, hidrocentralin “Vinjolli 1”, me kapacitet të instaluar 1.84 megavatë.

Më 10 gusht 2026, Enti Rregullator i Energjisë miratoi licencën e prodhimit për shoqërinë “Global Interprise Group”, zhvilluese e hidrocentralit “Doma”, me vendimin numër 220. Ndërkohë, rezistenca e banorëve kishte kaluar edhe në gjykata, ku në vitin 2025, ata ngritën padi duke kërkuar pavlefshmërinë e vendimeve të Këshillit Bashkiak të Klosit, kontratave për përdorimin e sipërfaqeve publike dhe akteve që mundësuan ndërtimin e hidrocentralit. 

Më 16 tetor të atij viti, Gjykata Administrative e Shkallës së Parë në Tiranë refuzoi kërkesën për pezullimin e përkohshëm të punimeve, pa e zgjidhur përfundimisht çështjen e ligjshmërisë së projektit. Nga përpunimi i të dhënave që Gjykata Administrative e Apelit i vuri në dispozicion Amforës, çështja rezultonte ende në përpunim.

Por ndërsa konflikti gjyqësor vijonte, projekti shënoi një tjetër zhvillim institucional. Më 15 qershor 2026, ERE nisi procedurën për licencimin e “Global Interprise Group”. ERE evidentoi se deri më 25 qershor 2026 nuk ishin depozituar komente nga palë të treta lidhur me licencimin e kompanisë – ndërsa banorët publikisht dhe ligjërisht kishin kohë që po e kundërshtonin këtë projekt.

Pavarësisht këtyre zhvillimeve, më 10 gusht 2026, Bordi i ERE-s miratoi vendimin nr. 220, duke licencuar “Global Interprise Group” për prodhimin e energjisë elektrike nga hidrocentrali “Doma”, për një afat 30-vjeçar. Vendimi përcakton detyrimin që shoqëria të nisë operimin brenda datës 23 janar 2027.

Për të marrë qëndrimin e zhvilluesit, Media Amfora i dërgoi një kërkesë zyrtare për koment shoqërisë “Global Interprise Group”, duke kërkuar të njihet me qëndrimin e saj, por deri në publikimin e këtij artikulli nuk u kthye përgjigje.

Pas emërtimeve të projekteve që përsëriten në dokumentet zyrtare shfaqen edhe kompani që kanë grumbulluar një numër të konsiderueshëm hidrocentralesh në zona të ndryshme të vendit. Nga analiza e Amforës, grupimi “Essegei/Balkan Green” lidhet me 22 emërtime hidroenergjetike – hidrocentrale, “Telemania-Alb” me 10, “Orenja Power” me 9, ndërsa “Shala Energy” dhe grupimi “2T/Përxholla” me nga 8 secili. Edhe gjurma kohore e këtyre projekteve tregon se interesi për burimet ujore është shtrirë ndër vite, duke u dokumentuar në periudha të ndryshme. 

Viti 2010 shënon numrin më të lartë të shfaqjeve të para në regjistrin e analizuar, me 56 emërtime, ndërsa një përqendrim i konsiderueshëm vërehet në vitin 2017 me 44, në vitin 2018 me 40, në vitin 2022 me 43 dhe në vitin 2023 me 40.

Beteja për të vaditur tokat

Për fermerët e Shtiqënit dhe Nangës në Kukës, frika e banorëve të Kurdarisë është kthyer në realitet. Mungesa e ujit vaditës gjatë verës së vitit 2026 i shtyu ata të protestonin përpara bashkisë së Kukësit, duke akuzuar një hidrocentral që operon në fshat se kishte kufizuar lëshimin e tij për vaditje.

“Ka ndodhur edhe në 2 vitet e mëparshme kjo situatë, por këtë vit vera ishte shumë e thatë dhe dolëm të protestonim”, shpjegoi Arben Trota, banor i fshatit Shtiqën.

“Sa herë që bëja video-denoncime unë vinte uji”, shtoi ai për situatën e kanalit të Shtiqënit, që sipas banorëve shërben për vaditjen e rreth 820 hektarëve tokë bujqësore.

Pas ankesave të fermerëve të Kukësit, Amfora lexoi raportin e një inspektimi që Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore (AKBN) kreu më 27-28 gusht 2026, duke konstatuar nga regjistrat se HEC “Pobreg” kishte prodhuar energji pothuajse gjatë gjithë muajit qershorit dhe në disa intervale duke përfshirë orët e ditës edhe gjatë korrikut. Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë i rikujtoi koncesionarit “Energy Plus” detyrimin për të garantuar ujin e nevojshëm për vaditje, ndërsa inspektimi evidentoi edhe humbje uji për shkak të gjendjes së kanalit vaditës.

“Unë kam pas kultivuar patate dhe lakra rreth 2 dynym, por nuk e mbolla më prej 2 vitesh sepse nuk e kam ujin e sigurt, pasi dështova herën e parë për shkak të thatësirës”, përfundoi Trota.

Konflikti mes prodhimit të energjisë dhe nevojave për ujë të komuniteteve është dokumentuar edhe nga Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH). Në auditimin për hidrocentralet “Madhesh” dhe “Traja 1”, në Mat, KLSH konstatoi se projektet nuk kishin parashikuar ujë për vaditje, megjithëse banorët kishin paraqitur kërkesa të dokumentuara. Një tjetër auditim i KLSH-së, i përfunduar në maj 2025 për hidrocentralin “Sasaj”, në jug të vendit, dokumentoi mosrespektimin e detyrimeve për lëshimin e prurjes ekologjike, duke shkaktuar pasoja për ekosistemin dhe vështirësi në vaditjen e tokave bujqësore. Leja mjedisore e kësaj vepre parashikonte që gjatë periudhave të thata, sipas prurjeve të lumit, uji që duhej lënë në rrjedhën natyrore mund të arrinte deri në 100% të sasisë së disponueshme.

Konfliktet për përdorimin e ujit dhe prodhimin e energjisë shtrihen kryesisht në rastet e hidrocentraleve prodhuese me kapacitet të ulët. Në rastin e hidrocentralit “Doma”, ai është projektuar me një kapacitet prej 1.695 megavatësh, ndërsa në shembullin e “Jovići”-t në Bosnjë-Hercegovinë, me vetëm 0.6 megavat. Megjithatë, këto 2 investime relativisht të vogla po shkaktojnë konflikte që zgjasin prej vitesh.

Në Bosnjë hidrocentralet e vegjël prodhuan vetëm 2.41% të energjisë elektrike

Referuar të dhënave të Komisionit Shtetëror Rregullator të Energjisë Elektrike në Bosnjë-Hercegovinë (DERK), hidrocentralet e vegjël, me kapacitet të përgjithshëm prej 171.27 megavatësh, prodhuan 350.79 gigavatorë energji gjatë vitit 2025. Kjo përbënte vetëm 2.41% të prodhimit të përgjithshëm të energjisë elektrike të vendit. Në të njëjtën periudhë, prodhimi nga energjia diellore arriti rreth 1.156 gigavatorë, mbi tri herë më shumë sesa ai i hidrocentraleve të vegjël.

Nga ana tjetër, ministri i Minierave dhe Energjisë në Qeverinë e Republikës Srpska, Petar Đokić, i konsideron hidrocentralet e vegjël si investime që kontribuojnë në zhvillimin ekonomik dhe krijimin e vendeve të punës. Sipas tij, vlera e investimeve në hidrocentralet e vegjël të ndërtuar në Republikën Srpska ka tejkaluar 270 milionë marka të konvertueshme (rreth 138 milionë euro). “Ne kemi paguar për energjinë e prodhuar prej tyre dhe ua kemi furnizuar familjeve dhe bizneseve. Ky është një përfitim, ashtu siç është edhe vetë investimi”, argumentoi Đokić, duke theksuar efektet e drejtpërdrejta dhe të tërthorta në ekonomi. 

“Besoj se nuk duhet t’i dalim kurrë përpara zhvillimit. Zhvillimi është ajo për të cilën përpiqemi”, përfundoi ai.

Nga ana tjetër e Ballkanit, në Shqipëri sipas raporteve vjetore të Entit Rregullator të Energjisë, gjatë periudhës 2022–2024 hynë në prodhim hidrocentrale të reja me kapacitet të përgjithshëm prej 31.42 megavatësh, përkatësisht 9.43 MW në vitin 2022, 7.99 MW në vitin 2023 dhe 14 MW në vitin 2024. Ndërkohë, sipas INSTAT-it, gjatë vitit 2025 hidrocentralet private dhe koncesionare prodhuan 3.109 gigavatorë energji elektrike ose 41.6% të prodhimit vendas. Megjithatë, kjo kategori përfshin edhe hidrocentralet e mëdha, ndaj nuk mund të krahasohet drejtpërdrejt për peshën e hidrocentraleve të vegjël.

Për të kuptuar përmasat e këtij zhvillimi, një studim i organizatave Riverwatch dhe EuroNatur, i përditësuar në vitin 2024, identifikoi në Ballkan 3188 hidrocentrale të planifikuara, 94 në ndërtim dhe 1836 në funksionim. Rreth 92% e projekteve të planifikuara kishin kapacitet më të vogël se dhjetë megavatë, ndërsa pothuajse gjysma e projekteve të planifikuara ose në ndërtim ndodheshin brenda zonave ekzistuese apo të propozuara për mbrojtje.

Për Ulrich Eichelmann, koordinator i projektit “Blue Heart of Europe” dhe drejtor ekzekutiv i organizatës Riverwatch, lumenjtë e Ballkanit kanë një rëndësi që i tejkalon kufijtë e rajonit. 

“Do të thosha se lumenjtë e Ballkanit kanë rëndësi globale. Ata janë ende në një gjendje natyrore që ne e kemi humbur prej kohësh në pjesën tjetër të Evropës. Kjo do të thotë se ata janë ende të gjallë, mund të rrjedhin lirshëm dhe strehojnë shumë shpendë e peshq, një pasuri të jashtëzakonshme të faunës”, shpjegoi ai. 

“Prandaj i quajmë lumenjtë e Ballkanit ‘Zemra Blu e Evropës’. Dhe ajo rreh pikërisht këtu, në Ballkan!”, theksoi Eichelmann, duke e cilësuar këtë pasuri natyrore si ende pak të njohur në Evropë.

Ulrich Eichelmann, koordinator i projektit “Blue Heart of Europe” dhe drejtor ekzekutiv i Riverwatch. Foto: Dejan Rakita
Ulrich Eichelmann, koordinator i projektit “Blue Heart of Europe” dhe drejtor ekzekutiv i Riverwatch. Foto: Dejan Rakita

“Ndërkohë që vendet e tjera të Europës po punojnë për restaurimin e lumenjve, për heqjen e digave, në Ballkan vazhdon ende trendi i ndërtimit të hidrocentraleve”, shpjegoi nga këndvështrimi i saj aktivistja mjedisore Besjana Guri, duke e lidhur këtë fenomen me interesin për shfrytëzimin e lumenjve të fundit relativisht të paprekur në rajon.

Sipas saj, zhvillimi i hidrocentraleve duhet të vlerësohet edhe nga përfitimet që u sjell komuniteteve pranë të cilave ndërtohen.

“Edhe në rastin kur një hidrocentral ndërtohet në një komunitet, duhet patjetër të përkthehet në shërbime për komunitetin, të përkthehet në të ardhura për bashkinë apo për komunën, ose edhe në qoftë në energjinë direkte të komunitetit”, argumenton Guri. Ajo vëren se përfitime të tilla premtohen shpesh, por nuk janë provuar në shumë prej rasteve që ka ndjekur gjatë punës së saj.

Ekonomisti Klodian Muço vlerëson se politika e koncesioneve duhet të shqyrtohet edhe në perspektivën afatgjatë, pasi infrastruktura hidroenergjetike amortizohet dhe ndryshimet klimatike mund ta kufizojnë më tej prodhimin.

“A do na ngelet ne diçka në fund pas 35 vjetësh nga momenti i dhënies së lejes? Për mendimin tim përsëri jo sepse ka amortizim shumë të lartë”, u shpreh ai, duke iu referuar kostove të turbinave dhe grumbullimit të sedimenteve në veprat hidroenergjetike.

Ndërsa projektet hidroenergjetike vijonë të zhvillohen në Shqipëri, lumenjtë shqiptarë kanë humbur një pjesë të konsiderueshme të karakterit të tyre natyror. Të dhënat e studimit të Riverwatch dhe EuroNatur tregojnë se, vetëm ndërmjet viteve 2018 dhe 2025, gjatësia e segmenteve lumore të klasifikuara si pothuajse natyrore në Shqipëri u tkurr nga 3812 në 2668 kilometra. Brenda shtatë viteve, vendi humbi 1144 kilometra segmente lumore me këtë klasifikim, një rënie prej rreth 30%.

Ndërsa në Bosnjë-Hercegovinë, kundërshtimi i hidrocentraleve të vegjël ka prodhuar edhe ndryshime ligjore. Në korrik 2022, Parlamenti i Federatës së Bosnjë-Hercegovinës miratoi ndalimin e lëshimit të lejeve të reja energjetike për hidrocentrale me kapacitet deri në dhjetë megavatë, me përjashtime të përcaktuara në ligj dhe dispozita kalimtare për koncesionet ekzistuese. Sipas Riverwatch, kjo masë pritej të pengonte të paktën 116 projekte të planifikuara.

Megjithatë, ndalimi nuk zbatohet në të gjithë territorin e Bosnjë-Hercegovinës. Projekti “Jovići”, në lumin Pliva, ndodhet në Republikën Srpska, ku konflikti mbi koncesionin dhe lejet mjedisore vazhdon. Ndërsa Gjykata e Qarkut në Banja Luka anuloi tri leje mjedisore të projektit gjatë viteve 2025-2026, investimi nuk ishte braktisur përfundimisht.

Lumenjtë “derdhen” në gjykata

Për komunitetet që kundërshtojnë hidrocentralet, protestat shpesh janë vetëm fillimi i një beteje shumë më të gjatë. Në Shqipëri, një pjesë e tyre kanë përfunduar në gjykata, ku banorët kërkojnë anulimin e lejeve mjedisore, të ndërtimit, të përdorimit të ujit dhe të kontratave koncesionare që mundësojnë shfrytëzimin hidroenergjetik të lumenjve.

Amfora analizoi të dhënat që Gjykata Administrative e Apelit i vuri në dispozicion dhe identifikoi 127 çështje të lidhura me sektorin hidroenergjetik, prej të cilave 73 rezultonin ende në përpunim, 47 të mbyllura dhe shtatë të shënuara si të dorëzuara. Megjithatë, jo të gjitha përfaqësojnë kundërshtime të banorëve, pasi përfshihen edhe mosmarrëveshje tregtare, tatimore dhe administrative mes kompanive dhe institucioneve.

Nga totali, Amfora identifikoi të paktën 20 çështje me karakter komunitar, të përqendruara në shtatë konflikte të ndryshme. Gjashtë prej tyre lidhen me projektet “Sekë” dhe “Zais”, pesë me “Dragobinë”, katër me “Thirrën”, dy me “Setën”, ndërsa rastet e tjera përfshijnë “Bushtricën”, “Shushicën” dhe “Domën” në Klos.

Çidhna: Mbi 7 vite në gjyq për hidrocentralin “Seta 4”

Njëmbëdhjetë banorëve të Çidhnës në Dibër iu deshën mbi shtatë vite betejë gjyqësore për të siguruar një vendim në favor të tyre kundër hidrocentralit “Seta 4”, pjesë e një kompleksi prej 4 veprash hidroenergjetike të parashikuara në Përroin e Setës.

“Gati 8 vite kemi bërë gjyqe. Ujin e Lumit Seta e ka tharë dhe e kemi shpëtuar me forcë Ujëvarën e Sopanikës, se donte ta merrte edhe atë”, shpjegoi për Amforën, Mexhit Tola, nga fshati Çidhën.

Banorët e kundërshtuan këtë hidrocentral për shkak të ndikimeve në monumentet natyrore “Gryka e Setës” dhe “Burimi dhe Shpella e Sopanikës”, duke kërkuar shfuqizimin e lejeve dhe akteve që mundësonin ndërtimin e tij.

“Ne ishim dakord që hidrocentrali të bëhej me parametra të tjera, me kanale të hapura që të avullonte uji ose me liqen, që të mbushej me ujë dhe trofta të mos dëmtohej. Ata nuk e bënë këtë dhe e futën lumin në tuba”, shpjegoi një prej paditësve, Qazim Daci.

Vepra e marrjes së ujit e hidrocentralit “Seta 4”, në përroin e Setës në Dibër, devijon rrjedhën natyrore përmes një strukture prej betoni që kontrollon prurjet e ujit. Foto: Media Amfora
Vepra e marrjes së ujit e hidrocentralit “Seta 4”, në përroin e Setës në Dibër, devijon rrjedhën natyrore përmes një strukture prej betoni që kontrollon prurjet e ujit. Foto: Media Amfora

Padia u regjistrua në korrik 2017 dhe u rrëzua nga Gjykata Administrative e Shkallës së Parë në dhjetor 2018. Por më 10 tetor 2024, Gjykata Administrative e Apelit ndryshoi vendimin, duke shfuqizuar pjesërisht gjashtë akte administrative dhe koncesionare vetëm për “Seta 4”. Në arsyetimin e saj, gjykata evidentoi ndër të tjera se leja e përdorimit të ujit ishte miratuar nga një organ jokompetent dhe se vlerësimi mjedisor nuk kishte marrë siç duhej në konsideratë mbrojtjen e monumenteve natyrore. Beteja ligjore çështja kaloi në Gjykatën e Lartë, ku deri në gusht 2026 nuk ishte caktuar ende një datë për shqyrtimin e rekursit.

Rekursi ka të bëjë me vendimin e Gjykatës Administrative të Apelit, që vendosi në favor të banorëve të Çidhnës, duke shfuqizuar pjesërisht gjashtë akte që mundësonin ndërtimin e hidrocentralit “Seta 4”, përfshirë lejen e ndërtimit, miratimin mjedisor, pjesën përkatëse të kontratës koncesionare dhe lejet për përdorimin e ujit.

“Tubat duhet t’i shkuli Përmbarimi, duhet ta japi ai urdhrin. E ka Përmbarimi Shtetëror tani sepse ai privat nuk e mori përsipër nga presioni”, shpjegoi Qazim Daci.

“Të shohim, kur të dorëzohet Përmbarimi i Dibrës, atëherë ne do të ndërhyjmë forcërisht për t’i prishur tubat”, tregoi i prerë Daci.

Qazim Daci, një nga banorët e Çidhnës në Dibër që kundërshtuan ndërtimin e hidrocentralit “Seta 4”. Foto: Media Amfora.
Qazim Daci, një nga banorët e Çidhnës në Dibër që kundërshtuan ndërtimin e hidrocentralit “Seta 4”. Foto: Media Amfora.

Kohëzgjatja e gjykimeve tregon një tjetër kosto të këtyre përplasjeve. Në një grup prej 54 çështjesh me data të vlefshme, procedurat në apel kishin zgjatur mesatarisht 33.4 muaj, ndërsa mediana ishte 20.9 muaj. Në 14 prej tyre, ose rreth një në katër raste të këtij grupi, kohëzgjatja kishte kaluar 5 vite. Për banorët që jetojnë nga bujqësia dhe blegtoria, proceset e tilla përkthehen në vite pasigurie dhe shpenzime, ndërsa projektet mund të vijojnë të kenë zhvillime administrative.

“Nuk ka lagështirë tani që të avullojë lumi dhe janë tharë pemët dhe bimët. Ai ka qenë një vend me troftë të egër me pika të kuqe, nuk ekziston më aty”, analizoi Mexhit Tola.

Nga ana tjetër, Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura i konfirmoi Amforës se hidrocentralet “Seta 1+2” dhe “Seta 3”, të administruara nga “HYDRO SETA”, ndodhen brenda territorit të Parkut Kombëtar “Lurë-Mali i Dejës”.

“Megjithëse ne kemi fituar me gjyq, përsëri vazhdojnë punimet e kompanisë”, shpjegoi banori tjetër, Shukri Përgjegji.

Pas hidrocentraleve të Setës qëndron një strukturë biznesi me interesa të konsiderueshme ekonomike përballë së cilës banorët u endën ndër vite dyerve të gjykatave. Sipas të dhënave të regjistrit tregtar, 74.5% e kapitalit të shoqërisë koncesionare “HYDRO SETA” zotërohet nga “ALB-BUILDING”, në pronësi të Pëllumb Betës dhe Odhise Breshës me nga 50% secili. Pjesa tjetër ndahet ndërmjet shoqërive “LIQENI VII” me 10.9%, “KUPA” me 8.6%, “KALIA” dhe “2 L&M” me nga 3%.

Vetëm gjatë vitit 2024, “HYDRO SETA” raportoi rreth 249 milionë lekë fitim para tatimit (ose rreth 2.47 milionë euro), ndërsa aksionari i saj kryesor, “ALB-BUILDING”, rezulton fitues i 24 tenderëve publikë me vlerë të përgjithshme rreth 11.9 miliardë lekë (ose rreth 118.2 milionë euro) – Kompania nuk ju përgjigj një kërkese për koment deri në publikimin e artikullit. 

Kohëzgjatja e kësaj përballjeje gjyqësore për një HEC-et nuk është një rast i izoluar. Në dosjet e shqyrtuara nga Amfora, nga 127 çështje të lidhura me hidrocentralet që Gjykata Administrative e Apelit vuri në dispozicion, 73 rezultonin ende në përpunim në shtator 2026. Në një grup prej 54 çështjesh me data të vlefshme, kohëzgjatja mesatare e procedurave në apel arriti 33.4 muaj (afërsisht 2 vjet e 9 muaj), ndërsa mediana ishte 20.9 muaj (rreth 1 vit e 9 muaj). Në 14 raste, gjykimet kishin zgjatur mbi 5 vite. Këto statistika përfshijnë edhe mosmarrëveshje mes kompanive dhe institucioneve, por tregojnë barrën kohore të proceseve në një sektor ku vendimet për përdorimin e lumenjve mund të sjellin pasoja afatgjata.

Ndërkohë, hidrocentralet në një pjesë të tyre kanë mbetur brenda territoreve me status të veçantë mbrojtjeje. Në përgjigjen zyrtare të 31 gushtit 2026, Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura (AKZM) identifikoi 4 objekte ose komplekse hidroenergjetike në zona të mbrojtura: “Seta 1+2” dhe “Seta 3”, brenda Parkut Kombëtar “Lurë-Mali i Dejës”, si edhe “Dragobia” dhe “Dukagjini-Ndërlysa”, brenda Parkut Kombëtar “Alpet e Shqipërisë”. Por përmasat e fenomenit janë dokumentuar më herët si më të gjera se kaq.

Hidrocentralet e ndërtuara në luginën e lumit Valbona kanë transformuar peizazhin dhe kanë devijuar rrjedhën e ujit. Foto: Media Amfora
Hidrocentralet e ndërtuara në luginën e lumit Valbona kanë transformuar peizazhin dhe kanë devijuar rrjedhën e ujit. Foto: Media Amfora

Referuar të dhënave të mëparshme që Amfora disponon, AKZM-ja në të kaluarën ka evidentuar 61 hidrocentrale të ndërtuara ose të planifikuara brenda zonave të mbrojtura, nga të cilat 34 ishin ndërtuar përpara vitit 2015. Institucioni kishte identifikuar vetëm 4 raste shkeljesh, ndërsa një auditim i Kontrollit të Lartë të Shtetit kishte konstatuar pesë kontrata qiraje për përdorimin e fondit pyjor publik në funksion të ndërtimit të hidrocentraleve brenda Zonave të Mbrojtura, në kundërshtim me legjislacionin përkatës.

Teksa banorët në Shqipëri dhe Bosnjë-Hercegovinë vijojnë të enden midis fshatrave dhe dyerve të gjykatave qindra kilometra larg prej tyre, përpjekjet për të ndalur tkurrjen e mëtejshme të “Zemrës Blu të Evropës” përballen me politika energjetike që ende favorizojnë shfrytëzimin hidroenergjetik përmes ndërtimit të digave të vogla. Mbrojtja e lumenjve mbetet gjithashtu një provë për procesin e integrimit të dy vendeve në Bashkimin Evropian. 

Në raportin e vitit 2025 për Shqipërinë, Komisioni Evropian evidentoi se marrja e ujit nga lumenjtë dhe zonat e mbrojtura, pa konsultimin e komuniteteve lokale dhe organizatave mjedisore, kishte shkaktuar konflikte. Edhe Bosnjë-Hercegovina u vlerësua pa progres në fushën e mjedisit dhe ndryshimeve klimatike, ndërsa Komisioni kërkoi përmirësimin e vlerësimeve të ndikimit në mjedis, transparencës së procedurave dhe pjesëmarrjes së publikut në vendimmarrje.

Nga lumi Pliva në Bosnjë-Hercegovinë te përroi i Lusës në Shqipëri, banorët vijojnë të kundërshtojnë projektet hidroenergjetike që sipas tyre rrezikojnë burimet ujore nga të cilat varen komunitetet e tyre. 

“Kur pamë se çfarë po ndodhte me ndërtimin e mundshëm të hidrocentralit Jovići, vendosëm të përfshiheshim dhe të përpiqeshim ta ndalonim”, rrëfeu Miloš Mitrić, një prej nismëtarëve të grupimit “Mbrojtësit e Plivës”.

Ndërsa në fshatin shqiptar Kurdari, Rexhep Kuleni e sheh këtë betejë si një përgjegjësi ndaj brezave të ardhshëm. 

“Një fëmijë shkolle më ka pyetur: O gjysh, ku po shkoni? Në protestë, a po na e merr ujin Doma” [emri i HEC-it]. Edhe ne kemi detyrim ndaj atyre fëmijëve, brezave që do të vijnë sepse nëse gabojmë sot, nesër do të jetë shumë vonë”, përfundoi Kuleni, me vetullat e rrudhura dhe me një vështrim që përcillte vendosmërinë për ta vijuar këtë përballje deri në fund.