Dorëhiqet drejtori i Burgjeve, mes raporteve që evidentojnë probleme në sistem

Adriatik Kupi njoftoi dorëheqjen nga drejtimi i Burgjeve, ndërsa inspektimi i Avokatit të Popullit në Shënkoll dhe raporti i Komisionit Evropian kanë evidentuar mbipopullim dhe mangësi në kujdesin shëndetësor tek të burgosurit. Kupi mori detyrën në prill, duke zëvendësuar Klevis Qosen, me zotimin për të përmirësuar administrimin dhe disiplinën në sistem.

Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Adriatik Kupi, njoftoi të hënën dorëheqjen përmes një postimi në rrjetet sociale, ku përmendi vështirësi dhe pengesa gjatë drejtimit të institucionit, pa përcaktuar një shkak konkret për largimin.

“Pas shtatë muajsh në drejtimin e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, kam vendosur të jap dorëheqjen nga kjo detyrë”, shkroi ai.

Kupi e përshkroi periudhën në detyrë si të vështirë, me probleme që kërkonin ndërhyrje të menjëhershme. Ai deklaroi se puna e tij ishte përqendruar te siguria, administrimi dhe përmirësimi i trajtimit të personave që vuajnë dënimin.

“Ka pasur edhe kritika, kundërshtime dhe gurë të hedhur mbi këtë punë”, u shpreh Kupi. “Për disa gjëra të tjera, koha do të flasë më qartë se unë sot.”

Në deklaratë, ai nuk sqaroi konkretisht pengesat që përmendi. Kupi falënderoi ministrin e Drejtësisë, Toni Gogu, dhe punonjësit e sistemit për bashkëpunimin.

Largimi vjen pak muaj pasi ndryshimi në drejtimin e Burgjeve u paraqit si një hap për të forcuar administrimin dhe përgjegjshmërinë. Në prezantimin e Kupit, më 2 prill, Ministri i Drejtësisë Toni Gogu kërkonte më shumë disiplinë në institucionet e vuajtjes së dënimit.

“Ky ndryshim ka të bëjë vetëm me fuqizimin e sistemit”, deklaroi ministri në atë takim.

Kupi zëvendësoi Klevis Qosen, i cili kishte drejtuar institucionin për rreth dy vjet. Më vonë gjatë prillit, Qose mori drejtimin e Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, ku u prezantua zyrtarisht më 27 prill.

Gjatë muajve që Kupi ishte në detyrë, një inspektim i Avokatit të Popullit në burgun e Shënkollit evidentoi kushte të rënda akomodimi dhe mangësi në shërbimin shëndetësor. Në njoftimin e 13 korrikut, institucioni raportoi paraprakisht mbipopullim të rëndë dhe mungesë të theksuar të personelit mjekësor në raport me nevojat e personave që mbaheshin aty.

“Problemi kryesor është se duhet të ishte një spital me siguri të lartë, jo një burg me dy psikiatër”, deklaroi Avokati i Popullit, Endrit Shabani.

Sipas institucionit, kushtet e konstatuara cenonin dinjitetin njerëzor dhe standardet minimale evropiane për parandalimin e torturës. Inspektimi përfshinte verifikimin e kujdesit shëndetësor, ankesave dhe biseda private me të burgosurit, pa praninë e stafit.

Problemet në sistem ishin evidentuar edhe përpara emërimit të Kupit. Komisioni Evropian, në raportin për Shqipërinë të vitit 2025, rendiste korrupsionin, kujdesin e dobët shëndetësor dhe mungesën e personelit mes shqetësimeve për burgjet dhe paraburgimet. Mbipopullimi mbetej sfidë, megjithëse raporti vërente ulje graduale të ngarkesës.

Komisioni kërkonte gjithashtu përmirësimin e rehabilitimit dhe masa për kushtet e personave me probleme të shëndetit mendor, duke evidentuar mungesë stafi mjekësor e terapeutik dhe ambiente të papërshtatshme.

Këto çështje janë pjesë e vlerësimit të Shqipërisë në Kapitullin 23 të negociatave me BE-në, për gjyqësorin dhe të drejtat themelore. Përmirësimi i sistemit përfshin si sigurinë, ashtu edhe trajtimin me dinjitet, kujdesin shëndetësor dhe përgatitjen e të dënuarve për t’u rikthyer në shoqëri.

Në njoftimin e dorëheqjes, Kupi i renditi këto fusha mes përparësive të punës së tij, por nuk dha të dhëna për rezultatet e arritura apo masat e marra pas konstatimeve të Avokatit të Popullit.