E shtuna mbledh protestën kombëtare në Tiranë, studentëve u bashkohen sindikatat
Protestat e studentëve dhe të rinjve në Shqipëri hynë të shtunën, më 24 tetor, në ditën e 12-të, me organizimin e një tubimi kombëtar në Tiranë. Thirrjes për pjesëmarrje iu përgjigjën grupe studentore, pedagogë, sindikata dhe opozita, ndërsa kryeministri Edi Rama përsëriti ftesën për dialog.
Policia shton masat e sigurisë në terren gjatë protestës kombëtare në Tiranë. Foto: Media Amfora
Tirana është kthyer këtë të shtunë në qendrën e protestave të studentëve dhe të rinjve, të nisura më 13 tetor me kërkesa për përmirësimin e kushteve në arsim dhe kundërshtimin e korrupsionit.
Gjatë ditëve pasuese, protestat u përhapën në qytete të ndryshme të vendit, ndërsa kërkes kryesore mbetet dorëheqja e kryeministrit Edi Rama.
Për 24 tetorin, grupet studentore thirrën një tubim kombëtar përpara Kryeministrisë, duke ftuar të rinjtë nga qytete të tjera të Shqipërisë të bashkohen në kryeqytet.
Organizimi përfshiu disa grumbullime gjatë ditës. Pedagogët njoftuan mbledhjen pranë Universitetit Politeknik, ndërsa Sindikata e Pavarur e Artit, Kulturës dhe Medias bëri thirrje për pjesëmarrje përpara Kryeministrisë.
Mbështetje për studentët shpallën edhe sindikatat e arsimit, përfshirë Sindikatën e Pavarur të Arsimit të Shqipërisë (SPASH) dhe Sindikatën e Bashkuar të Arsimit Shqiptar (SBASH).
SPASH njoftoi pjesëmarrjen përpara Kryeministrisë, si dhe bashkimin me studentët pranë Ministrisë së Arsimit.
Sindikata e Pavarur e Artit, Kulturës dhe Medias e lidhi pjesëmarrjen në protestë edhe me kërkesat për paga dhe pensione dinjitoze, siguri në punë, mbrojtje sociale dhe liri të shprehjes.
Në mbështetje të protestës u përfshi edhe Partia Demokratike. Kryetari i saj, Sali Berisha, njoftoi më 23 tetor mobilizimin e aktivistëve dhe strukturave të partisë për t’iu bashkuar tubimit të së shtunës.
Grupet studentore kanë përcaktuar mesditën për bashkimin e protestuesve përpara Kryeministrisë.
Mobilizimi u shoqërua edhe me kontrolle policore në rrugët drejt Tiranës. Efektivë të Policisë së Dibrës kontrolluan automjete pranë tunelit të Murrizit, në Rrugën e Arbrit.
Përballë mobilizimit, kryeministri Edi Rama ka vijuar thirrjet për dialog me studentët.
Në një deklaratë zyrtare më 23 tetor, Rama u shpreh: “Përsëri e përsëri, e përsëri ftesa për dialog dhe gatishmëria për të qenë me këdoqoftë që kërkon dhe beson në dialog është këtu”.
Kryeministri deklaroi gjithashtu se ishte i gatshëm të takohej me përfaqësuesit e protestuesve në çdo vend dhe në çdo orë, ndërsa paralajmëroi përgjegjësi penale për personat e përfshirë në veprime të dhunshme.
Mëngjesin e së shtunës, Rama publikoi pamje të një sofre prej guri me shilte të vendosur përpara Kryeministrisë, në vijim të ftesës së tij për bisedime. Protestuesit i kishin refuzuar thirrjet e mëparshme për dialog.
Protestat e 12 ditëve janë shoqëruar me përplasje mes protestuesve dhe policisë, arrestime dhe dëmtime në institucione e biznese. Paralelisht, në rrjetet sociale janë përhapur edhe pretendime të pambështetura për ndërhyrje ushtarake gjatë tubimeve dhe për lidhje të sulmeve ndaj gjykatave me interesa politike e të huaja.
Tubimi kombëtar i 24 tetorit shënon një përpjekje për ta bashkuar mobilizimin studentor me mbështetjen e sindikatave, pedagogëve dhe grupeve të tjera shoqërore, ndërsa kërkesa për dorëheqjen e kryeministrit dhe ftesa e tij për dialog mbeten qëndrime të kundërta.
Policia e Shtetit ka shtuar praninë e efektivëve në terren për mbarëvajtjen e protestës kombëtare në Tiranë, duke angazhuar edhe punonjës policie nga komisariate të tjera.